Poezi nga Iliaz BOBAJ

 
Poezi nga Iliaz  BOBAJ
 
 
TË TJERAT KUPTOHEN…
 
E gjeta dashurinë tonë,
si një nuse,
që pret të dashurin në çastin solemn,
aty ku e lam atëherë,
ku secili prej nesh rrëmbeu humbjen e vet
dhe u larguam të dy fitimtarë.
Ajo nuk kish ndërruar moshë,
të kuqin e buzëve e kish të freskët
dhe nuk e kish hequr fustanin e bardhë.
Në sy,
kish gjithë dritëzimin e yjeve tanë të athershëm,
ndërsa në faqe dy petëla rozë.
I kish marrë nga lulja e pjeshkës.
Rruazat e dhëmbëve,
i kish si zefirët e kokrrave të shegës.
Gjoksi qe gati t’i çahej nga lumturia,
buzëqeshte e tërë ëmbëlsisht.
-Unë,- më tha,- mbaj gëzimin tuaj,
ndaj jam përherë në lulëri.
Të tjerat kuptohen…
Dhimbjen e kemi marrë të gjithë ne të dy.
 
 
 
SHESHI ”ÇERÇIZ TOPULLI”
(Mirës, kudo që të jetë…)
 
Ky shesh është muze i qytetit,
mban në pëllëmbë gjithë historinë,
burra të rëndë sa i gjithë dheu,
të ditur sa shekuj me dritë.
 
Ky shesh ka mbajtur edhe vajzat,
me faqe si faqja e diellit,
(vajzat e Gjirokastrës janë,
më yje se yjet e qiellit).
 
Por midis tyre qe një vajzë,
një Mirë e mirë si dëlirësia,
si engjëll qe me sy të larë,
ku hidhte valle bukuria.
 
Ajo e vogla e padukshme,
ajo e dukshmja mbi të gjithë,
kur dilte ajo te ky shesh,
dalldisnin mbi të të gjithë sytë.
 
Dhe djemtë e brishtë flisnin me vete,
si belbacakë, pa fjalë, pa zë,
nuk di për të sa ëndërruan,
por pa lënë mendtë, s’mbeti asnjë.
 
Ndaj sheshi këtë vajzë të bukur,
e futi në kujtesë të vet,
kush do ta shohë, e gjen aty,
të freskët si një pikëz vesë.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s