Poezi nga Nikolle Loka
Hallka, hallka, hallka!…
Hallka, hallka, hallka,
sa të terren sytë,
të drunjta, të gurta, të zjarrta,
të ëmbla, të idhta, të tharta…
Çfarë s’ta solli dita,
fati yt,
mos prit ta sjellë nata,
mos prit as nga qiejt,
kur ndër akullnaja
në shtigje të udhëve të gjata,
brenda muresh të larta,
bjerret shpirti yt.
Hallka, hallka, hallka,
në tri pranga të arta,
në tri pranga të ajrta…
Shëmben idhuj
Shëmben idhuj pa krena,
mbi tempuj,
rrënohen muguj!
Rrëzohen mure nga brenda,
ndër dyer
fluturojnë copa gurësh.
Horizont pylli i mbrëmjes,
s’duken drurët.
Nëpër muzg të kthjellet mendja,
s’mbin grurë, ku rritet egjra,
ndihemi unët.
Ma mirë laj duert!
U shemb nji mur nga themelet
mos thuej!
U shemb trau i nji kulle,
u shkim nji za,
laj duert!
S’asht kohë me qa,
por aty nuk ishim na
mos thuej!
E nëse jena në t’huejt,
çka kem me ba,
mos truj,
nuk rregullon gja!
Askand s’e ban me turp,
e pra mos u sill si kalama,
që s’di çka thuhet,
mos shuj,
ma mirë laj duert!
Ma mirë laj duert,
se vjen nji ditë
e shihen gjurmët.
Çadra
Çadra ngjan si një maskë e domosdoshme,
një maskë që blihet lirë në treg,
ta mbulon fytyrën dhe ta zbulon dorën,
shiun ta lëshon me pikatore,
dhe gjithë ajo lakuriqësi e bjerrje mjegulle,
me ujin përfundon në det…
Por ti mos e thuaj se nuk blihen ura,
se nuk thahen qiejt!
Mjegulla nuk gjuhet me gurë nëpër pasqyra,
as kur çadra të prishet,
dhe kur vranët të rri fytyra.
Kërko pra në njëmijë e një arsye,
në njëmijë e një mënyra,
një pergjigje të vetme!