Tregime nga Rudina Muharremi Beja

 
Tregime nga Rudina Muharremi Beja
 
 
Karroca e lumturisë
 
Për muaj me radhë kishte parë një grua me fytyrë të zbehtë e flokë të shkurtër në atë kthinë të trotuarit mbi një karrike me rrota. Përditë në të njëjtin vend dhe duart i mbante gjithmonë të lira për të shoqëruar të gjitha bisedat që bënte me kalimtarët. E ndeshte edhe kur thëllimi i dimrit prekte temperaturat nën zero, por edhe verës kur dielli ngrihej në zenit dhe përvëlonte me rrezet e zjarrta. Buzëqeshte gjithmonë, tregonte me fjalë dhe artikulime gjestesh e lumturohej sa herë që dikush ndalonte ta pyeste. Një ditë tek manovronte makinën dhe ndiqte pasqyrat vuri re sërish gruan që i bënte shenjë të ndalonte, pasi një tjetër makinë ishte në mbrritje. E çuditur por dhe me kureshtjen prej fëmije për të ditur më shumë, ndaloi më pranë saj atij mëngjesi gri dhe të ftohtë.
“Qëndronte në krah të farit të hekurt dhe për më tepër kaq herët.” – mendoi me veten.
Kjo e befasonte edhe më shumë.
Përreth ishte ende errësirë, ndërsa rënia e kambanës donte të zgjonte përhumbjen e qytetit. Vijoi ta vështronte. Ajo shfaqej e qeshur, me të njëjtëin rrëzëllim në shpirt dhe e gatshme për të folur. Instiktivisht me dorë kontrollonte frenin e karrocës që të mund të merrte dishesën nga çasti në çast, për të vijuar bisedën më pas me kalimtarët e rastit. Nuk arrinte të kuptonte nxitimin e saj.
– Zonjë, përse jeni në karriken me rrota, ç’ ju ka ndodhur e kishte pyetur drejtpërdrejtë, duke ulur menjëherë vështrimin disi e ndrojtur nga përgjigja që mund të merrte.
-Asgjë, i’ a kishte pritur ajo. E kam të pamundur të udhëtoj me këmbë, kështu bëj sa mundem. Këtu ka vija të bardha ku kalojnë fëmijë të pakujdeshëm që shkojnë në parkun përbri dhe u tregoj atyre kur është momenti i duhur për të kaluar, ose flas me njerëzit e zhgënjyer, të stresuar dhe zemëruar nga përditësia e tyre duke i lehtësuar sadopak.
U kujtoj përherë të mos harrojnë se trupi dhe shpirti janë unisoni i gjithë harmonisë së njeriut. Frika ime më e madhe është se njerëzit sot nuk po përpiqen më të jetojnë, por të mbijetojnë, duke vazhduar të heqin legjitimitetin e ndjenjave të brendshme e të zhvlerësojnë veten. Kështu misioni im është të kontriboj sadopak me një përpjekje të mirëfilltë në mbështetjen psikologjike dhe pse jo morale të gjithkujt.
Ajo ndjeu një përskuqje t’ i digjte fytyrën tërësisht turpëruese nga thellësia e vetes, për ankesat e kota dhe i’ u duk sikur po zgjohej prej një ëndrre të keqe. Për një çast sytë e gruas së magjepsur dhe ato buzë të uritura për dashuri ishin shndërruar në një burim i pashtershëm shprese përballë të cilave mbeteshe skllav i mirësisë dhe ëmbëlsisë që përçonin.
Kishte menduar se ajo grua ishte e vetme, e braktisur dhe me një handikap që s’e linte kurrë të largohej.
 
