Poezi nga Suzana Malaj

 
Poezi nga Suzana Malaj
 
 
Postmortem (akti final)
 
Ky është akti i fundit i postmortit tim,
akti i tretë
zakoni i vjetër i të numëruarit deri në tre
më ka ndjekur e po e ndjek.
Më ka ndjekur si Ion e përndjekur nga Hera
Ah… meqë m’u kujtua Hera
thonë se tek të gjitha gratë ka pak nga Hera
e ndonëse nderohet u mundova që në vete
të zhvilloja nga pak perëndesha të tjera…
Ndonëse grua…
ideja ime
parapëlqente lindjen nga kryet e babait
më tepër se lindjen nga nëna ime…
Nga ana tjetër nuk mund ta fsheh
që natyrisht jam prej Demetre
kurse gjyshja ime ishte Persefon
e kishte këmishën prej errësire…
Kur isha ende fëmijë më thanë se buzëqeshja ime
kishte lindur prej shkumës së Afërditës
më pas lexova për Afërditën, brezin e saj
e pak më pas për brezin e Ndrikullës…
E gëlltita buzëqeshjen aq shpejt
sa shpejtësia e një të gëlltiture
e mora vendimin të mos mbaja brez…
Sa komedi!
Sidoqoftë Afërdita më ka dashur
se dhe të folurit e kam me pasion
u mundova gjithë jetën t’i dirigjoj emocionet
e vec në mortin tim nuk shfaqa emocion.
Cfarë t’ju them?!
Jam zhveshur nga të gjitha shqisat
jam bërë vetëm zë
Flitet se këtu i lirojnë kordat…
i shtrëngojnë…
i hollojne e i trashin
e se e vërteta ime
ekzistenca ime
brenda një hapësire sa sipërfaqa e lugës së cajit
varet vetëm nga kordat…
Më mungon qafa por filluan ta modifikojnë
për të sjellë në formë cilësinë e zërit
madje më thanë se dhe pozicionin e gjuhës
do ta përshtatin me minjtë e vegjël…
Nuk e di cilët janë minjtë por ndjeva muskujt
e krejt papritur më kujtojnë se jam femër
si të bëhej fjalë për një anomali
që se mora vesh në lidhej me kordat
Natyrisht fyhem…
por më thanë se vuaj nga fryma e ankimit kronik
që më bën të dukem tmerrësisht keq!
Nënvizuan se jeta e brendshme e një mali
më ka ftohur mushkëritë në të dyja krahët
m’u dukën kozmopolitë…
pastaj m’u kujtua ai moment dobësie
ku gjithë c’ka ndieja ishin gjymtyrët…
Kështu kujtova atë brinjën e thyer mbi zgavrën e barkut
kraharorin e sfumuar
përpjekjet e bëra për të ndier vetëm fytin
e për ta larë me ujë të bekuar…
M’u kujtuan sozitë që më shpallën njëzëri soprano dramatike
…të marrat!
besonin se vetë Apolloni këndonte me to si soprano lirike
nga malli i madh për muzat…
O vaj !
Cfarë e bën vajin më pak të vajtueshëm
më solli ndërmend atë mal
që mban fshehur legjendën e treguar nxitimthi
me histori kucedre
me dragua si asnjë dragua tjetër
që e bënte trimin të fluturonte mbi kalë për dy dekada e gjysmë.
Oh…ai mal kishte shumë për të thënë !
Edhe unë kisha shumë për të thënë !
Mbi zë më peshonte e gjitha c’ka isha
e gjithnjë më mbetej dicka e pathënë.
Marr frymë…
zëri më del i ftohtë e i ashpër
përgjatë nervit ndiej malin në këmbë
e ndiej shtrëngimin e butonit të barkut.
Asgjë konkrete…
jam bërë re e mbarsur me hidhërimin e hënës
…pastaj vetë hëna!
Më kujtohen…më kujtohen të gjitha…
dhe qielli…
dhe toka…
dhe ideja ime e cmendur se mund t’i pajtoja…
Tani po shoh nyje të sëmura e dikë që ankohet për humbjen e gjakut
ndërsa veten e shoh si një parandjenjë
pastaj shoh …të ardhmen.
I këshilloj vetes qetësimin e mendjes
se nervi i zgjatur gati po më mbyt
i shkul nga vendi të gjitha brinjët
për të celur rrugën deri në fyt.
Si telin e violinës i tërheq kordat
e ndiej dridhje
e ndiej tinguj
diku më përdridhen e bëhen si lakore
sa djallin vetë e pashë të lidhur!
Gjithcka dëshiroj është ai zë!
Gjithcka kam është ai zë!
E ndiej lindjen!
E ndiej clirimin!
E ndiej prej frikës edhe braktisjen…
Sa ironi!
Ky film me metrash të shkurtër
zgjat sa jeta e tokës !
ndërsa ky zë – vec një fije zë
nuk di si ma nxë perimetrin e kokës!
… … … … … …
Jam bërë varg i fshehur si flaka e fshehur në gur
jam bërë gur…
jam bërë shenjë…
E do të kthehem…doemos do të kthehem!
se më ka mbetur dicka e pathënë…
 
