Poezi nga Hana Xhihani
U ÇAPITA
U çapita dhe unë me fytyrë dhimbje,
duke udhëtuar me një varkë të vjetër,
të grisja kohën që ikte e s’vinte,
orët e bardha të hidhja mbi letër!
U çapita dhe unë si të tjerë më tutje,
të gjeja një çakmak në rrugë,
të ndizja qirinj në mbrëmje plot lutje,
për një engjëll që kurrë s’u duk !
U çapita dhe unë në këtë jetë cigane,
fletët e reve të grisja mbi qiell,
këpucët shtrënguar këmbët m’i vranë,
ecja, ecja, për një rrugë me diell !
U çapita dhe unë me një shpresë,
enigmatike, me një shpirt mërguar,
jo, është herët në mendime të vdes,
mbi fletë jete ende pa numëruar!
***
Qielli m’u bë këngë në buzë,
Dielli plot rreze më i miri shok,
Yjet, hëna më e bukura muzë,
Galaktika grackë më ngriti fort!
***
S’do të lodhem duke vargëzuar
dashurinë e ëmbël për Ty.
S’do të mposhtem, e ke kuptuar,
se shpirti im në tëndin rri.
***
Nuk di si t’ pikturoj në ngjyra,
nuk di si t’ vizatoj në skicë,
mes qindra-mijëra … fytyrash,
ty të mbaj mbi flokë si karficë!