Poezi nga Fejzi Murati

 
Poezi nga Fejzi Murati
 
 
AJKUNA DHE TROJET
 
U thinje, Ajkunë,
U thinje!
Klithma jote: “T’u shkimtë drita ty o mori hanë!”
tundi themelet e bjeshkëve
shekuj me rradhë.
Malet ulnën kryet me nderim për dhimbjen tënde!
Dielli nuk ngrohu më si më parë.
 
Atje,
mbi varrin e Omerit poshtë një rrapi në Jutbinë,
zanat vajtojnë së bashku me ty
me kujen-vaj e vajin pa fund e pa cak.
Klithma jote
furtunë mbi shekujt, për Omerët e këtij trualli
të larë më lotë dhe gjak.
 
Tre mijë vjet pas teje,
vajtoi dhe Hekuba trimin Hektor atje në Trojën e largët,
rënë nën shpatën e Akilit
në duelin më të madh të historisë.
Edhe trojet e Trojës, si trojet tona,
u dogjën nën flakë.
u mbuluan prej zisë.
 
Shekujt udhëtojnë pa kthyer kryet pas, Ajkunë
por vaji yt,
është thikë për kohërat, gjer në eshtër!
Ajkunat e reja të kësaj toke martire,
vajtojnë për vrasje,
pabesi,
krime e genjeshtër…
 
Krime që s’po ndalen as dje e as sot…
Dhe malet ulin kryet
dhe bjeshkët derdhin lot!
 
U thinje, Ajkunë,
u thinje!
Vaji yt na ndjek pas ndër vite!
 
 
AROMAT
 
Nën këtë ditë shiu të lodhshëm
meditoj brenda strofullës sime të jetës së shkuar…
Përmes reve të errëta të shpërfytyruara ndër vite,
vjen fëmijëria,
e ndrydhur,
e deformuar.
 
Po çuditërisht,
aromat e atyre viteve që s’kthehen më,
më kanë ngelur në pentagramet e subkoshiencës…
Aroma e druve që digjen në vatrën e ngrohtë,
aroma marramendëse e flokëve te vajzës,
lagur nën shiun e verës.
 
Aroma e misrit të pjekur në prushin me dru lisi,
aroma e mushtit të rrushit në butet e fermentimit,
aroma e ugarit pas shiut në arë,
aroma e gjethit të posaçelur të mesprillit.
 
Dhe ngrijnë mendimet mes atyre viteve të largëta
kur djallëzia nuk njihej nga askush,
kur buka piqej me saç në ponicë balte
kur miqësia piqej si rrushi në gusht…
 
Ato aroma qe kanë brenda magjinë
tani s’mund të m’i sjellë askush!
 
 
 
NJË ÇAST MBI SUPIN TIM
 
Të lutem,
hesht një çast me kokën mbi supin tim
si koka e fëmijës mbi gjirin e nënës,
hesht një çast dhe më shiko në sy.
Vetëm një çast të heshtësh e dashur,
sa të dëgjoj zemrën
kur më flet për ty…
 
Një çast,
sa të dëgjoj melodinë e erës,
një çast,
sa të të shoh horizontin plot dritë,
një çast
që të ndjej aromat e pranverës,
sa të shoh diellin kur lindet çdo ditë…
Më ler edhe një çast,
ta shoh kur përëndon
një çast të shoh hënën dhe yjet natën vonë…
 
Një çast
sa të shoh kur gonxhja bëhet lule,
një çast
sa të shoh ëndrrën të bëhet realitet,
një çast sa të ndjej armën e jetës,
një çast të shoh dallgën,
mal mbi det.
 
Një çast,
vetëm një çast të kërkoj,
një çast sublim!
Me kokën mbështetur mbi supin tim!
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s