Martha Rivera Garrido
Kalendari poetik: Martha Rivera-Garrido 19 janar 1961
Nesër, më 19 janar, mbush 60 Martha Rivera, shkrimtare e njohur nga Republika Domenikane. Njihej vetëm si poete para se të botonte romanin e saj të parë “He Olvidado tu Nombre” (Ta Kam Harruar Emrin). Në web njihet më tepër prej poezisë “Mos u dashuro me…”, që qarkullon në rrjet pa emër përkthyesi dha aq më keq, pa emrin e poetes. E kam shqipëruar para nja 6-7 vitesh dhe s’e kam postuar më qysh atëhere:
MOS U DASHURO ME…
Mos u dashuro me një femër që lexon, një femër që ndjen tepër, me një femër që shkruan…
Mos u dashuro me një femër të shkolluar, magjistare, të dalldisur, të marrë.
Mos u dashuro me një femër që mendon, me një që di të kuptojë dhe,
për më tepër, është e aftë të fluturojë; me një femër që ka besim tek vetja.
Mos u dashuro me një femër që qan a qesh ndërsa bën dashuri, që di të shndërrojë shpirtin e saj në trup dhe sidomos me një femër që do poezinë (këto janë më të rrezikshmet), ose me një që rri gjysëm ore para një tablloje ose që nuk jeton dot pa muzikë.
Mos u dashuro me një femër të thellë, lozonjare, rebele, shpërthyese.
Mos të qëlloftë të dashurohesh me një të tillë.
Sepse kur dashurohesh me një të tillë, jeton me të ose jo, të do ajo ose jo, nga një femër e këtillë nuk mund të heqësh dorë.
Kurrë.
© shqipëroi Maksim Rakipaj