Poezi nga Sinan Vaka
VETMI
Hëna qiellore ngriti harkun e saj të artë,
Poeti u gremis te shfajësitë kohore të tij
Dhe ju fal penës me zjarrin e flashkur.
Ka dhimbje dhe shpirtra të lënduar në qiellin e lartë!
I pafajshëm u kthye cinik nga vetmia
Dhe kërkoi shpirtin e tij, tek ajo që e ka dashur .
LOTI
Sa kam etje nëpër buzë!
Tharm i ndarjes, s’ mundem dot
dhe po endem nëpër gurë
i zhuritur, lumi plot .
Veç burimin përmes syve
që rrjedh ndarjes vjet e vjet,
pres i etshëm … ja i valë,
shuan loti që të djeg.
Paguaj çmimin e dashurisë së humbur
Nuk ka arsye ta fal krimin e plakjes,
vetëm se, zemra pushtohet nga mëshira.
E dashur! Tek humbja juaj natyrisht kam faj,
te dashuria e ëndërruar më lodhin prapësira.
Tani paguaj çmimin e dhimbjes …
Sa kushton kujtesa!
Thonë se mosha të lodh shikimin,
por sytë e mi futen në thellësi të shpirtit
dhe në atë mbretëri mbresash të hershme
kam dyzet vjet që fshihem prapa flirtit.
Forma, ngjyra dhe hijeshi hyjnore,
gjithçka që lot memorjes për të ndjerë profumin
E trupit tënd edhe pse mungesa më duket mizore.
Era e mallit është ajo që më sjell gjumin.
Jeta që të imponohet shpesh lot me truket
dhe tretet heshtjes ajo çfarë zemra pranon.
Dhe ajo që pranon është pamja që nuk duket;
për ta ditur hyjneshë, brenda meje sa dashuri rron !