ZËRI I PEKTISIT PELLAZGJIK (Rreth vëllimit poetik “NËNTË DETET E ORFEUT” të autores Sofia Doko Arapaj) / Nga: Rushit Ramabaja

 
Autore: Sofia Doko Arapaj
Titulli librit: NËNTË DETET E ORFEUT
Shtëpia Botuese: “ORFEU”, Prishtinë, 2016)
 
 
ZËRI I PEKTISIT PELLAZGJIK
 
Ardhja e poetes Sofia Doko Arapaj në universinn e poezisë shqipe, është një kumt i bardhë. Ajo hyri në këtë gjithësi pa zhurmë e pa bujë, me zërin krejt të mëvetësishëm të lirës së saj duke formësuar natyrshëm konceptin e gjallimit e të mortit, të dashurisë, të humbjes, të mungesës, të mërgimit, të kërkimit e të dhimbjes dhe më në fund të zbulimit të mahnitshëm se diellin e njeriu nuk e zë asnjë vdekje, se ai mbetet në kufirin e të pakapërcyeshmes, me dritën e artë të përjetshme.
Ata që do ta kenë lexuar vëllimin poetik të Sofia Doko Arapajt “NËNTË DETET E ORFEUT”, do të ndahen me përshtypjen se gjatë gjithë kohës kanë dëgjuar këngët e vegullta të nimfave: herë driadat e pemëve, herë oreadat e maleve, herë najadat e burimeve, por më së shumti nereidat e detit. Gjithçka në kangjelen e Sofies vjen natyrshëm, pa shtirje e pa sforcime për të nisur dhe sosur rrjedhën e shqiptimit të bukurisë e të dhembjes për gjallimin, mbrothin, dramën e mortin. Kangjelja e saj rri lart si këngë e këngëve mbi poezinë meskine, që po krijohet jo pak këto kohët e fundit.
Kangjelja e poetes sonë është e veshur, mbi të gjitha, me atë monumentalen, të paplakurën e të përjetshmen, që i ka rrënjët në poezinë e gjeniut popullor (veçan në ritmin dhe në konceptimin proverbial), por e dritësuar me gjuhë dhe figura moderne.
 
