VORRET E DALLËNDYSHES (15 – Vjet pa lirikun Frederik Rreshpja) / Nga: Mark Simoni

 
VORRET E DALLËNDYSHES
 
Kur, nëpër biseda flisja për ndonjë batutë a ngjarje të vogël që kisha me Frederikun, (Rreshpjen), shpesh njerëzit hapnin sytë dhe pyesnin:
– Pse, gjallë është?
Madje disa e dinin të një shekulli tjetër, mbase Rilindas.
Kjo lloj pyetje më intrigonte shpesh, dhe ma bënte Fredin të pakohë, të dalë prej gjitha kohrave. Kishte filluar të ishte i paharrueshëm, me atë dimensionin e njerëzve që janë përherë prezent ashtu si dhe mungojnë kurdoherë.
Qe 24 dhjetori i 2005 kur unë, i intriguar dhe nga pyetja “pse gjallë është?”, botova në gazetën “Koha Jonë”, shkrimin “Apostulli i poezisë Frederik Rreshpja”.
Ndër të tjera shkruaja se, Poeti Frederik Rreshpja zbret në vdekje dhe ngjitet në jetë sa herë të dojë, me atë kollajllekun e njeriut që zbret shkallët e tavernës poshtë pallatit të vet.
E mora gazetën dhe ia çova. Atëherë banonte në një dhomë me qera, në katin e parë të shtëpisë së Fred magjypit, pranë fotograf Rrelit dhe Veve Grup Hotel Peza. Frederiku i sëmurë, në brinjë dhe unë i ulur në kolltukun me susta të dala dhe beze të rrjepur. Ia lexova ngadalë shkrimin. Më kthente herë pas here, sepse ndalej e mendonte për ato që kisha shkruar dhe i iknin pjesët e tjera.
Kur mbarova, më tha t’ia jepja gazetën. Me lot në sy më puthi duart dhe më falenderoj me gjithë hakikat.
Të nesërmen, për kafen e mëngjesit me miqtë, Moikomi më pyeti se, çfarë kishte Frederiku që ishte lënduar prej meje. Ngrita supet. “Markun e kam dashtë fort, por nuk e di përse ka shkruar për mua në gazetë si për një njeri të vdekur, më ka ba të vdekun”.
Pasdite e qetësuam, ndërsa Fredi thoshte se Moikomi qe keqkuptuar.
Pas dy muajsh vdiq. E çuam ndër vorret e Rrmajit. Qemë me Moikomin dhe Myftar Gjanën.
Vorret e Rrmajit, ato vorre që i donte shumë, aq sa një herë Fredi më pati thënë, se kur kishte kaluar pranë tyre i ishte kujtuar vdekja. “Pata shumë uzdajë e shpresë, se do të vdisja këtë vjeshtë, por s’qe e thënë. S’më pëlqen dimri, nuk është i mirë për vdekje.”
Vorret e Rrmajit, ato vorre ku shkonte dikur dallëndyshja e Filip Shirokës, për të takuar prindërit e poetit, tani, dallëndyshe të tjera shkojnë dhe për Fred Rreshpjen e madh.
 
 Sot mbushen plot 15 vite që Liriku nuk është më.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s