Mbrëmja më e bukur / Tregim nga Rudina Muharremi Beja

 
Tregim nga Rudina Muharremi Beja
 
 
Mbrëmja më e bukur
 
Mbrëmja binte ngadalë duke sjellë me vete një qetësi melankolike që vishte fasadat, por dhe vështrimin e përthyer para një vitrine të xhamtë në kërkim të ndonjë mundësie udhëtimi për të festuar njëzet vjetorin e martesës.
Dasma atëherë kishte qenë një shkulmim dhimbjeje në gjoks, plaga e së cilës nuk ishte shëruar asnjëherë.
Bëri ca hapa përpara, e foli:
-Hajde, s’ kemi para të bredhim nëpër botë. Nëse ke ndonjë ide më të thjeshtë ose përndryshe shkojmë e festojmë me njerëzit tanë.
Jam e sigurtë që ata do gëzohen dhe do të ndihen mirë për ne.
Ai e kishte parë me bisht të syrit pothuajse qortues duke eliminuar menjëherë atë obsion.
-Hej, e kishte shkundur nga krahët ai, a e kupton se kjo është jeta jonë, festa jonë dhe kishte kapërcyer pragun e portës së agjensisë së udhëtimeve pa u menduar dy herë.
Ajo e ndoqi pas pa bërë zë, ndërsa ai u afrua sportelit.
– Kërkojmë një mundësi udhëtimi dyjavor, për një çift që dëshiron të festojë njëzetvjetorin e martesës.
Zonja kishte vështruar me buzëqeshje duke përgëzuar e shfletuar me gishtat e hollë revistën ilustruese me mundësitë dhe ofertat mujore.
-Shtrenjtë, foli me zë të ulët ajo. Me kaq shumë para mund të ftojmë të tërë miqtë dhe familjarët tanë. Të bashkohemi e të gëzojmë, siç nuk gëzuam atëherë dhe kishte ulur kokën me një trishtim evident mbi fytyrë.
-Pikërisht!- foli ai. – Duhet të shkojmë vetëm. Duhet të mendosh më shumë për veten dhe për ne!
Zonja përballë kishte dhënë mendimin e saj modest për një “parajsë në tokë”, kështu e quante ajo, dhe shifrën përfundimtare natyrisht marramendëse.
Në rregull kishte thënë ai, ndërsa ajo përpëliste sytë e mendonte, se si do të mund të largohej prej punës kaq gjatë
Vajza e tyre në krah ishte 15-vjeçe dhe kishte këmbngulur që ai udhëtim të kryhej.
Sigurisht që do vish me ne- i tha i ati, këtë udhëtim e bëjmë edhe për ty.
– Për fëmijët ka tjetër organizim – kishte ndërhyrë zonja. Ata çdo ditë do të kenë eskursion, sport, teatër humor, dhe gara të ndryshme. S’ ka se si të mos shkosh. Kaq mjaftoi të ndizte entuziazmin që s’ u shua deri në momentin e nisjes.
Mbërritën natën pas shtatë orë udhëtimi me avion e një orë me autobus atyre viseve të panjohura. Vëreheshin vetëm format e harkuara të përthyerjes së natyrës nga erozioni i kohës.
-Sa bukur, kishin brofur turistët që udhëtonin me ta. Parajsë, magji!
Ç’ është kështu!
Zbritën të lodhur, por oqeani mërmërinte me gjuhë mistike këngën e natës ndërsa fëshfërimat e erës nëpër palma e bënin dhe më intesive mbrëmjen e tyre. Bota dukej sikur kishte hyrë e tëra në një kornizë …!
Pishinat e kristalta të ftonin çdo moment të kridheshe mes tyre, ndërsa përrreth mund të gjeje specialitete të zonës e pije të çdo lloji. Ishin përfshirë të gjitha në axhendën e tyre të udhëtimit.
E bija hyri shpejt në kontakt me dy shoqe, të cilat i njohu në fluturimin e tyre dhe shfaqej gjithnjë e më rrallë. Avitej herë – herë për të lexuar ngazëllimin në sytë e prindërve, qartësohej se po kënaqeshin e largohej me moshataret e veta.
S’kishin gëzuar kurrë pushime të qeta, prandaj donte të harrohej atij bregu të gjatë që ndiqte gjithë vijën e vështrimit e humbiste në horizont.
Pas kaq shumë vitesh ishte hera e parë që ata ishin çdo moment bashkë. Temperatura ishte gjithmonë kostante në të katër stinët, ndërsa rëra ruante gjurmët e tyre mes jehonës së valëve dhe puhizës së jodizuar të oqeanit.
Ditët ishin të bukura, mbushur me argëtime e gara të ndryshme, ndërsa mbrëmjet shndërroheshin në festë; vallëzime dhe këngë. Çdo moment kuptonte se i kishte munguar shumë kjo lloj paqe dhe donte ta shijonte deri në fund.
Ditët e përvjetorit po kalonin përmes garave ndërmjet turistëve të huaj, gjujtjeve me hark, not, volejboll dhe tenis. Në mbrëmje thërrisnin emrat e fituesve të ndryshëm dhe u jepnin në mënyrë modeste çertifikata e diploma .
Nuk u çudit aspak kur dëgjoi emrin e vajzës, si fituese e asaj dite në tenis. Duartokisnin dhe zhyteshin në festë e pije egzotike. Supriza më e bukur ishte kur pikërisht ditës së përvjetorit të martesës së tyre, kishin thirrur emrin e saj dhe më pas të bashkëshortit. Një shishe shampanjë nga organizuesit e asaj mbrëmje dhe të thirrurat për një puthje nga të pranishmit.
Pastaj një vals i ndjekur nga duartrokitje të gjata dhe vështrimin plot hare të vajzës. Ndërsa emocionet lundronin në atë shpirt të grishtë kuptoi se pas gjithë kësaj qëndronte e bija.
Ajo kishte qenë me ta në agjencinë e udhëtime, dhe kishte asistuar mëdyshjes së tyre, ndaj kishte organizuar gjithçka tinëz me ata që drejtonin veprimtaritë vetëm e vetëm t’ u falte prindërve të saj një përvjetor martese të paharrueshëm.
Vështroi vajzën e ndjeu se dashuria për të s’njihte kufi e cak dhe sakaq një pikë loti u shkëput nga sytë për t’u rrokullisur më pas faqes së brishtë.
Ishte mbrëmja më e bukur e jetës së saj.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s