Poezi nga Gentjan Hasanas
***
…e kështu,
nga lëmosha e trotuarëve
që mblodha,
vendosa, t’iu ndez qirinj
të gjithë shenjtorëve,
braktisur.
Veç 1/3 e ”pagës”
ikte për vodka,
të gjallët
janë më pak
se vakëfet në fshatin tim.
Një dorë gruaje,
lule mbjell mes gërrmadhave:
Të ka dhënë një vajzë?!
Do të kesh dhe një princ!
Atëherë…
si fëmijë të vegjël
që dot s’durojnë djepin,
fillojnë ngrihen tempujt nga gurët kapicë.
Guri plas,
guri flet, guri admiron,
o Zot, o fis, o Gabriel, o dritë!
Gjithë sytë që kishte,
ishin për mua:
Dhe një bark që kam, për ty o Genttt
Zoti vetë,
ka mësuar lojen
”më do s’më do”,
duke flakur nga gonxhe qielli
hëna në çdo ballkon
Në fshatin tim
shtohen vakëfet me emra ”dielli”
dhe s’do të ketë kush
t’iu ndezë një qiri…
***
Sa herë këpucët lija te lumi
në të qarat e krokodilëve,
Dilte prej kallamave postieri,
qante me zë fëmije,
me çantë hëne mbi supe,
letra grash, me emra yjesh.
Të kujtohet ”askush”, miku im i vjetër,
të kujtohet ”asgjë”?
Kur thyheshin kufinjtë e mi
nga mitra e nënës, në mitrën e botës.
Gërshërët që presin kërthizën
e çdo ëndrre në lindje
dhe sërish,
në krahët e një gruaje më ke dorëzuar.
Herën tjetër,
ti askush do bëhesh Zoti im,
ti asgjëja do më bëhesh perëndi.
Dhe ajo botën e tretë,
do jetë gruaja që më dashuroi shumë.
***
Me zë gjethesh
pemët tregonin përrallen e dy shpirtrave,
ndërsa mua m’u duk
sikur ishim në mish.
Çuditshëm preknim trupat
prej një frike,
se pas mesnate
shuhej magjia dhe na shihnin lakuriq.
Pastaj m’u duk sikur
nxitimthi mblodhëm nëpër çanta,
rroba dhe sende që përdorin të atjeshmit;
çarcafët i gjetën disi rrëmujshëm,
dyshuan se aty dy njerëz kishin fjetur.
Më mire e di dhoma 6
që e gdhiu vetëm,
ndërsa në vatër drutë e prera
bënin figura gjeometrike njëra mbi tjetrën.
‘
‘Zotit të zjarrit” i falnin shpirtin
ndërsa hirin tonë
udhëve të tokës.