PESË QERRET E DIELLIT QË SHUMËZOJNË BUKURINË
 
Vëllimi poetik “NËNTË DETET E ORFEUT” (me ciklet “Më ndiço, Orfe”, “Jam e dashura e diellit”, “Mëkatarja e virgjër” dhe “Avlëmëndi i kangjeles”) ndërtohet mbi pesë boshte motivore: mbi kërkimin e Orfeut dhe të dashurisë universale, mbi motivin e fëmijërisë, mbi motivin e mallit për mëmëdheun, mbi motivin e mërgimit e të mynxyrave të tij dhe mbi motivin ekzistencial. Janë si pesë Qerret e Diellit, që udhëtojnë pambarimish duke shumëzuar mëngjeset e jetës.
Sofia, që sigurisht do të rrijë në panteonin e ndritshëm jo vetëm të letërsisë shqipe, në poezitë e motivit të parë rrëmon me ngulm deri në rrënjët e dhembjes së dashurisë, deri te çmendja e bukur dhe deri te shumëzimi i bukurisë. Dhe këtu ka bërë gjetjen më të mirë të mundshme: dashuria e vërtetë, në kuptimin universal, s’do të kish asnjë kuptim pa poetin mitik Orfe, ngaqë ai qysh në mugën e përrallës pati krijuar modelin e të flijuarit të gjithkohshëm për gruan, dashurinë dhe bukuritë e saj. Rolin e të dashurës së Orfeut poetja ia jep Sibilës, horoinës lirike. Ajo do ta dojë e do ta qaj Orfeun në të gjitha detet e në të gjitha mynxyrat. Ky motiv, që ndriçon si ishull drite në të katër ciklet e librit, që në fillesë emblematizohet si shpirti që i jep jetë peizazhit të kangjeleve në përgjithësi. Fillon me poezinë “KËNGËTARI IM, ORFE” të ciklit të parë, përkatësisht me vargjet “Ti aq bukur më këndon,/të vij, shpirt, në Damastion,/njëherë fllad e njëherë flutur,/pastaj mjellmë krahëkëputur./ Në më pafsh, më shih në sy,/ pastaj fshihmë thellë në gji,/ më shëro të ngre fole,/ Këngëtari im, Orfe…”.
Kjo është pa dyshim kangjelja me thjeshtësi madhështore dhe me bukuri monumentale. Në këto vargjet fshihet krejt shpirtëzimi, dashuria dhe malli për poetin mitik. Këtu Sofia dhe poezia janë të pandashme si lulja dhe ngjyrat e saj. Dhe pastaj ky rrëmim vazhdon të shtrihet në dhjetëra kangjele deri në fund të librit duke thelluar kërkimin e bukurisë e të dhembjes dhe duke fuqizuar ndriçimin filozofiko-poetik të dashurisë. Në poezinë “FLI…” Sibila e lut Orfeut “…Orfeu im, i zemrës Orfe,/ më lër, të lutem, shekuj të fle…”, ndërsa në kangjelen tjetër “ERRËSIRA VEJUSHË”, ajo ka frikë nga muga, andaj thërret: “Orfeeee/ Dritë!/ Mbamë për dore,/ asnjë minutë mos ik,…” Në rastin e parë heroina mbase identifikohet me Euridikën, gruan driadë të Orfeut, që vdiq nga kafshimi i gjarprit, ndërsa në vargjet e vjershës tjetër ajo është e këtjjetshme, e larë në bukurinë e dritës. Ndërkaq, në kangjelen “DITËN E FUNDIT”, ajo lutet që i dashuri kurrë mos ta lërë vetëm, madje i përgjërohet: “…të më puthësh e stolisësh,/ të marrë vesh se si është gdhirë../Të m’i vësh vathët e bukur,/ dhe rruazat, zemër-o,/ byzylykun dhe unazën,/të më krehësh mos harro!/…mos harro, pasi të vdes,/ prapë do të bëjmë dashuri…” Tablloja e mrekullueshme e një dashurie të gjithjetshme: nusja i lutet të dashurit që njëlloj ta stolisë e ta dashurojë edhe ditën e fundit të jetës, ngaqë ajo e ka ndërmend të bëjë dashuri edhe pasi të ketë kapërcyer në të përjetmen. Është ëndrra e moçme e njeriut për pavdekësinë: këtu dashuria, jeta dhe prapë dashuria pas mortit, janë kolonat që larësojnë artin monumental të Sofies.
 
