Poezi nga Astrit Lulaj
MË E BUKUR JE
Mos u ligështo kur të ndajnë në pjesë,
pjesët në pjesëza, grimca, thërrime.
Që të mos lëndohesh, i bashkoj, i mbledh,
në fund ti del më e bukura e stinëve.
Në gjethe të ndan vjeshta e pamëshirë,
të zbehtë ta shoh fytyrën, sytë pa rreze drite,
kur i bashkoj gjethet, më del një mozaik,
ku ti shfaqesh më e bukur nga ç’ishe…
Të ndan në copa akujsh dimri i acartë,
më ngjall me ftohtësinë, oh, ç’ndjenjë frike!
Gjithë frymën time t’avullt, unë e drejtoj lartë,
mes shirash me ylber, je më e bukur nga ç’ishe.
Pranverës vjen me ngjyra, por tepër e shpërndarë,
tejemban gjelbërimit, lule bukurie,
unë dal i mbledh që herët, në vesën e parë,
në kurorën time je më e bukur nga ç’ishe.
Në qindra pulëbardha të ndan verë e nxehtë,
arratisen deteve, qiejve, kaltërsive.
Mbrëmjeve me yje, unë nën hënë i mbledh,
më shfaqesh ti ndërkohë më e bukur nga ç’ishe.
Them se të lëndojnë kur të ndajnë në pjesë,
në qindra pulëbardha, lule, akuj, gjethe,
e pandarë, ti jetë përçon dhe kur buzëqesh,
më e bukur nga ç’ishe, veç kështu ti je.
Poezi finaliste në konkursin poetik “Alternativa 2020”