Poezi nga Behare Daja Kasa
kohë e trishtë
këto ditë të ftofta,
një mysafir i paftuar
më viziton shpesh.
më hedh ca ethe,
ca zjarrmi
e endet kuturu
mbi kryet e mi.
me termometer në dorë
vjen kohë e pa kohë,
e shiun e etheve
e hedh si flokë bore.
kho-kho,
veç kollitje,
zjarrmi dhe jerm
sheh në sytë e tij.
vegimet e verdha
enden në sy,
mendje,
e prapë kthehen mbrapsht
e ngecin në fyt
si kafshatë që s’kapërdihet.
ujë…
– këlthas mes jermit.
një dorë mbi krye
më përmend…
…është dora jote…
ej, ti qershiza ime…
…me gjethe të gjelbra
e lule flokëbardha
që bleron pranverë më pranverë
e vjeshton vjeshtë më vjeshtë,
a s’më fal pak ëmbëlsi e buzëqeshje
nga kokërrzat e tua mishtake?
stinët e shpirtit e duan të kuqen tënde.
atje lart mbi degëza,
tek ma bën me sy,
më ndjell të të prek
e të të kafshoj
e të futem në mëkat
me kokërrzat e tua
të kuqe si flakë
e të ëmbla si mjaltë…
e pa fund të mëkatoj.
…zot mbama dorën
e mos më bëj pre të mëkatit të bardhë…
përgjumje
nuk lodhem
të të bëj për vete,
nuk mundohem.
unë të largoj,
ti më afrohesh,
më zgjat dorën,
më puth
e më ledhaton
me gishtërinjtë e shpirtit.
drithërimë këto duar,
ma mpijnë kurmin.
rrekem të iki,
por ti më ndjell,
më tërheq
e në thelb të zemrës
më bën vend.
…është ngrohtë atje…përgjumem…
Endje mes kohërave të trishta
Çdo ditë e më tepër endemi kohërave të trishta,
Ku ditët mezi tërheqin vetveten këmbëzvarrë,
Ku stinët ka kohë, që nuk ecin me ritmin e tyre,
Ku vjeshta e artë, kthehet në dimër të acartë.
Çdo ditë e më tepër endemi kohërave të trishta,
E mëngjeseve zgjohemi me ndjenjën e trishtimit në sy,
Ku vështrimet na ngrijnë në shtylla neonesh të mpita,
Atje ku lajmërimet e reja shtohen e shtohen pa mëshirë.
Kohërave të trishta endemi më tepër çdo ditë,
E me lot në sy, shohim tek na ikin të dashurit.
Mpaken shpirtrat, treten e bëhen hi,
E dhimbja kërruset nga pesha e lotit të vakët.