EVA BIBLIKE DHE PASIONI I SAJ
 
Po kështu edhe edhe në vjershën “VARGJE SHPIRTI PËR ORFEUN”, poetja e shtyn heroinën lirike të kërkojë gjenezën e pleksjes së saj me Orfeun:“Qindra e qindra vjet më parë,/ më stolisën perënditë,/ më falën gjithë mirësitë,/më dërguan tek Orfeu,/ sa më pa, më rrëmbeu,/ unë, e vogël e plot zjarr,/ të ikja jo, nuk më thanë…” Është himnizimi i fajninë më të lashtë dhe më të re të njeriut dhe këndohet me pasionin e Evës biblike, kësaj stërgjyshjeje të lashtë, që i solli njerëzimit lulen e parë të gjithjetësisë.
Po kaq monumentale janë edhe poezitë “TI ORFE KU JE” (“Tani s‘kam më as nallane,/ shih fustani copë e çikë,/ dhe për pak do të fillojë shiu,/ ti Orfe, ku je?”, që gdhend momente të delirta të Sibilës që shqiptohen te thirrja e përsëritur “ti Orfe, ku je?”), “PRAPË ORFEUN”. “PLAGË E PARË ORFE” dhe veçan kangjelja “M’I GJEJ SYTË, ORFE” (“Euridikë,/ na gënjeu të dyjave Orfeu,/ ty të pa në sy që të vdisje, /mua s’m’i gjeti dot sytë…/Ishte i bukur Orfeu,/ më zhyste në nëntë detet e tij,/…Ishte magjik Orfeu…/Kur ty të helmoi nepërka, /helmin e Orfeut vodhi,/ kurse mua më helmoi Orfeu, /ndaj nepërka… ngordhi…”, që me kaq skofiaritet sublimon dashurinë, që, megjithatë, në thelb ka bukurinë tragjike. Dashuria në këtë poezi, pa dyshim, kapërcen kufijtë e miti.)
Kangjelet “NË TË SJELLTË RRUGA, ORFE”, “VËSHTRIMI I OFEUT”, “SIBILA QAN ORFEUN”, “NËN TYLIN E EGJEUT”(“ Po nisesh/ i dashur për në dasmën tonë,/ verën e kuqe të natës të pish,/ në të rrëshqas, të lutem, shtrëngomë,/ të pres, me patjetër të vish!”…) si dhe poezia përmbyllëse “ODE DASHURIE” janë pa dyshim kurorë e këtij boshti motivor. Vargjet e fundit të kësaj kangjeleje më së miri e dëshmojnë këtë: “…Se.. keni pirë me kupën e Zotit,/ verën më të moçme, më të zjarrtë,/ më vonë… ka ardhur Khajami,/ i dhamë dhe atij nga gotë e artë…” Të shtojmë se në poezitë e këtij boshti motivor, me heroinën lirike, që thërret Orfeun në pyllin e zjarrtë për të shumëzuar fytyrën e jetës, pas së cilës vetë ajo do të ngjitet tek yjet, poetja tejkalon vetveten dhe mbase edhe krejt diadonian e deritashme filozofiko-lirike të poezisë shqipe. Këtu, mbi të gjitha, monumentalizohet zëri i gruas që e di misionin e vet të jetëdhënëses, prandaj e ka të mbushur zemrën me kaq dritë.
 
