Poezi nga Bardhyl Londo
KUJTIM
Ti ike. E nxehur, e trishtuar.
Siç duket, the, s’ kemi gjë për të thënë.
Mbi filxhanin e kafes gjysmëpirë
i kuqi i buzëve si gjysmëhënë.
Tani në kafe hyj somnambul,
më dhemb gjithçka e s’ di ç’ më dhemb.
Mbi buzët e filxhanëve kafepirë
kërkoj gjysmëhënën e të kuqit tënd.