 
 
Takohemi në gjyq
 
Ngjiti shkallët e hapi me ngut të gjithë zarfat.
Duhet të kuptonte diçka, pasi gjuhën e dinte mjaft mirë. Në fakt ajo, jeshilja mbante një denoncim nga ana e zonjës, e cila akuzonte të shoqin për mosrespektim të kontratës dhe e urdhëronte atë me urgjencë të linte apartamentin.
Përpëliti sytë, hapi të tërë zarfet e tjerë që ishin njoftimpagesat e rregullta të qerave mujore. Disa të tjerë mbanin pagesat e rregullta të energjisë dhe gazit dhe njëra tregonte llogarinë bankare afër zeros…!
“Eh, rënkoi me vete, ç’ të kishte ajo zonjë, kush e kishte njoftuar për ardhjen time” – foli me vete pothuajse e dëshpëruar.
Më pas mendja i vajti tek zonja përballë, që kishte përshëndetur me kokë atë mëngjes e ndjeu shtrëngimin e ankthit të shtohej.
I shoqi erdhi rreth orës 14.30 dhe me sy të vocërruar prej habisë vështroi përqark.
-Ç’ farë ka ndodhur- pyeti tek vëzhgonte rrëmujën e letrave e valixhet ende plot.
-Asgjë, tha ajo, një zonjë erdhi këtu e me një mllef të paparë më tha të dal jashtë.
-Ah, ajo prapë, foli ai dhe lexoi denoncimin e saj.
E çmendur, foli – dhe u drejtua nga guzhina, ku kërkoi me sy diçka për të ngrënë. Është mërzitur me mua pasi kam futur në shtëpi dy shokë që ishin në vështirësi për një javë. Komshinjtë më spiunuan dhe kjo më paska denoncuar, teksa vijoi me një frymëmarrje të thellë, pasi ishte në dijeni të llogarisë së tij bankare.
Të nesërmen ajo mori atë letër në dorë dhe kërkoi një konfront me zonjën për t’i kërkuar asaj ndjesë dhe për t’i premtuar që nuk do të përsëriteshin më episode të tilla.
-Përjashtë – kishte bërtitur zonja dhe kishte përplasur portën sërish.
-Shihemi në gjyq thuaji tët shoqi!
Kam dëshmitarë dhe ju do të humbni!
Ajo u largua, pa krijuar asnjë debat më pas dhe sa doli në qytet kërkoi më shumë informacion.
Njëri prej ishkryetarëve të komunës ishte dhe avokat.
Ajo u drejtua për në zyrën e tij ndonëse një shi i ftohtë binte me rrebesh, ndërsa ai ishte çuditur nga mbërritja e saj e beftë,
pa takim paraprak, por e kishte pranuar gjithsesi.
-Ju lutem, kishte folur ajo pasi i kishte sqaruar çdo detaj të asaj se çfarë kishte ndodhur. Unë sapo kam ardhur dhe përballja e parë ishte me këtë zonjë. Ndoshta është një keqkuptim që nuk ka nevojë të shkojë në gjykatë.
Ai kishte hapur sytë dhe ishte përpjekur të mbyste një psherëtimë, ndonëse nuk kuptonte guximin e shfrenuar të zonjës.
-Më habit guximi i saj, pasi zonja ka mashtruar shtetin në lidhje me kontratat që ka me qiradhëniet dhe detyrimet që duhet të paguajë. Nëse ajo shkon në gjyq, jo vetëm që e humbet çështjen por do i kërkohet të paguajë dhe detyrimet që ka. Mendoj që është vetëm shantazh që ju të largoheni nga banesa.
Gjithësesi nëse ajo hap çështje, kjo është kartvizita dhe më telefono. Të garantoj që do të jem avokati juaj mbrojtës.
Zonja nuk u tërhoq dhe gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Bashkë me dëshmitaret akuzonte me mllef të shoqin për mosrespektim të kontratës…!
Eh!!!
Një javë më pas mori një telefonatë nga avokati, i cili e njoftoi se mund të qëndronin në shtëpi të qetë, madje duke paguar vetëm qeranë e deklaruar në kontratë.
-Komplimente, kishte shtuar ai. Ende pa zbritur këmbët në këtë qytet ti u drejtove për të drejtat e tua. Mësova shumë nga ju!
– Të gjithë mësojmë nga njëri – tjetri, tha ajo, jeta në emigrim nuk qenka festa që kishim imagjinuar, gjithësesi, meqë jemi këtu, le të vallëzojmë, dhe e kishte falenderuar.
Të nesërmen gjitonet e përshëndetën më me përzemërsi se zakonisht, ndërsa të trokiturat në derë dhe rëniet e shpeshta të ziles nuk u dëgjuan më.
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s