 
Sofia Doko Arapaj
 
FËMIJËRIA, MEÇURIA PROVERBIALE DHE SENTENCA
 
Motivi i fëmijërisë merr dritë veçan te kangjelet “XIXËLLONJA”, “O VAJZË E VIRGJËR KU JE” dhe sidomos te poezia“KUKULLAT”, ku me ngjyra më të gjalla pikturohet loja e peizazhit të papërsëritshëm të moshës miturake: “Bëjmë dy kukulla prej lecke,/ dhëndrin ti dhe nusen unë…/ eja, t’u bëjmë dyshek prej kashte,/ dhe jastëk t’i vëmë në gjumë…/Nusja ngjan tamam si unë,/ buzë të bukura si qershi,/ dhëndri i urtë, por… çapkën/ ngjan të them tamam si ti…” Këtu Sofia vizaton fëmijërinë e të gjithë brezave dhe të të gjitha vendeve.
Ndërkaq, motivi i mëmëdheut në poezinë e Sofies të kujton zërin që jehon larg si një himn plot mall, dritë e shpresë. Është zëri i ringjalljes së zemrës së mërguar, që një ditë do të kthehet në mëmëdhe më e qashtër dhe më e gjallë se kurrë. Është zëri i urtësisë apostulike, që kërkon në këtë botë ngushëllimin te rrënja e vet. Kjo është kurora semantike e këtyre kangjeleve.
Më antlogjikja e këtij cili është pa dyshim “KABAJA ME KLARINETË”: “Si pasqyrë në mijëra copë/ u përplasa sot përdhe,/në çdo copë një pikë loti, / malli im për ty atdhe,…” Thyerja në mijëra copë si pasqyra, shndërrimi në pika loti nga malli i atdheut dhe sirësh ringjallja nga kabaja e tokës mëmë, janë tabllot drithëruese plot mall e dashuri që fshihen pas çdo vargu të kësaj kangjeleje. Me pak vargje, Sofia ia del mrekullueshëm të shqiptojnë dashurinë për vendlindjen dhe të përmbush semantikën.
Në poezinë “DY PIKA LOT” (“Një valle vllahe dua të kërcej,/valle që s’ngjan me asnjë në botë,/ të çlirohem krejtësisht prej tingujve të tjerë, /më falni, më rrëshqitën,dy pika lot…), poetja, me nje thjeshtësi që e karakterizon bukuria kulmore, rinngjallë me art e finesë kujtimin për këngën e vendlindjes së saj dhe në sfond ngjallë të plotë Shqipërinë e bukur. Në universin, që e përbëjnë pak mozaikë vargjesh, poetja na jep të plot peizazhin nostalgjik të atdheut. Vargjet e kësaj poezie i ndriçon përbrenda malli, mençuria proverbiale dhe sentenca filozofike.
Po me këtë fuqi shprehëse, po me këtë nostalgji për mëmëdheun dhe po me këtë bukuri metaforike janë edhe poezitë “LUTJE E MBESËS SË ARMENIT”, “FSHATI IM” ( në këtë vjershë pikturohet fshati ynë jugor me thjeshtësinë e bukurinë bukolike duke u mbështjell e gjitha me mallin në sfondin e së kaluarës, ku bukuria e kangjeles buron nga brenda, madje na duket sikur i heq vellon vetë çupërisë së autores) , “DO TË VIJ, SHTËPIA IME”, “STOLIT JESHIL”, “ATDHE”, “UNË, VLLAHJA E VOGËL” dhe veçanërisht kangjelja kurorë e këtij motivi “NJË KRYQ PREJ DRURI”: “…Nuk shoh as nënë, as babë,/ as fshatin, as shtëpinë,/…Shoh veç një kryq prej druri,/ që thërret emrin tim!” Të rralla janë poezitë, jo vetëm në gjuhën tonë, ku me një theshtësi kaq madhështore të jetë shqiptuar malli dhe dëshira për t’u prehur në tokën mëmë.
Mërgimin dhe mallin e mërgimtarit, motiv aq i shpeshtë dhe aq i moçëm në poezinë shqipe (ndoshta rrënjët duhet kërkuar përtej këngëve të Urës së Qabesë, që njiheshin si këngët e mërgimit ushtarak), poetja jonë e shqipton me zërin vetjak e origjinal, duke i dhënë vulën e mëvetësishme të një shpirti të kreshpëruar. Këtë bosht motivor e emblematizojnë poezitë “BUZËQESHJA E SIZIFES”, “LULJA E MËRGUAR”, “DJEM SHQIPTARË” dhe veçan kangjelja “NË PEMË TË HUAJ”, ku vetëm në dy vargjet sentenciale “Veç këndoj në pemë të huaj,/ merr një gur e më qëllon…” është kondensuar gjithë koncepti filozofiko-poetik i mërgimit.
Për kangjelet me motive ekzistenciale, Sofia ka rrëmuar që nga përvoja e mitit e deri te filozofia më e re për të ndërtuar universin e lirisë, të burgut, të lumturisë, të mynxyrës e të paqes së shpirtit njerëzor. Kjo veçan dëshmon prirjen e poetes sonë për ta gjurmuar të bukurën e optimisten dhe për ta kultivuar e për ta mbëltuar në kangjelen e saj.
Si më rrezëlluesen e këtij motivi do të kisha veçuar poezinë “PËLLUMBESHA”, ku daidonia e tërësishme ndertohet nga tri metafora: pëllumbesha (pafajnia), antiteza e bardhë- e zezë dhe nga vetë qenia e pëllumbeshës, e veshur me farfuritjen e përjetshme të dashurisë.
Degëzat e tjera motivore të këtij libri, ndonëse duket se shenjojnë njëfarë mëvetësie, s’janë më shumë se rrëkeza që fuqizojnë boshtin filozofik të thyerjes së kufirit jetë-vdekje, për t’i kthyer diellin mbretërisë së gjithëjetshme të dashurisë.
Duke mbyllur këtë dorëshkrim, m’u duk se gjatë gjithë leximit kisha dëgjuar tingujt e butë të pektisit pellazgjik, veçse të shqiptuara me gjuhën moderne të Sofies sonë. Kjo kish sublimuar në vargje lirën e shpirtrave të miliona grave të etnisë për të monumentalizuar dashurinë, ndarjen, mynxyrën, nostalgjinë dhe ngadhënjimin mbi mortin. Sofia pa dyshim është e do të mbetet një nga zërat më të qashtër dhe më të thellë të poezisë sonë të re.
 
 
 

Rushit Ramabaja

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s