 
 
Postmortem 1 
 
Mos më vajto
dorën, krahun, gjuhën!
Mos më vajto syrin!
Mos më vajto në atë shteg balli
që arriti pikën e ngrirjes!
E di…e di
I është kënduar dorës…
i është kënduar krahut me tërë lavdinë e krahut
madje krahu i humbur ka mbyllur gjirin e anarkisë
me lavdinë e madhe të krahut të mbetur
Oh , gjuhës i është kënduar
asaj që humb e asaj që hup
madje gjuhës së zgjatur në botën e dëshmisë
i këndohet akoma duke kafshuar gjuhën
Syri është akomoduar si sy
është bërë agjenci
madje syri ka evoluar syrin
aq sa bota është mbytur në sy…
E di… e di
por unë isha perandor i tyre
e ata ushtarët e mi…
Fillimisht isha toger
pastaj kapiten, major, gjeneral
sfidoja rendin e përmbysja rendin
pastaj e lancoja imazhit mental.
Isha Napoleon me strategji napoleoni
prija vetë në betejat e mia
dorën time, krahun, syrin tim
i bëja e ribëja…pastaj i lëvizja.
Në neuronet e mia e mërgova zemrën
e burgosa brenda kurmit tim
si në ishullin e Shën Helenës
Qortoja syrin
që më kqyrte si Napoleonin – anglezët
arratisjet e mia
clirimi im
nuk shkrepi asnjë nga fishekët
E di…e di
në dimrin e egër rus
më ka mbetur peng një sy
syri i mbetur
më qan për atë sy
Gjithë ushtria rrezikon të kthehet në arka
duke kërkuar një gjeneral e një prift
për lavdinë dhe përshpirtjen në një betejë neuronesh
ku pata të vrarët e mi
E di? C’ka sheh në arkëmortin tim
ishin ushtarët e mi
kurse arkëmorti është Vaterloja
humbja ime e mbytur në shi…
 
 
 
Migjenit !
 
Millosh!
– jemi akoma të sfilitur…
vullkani qoftë dhe i fashitur është herezi!
Mali që s’bëzan është bërë vargmal me maja të rrudhosura
e grushti është kaq primitiv
saqë njeriu që kapërceu shekullin
i trembet instiktit të dhunshëm – e nuk ka faj !
Grushti i hekurt nuk rrëzoi malin por bëri fole qyqesh !
Me ndje !
Kërkesa juaj e moslutjes i ka trishtuar murgeshat
e ato nuk luten më,
por këndojnë në kor dashurinë për qiellin!
Nuk e di nëse u pezmatua qielli nga dhimbjet e tua turbekulare
nuk e di …
– rrëzimi i kulteve – të gjatë e ka mërinë
e fataliteti matet me breza!
Perëndimi dhe Lindja nën këtë qiell janë
por Perëndimi është larg – mortja
ka kohë të mendohet brenda kokave të nxehta
-mbi pleh…
Marshe këndesash ende lajmërojnë ditën e re
e mali as që mbarset më
për të pjellë qoftë dhe një mi !
A e mban mend tragjikomedinë?!
sot është cështje komerciale
nuk na bën më as të qeshim – as të qajmë!
Jemi si ato maskat që përqeshim të tjerët
për të pranuar veten…
Më fal !
delli i gazit dhe marazit në muskujt e gojës
vuajnë paralizën e këtij shekulli
e nuk kanë faj !
Millosh – është ag
drita akoma nuk ka rënë…
 
Nga vëllimi poetik “Postmortem”
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s