Anna Świrszczyńska
Kalendari poetik: Anna Świrszczyńska (1909-1984)
Sot, më 7 shkurt, mbushen 112 vite nga data e lindjes së A. Świrszczyńska, e njohur si Anna Swir. Ishte poete polake, dramaturge dhe autore e shumë librave për të rinj e fëmijë. E lindur në një familje artistësh, e kishte në gjak dashurinë për letërsinë dhe artet. Në Luftën II Botërore shërbeu si infermiere në radhët e rezistencës kundër nazizmit si dhe shkruante dhe shpërndante trakte; një herë priti një orë që ta pushkatonin gjermanët, por fatmirësisht nuk ndodhi. Përvoja e luftës, trupi i femrës dhe dashuria, janë temat kryesore të poezisë së saj. Ja një shqipërim nga poetja polake:
DASHURIA MË E MADHE
Ajo është gjashtëdhjetë. Jeton
dashurinë më të madhe të jetës.
Ecën për krahu me të dashurin,
flokët i valviten në erë.
Ai i thotë:
“Si perla i ke flokët.”
Fëmijët e saj thonë:
“Lajthiti plaka.”
© shqipëroi Maksim Rakipaj