Në kthetrat e frikës / Tregim nga Juljana Mehmeti

 
Juljana Mehmeti
 
 
Në kthetrat e frikës
 
“Fuqia jote ka origjinë në mendjen time, nëse unë nuk kam frikë, ti humbet fuqinë.”
(Seneca)
 
Autobuzi i orës 14-00 akoma nuk kish mbërritur. Në sheshin kryesor të fshatit M atë ditë kishte lëvizje të çuditshme, persona të çuditshëm që jo çdo ditë mund t’i shihje aty. Dukej si diçka kaotike që thyente rutinën dhe krijonte një mjedis të pazakontë. Studentët që prisnin autobuzin ishin përqëndruar në një cep, të tjerët që banonin në zonat përreth largoheshin në grupe drejt shtëpive të tyre. Dielli reflektonte me gjithë gjatësinë e rrezeve, por dhe me pasigurinë që buronte nga konfuzioni kohë. Ana vëzhgonte situatën përballë e me cep të syrit vuri re një djalë me trup të gjatë. Ai endej mes atij vështrimi të zbehtë dhe dukej sikur përpinte gjithçka. Kish dëgjuar shumë mbi veprimtaritë e tij, por deri në atë kohë nuk ishte përballur asnjëherë me të. Zakonisht femrat mundoheshin të mos kryqëzonin shikimin me këta lloj tipash ordinerë, të droguar e të armatosur, që pas grushtit të shtetit kishin mundur të dilnin nga burgjet, duke krijuar bandat e tyre dhe sjellur nëpër zonë si padronë. Beftas e përfshiu ankthi. Në fakt ishte më shumë se një frikë e përzier me një parandjenjë të keqe, që nga çasti në çast do shndërrohej në dramë dhe i dukej sikur e lëndonte. Fshehu sytë poshtë flokëve të gjatë me onde dhe një gjysmë hije mbuloi atë tis, që ngrihej pezull e depërtonte frikshëm brenda qenies. Të gjithë i kishin frikë ata djem, sidomos vajzat të cilat mundoheshin të mbroheshin duke kërkuar të shoqeroheshin nga dikush, i afërm apo mik i familjes që kishte të njohur të tjerë, pjestarë edhe ata të ndonjë tjetër grupi. Në atë periudhë nuk kishte më as njerëz me uniformë, as mbrojtës të rendit. Ishte njëlloj si në kohën e kaubojsve, të cilët në vrapin e tyre të çmendur linin pas shtëllunga të thata tymi dhe gjakun e përtharë të viktimës së radhës. Gjithçka funksiononte pa asnjë udhëzim shtetëror, ndaj secili duhej të mbrohej me mënyrën e tij. Dilej në mëngjes me shpresë të mos kryqëzoje ndonjë nga “ata” që të zinin rrugën në rastin më të parë për të ngacmuar, në shumë raste të tjera ndodhte dhe më keq, kishte dhunime, rrëmbime vajzash dhe humbje nëpër botën e diktuar nga paraja dhe skllavëria e trupit. U kruspullos rreth vetes dhe frymarrja u shndërrua në dihatje, ose në përgjim se çfarë do ndodhte nga sekonda në sekondë. Ata silleshin rrotull dhe dukeshin si gjahtarët në pritje të presë e tyre.
Ishte një atmosfere surreale, gjithçka përreth ish shkatërruar e bëhej një me verdhësinë e ditës. Shkollat të plaçkitura, autobuzë me xhama të thyer e njerëz që nga frika për të mos hyrë në konflikt me njerëz të rrezikshëm, shpesh bënin sikur nuk të njihnin e qëndronin të murosur përbrenda ankthit të tyre. Ditë që vagëllonin tise të errëta dhe diell i shndërruar në një copëz ndriçimi për të drejtuar fatin e momentit.
Ana vinte nga një qytezë tjetër dhe frekuentonte aty vitin e tretë të liceut. Ishte një vajzë që nuk kalonte pa rënë në sy. Flokë të gjatë që dallgëzonin supet dhe një vështrim i kristaltë që përthyente dritën e shpirtit. Mjaftonte një shkujdesje e vogël dhe një hapërim i dredhëzave të saj, që ajo të rrëmbente tërë vëmendjen. Ajo vinte nga jugu, nuk kishte të afërm dhe rreth të zgjeruar familjar, kështu që shpesh ndihej e shqetësuar dhe vërtitej si një vetmimtare përmes kësaj humbëtire.
Bashkë me të udhëtonin pak vajza të tjera, të cilat çuditërisht shfaqeshin para autobusit thuajse në sekondën e fundit. Ajri përreth bëhej dhe më i athët dhe nisja e autobusit ishtë si një psherëtimë e ngelur në këtë shesh, që nuk përshendeste udhëtimin e ditës por shfletonte dhe një ditë tjetër të ngelur pas. Çuditërisht ai motorr nuk po ndizej, që më pas ta zhvendoste larg prej këtu.
Ajo kuptoi menjëherë që diçka po ndodhte, pasi vuri re disa lëvizje para saj. Dy tipa që dikur i silleshin rrotull i kaluan para këmbëve duke folur diçka me zë të ulët. Qëndronte pranë mikeve të saj e profesorëve në pritje të nisjes së autobuzit duke kërkuar të mos binte në sy. Nga restoranti përballë u shfaq papritur i afërmi i shoqes së saj me të cilin banonte në të njëjten lagje. Ai përshëndeti nga larg dhe thirri në një cep kushërirën duke i pëshpëritur diçka në vesh e më pas u largua përseri. Kur Ela u kthye aty kishte një pamje të shqetësuar e me zë të ulët ju drejtua asaj.
-Në restorant ata tipat kanë përmendur emrin tënd. Nëse mundesh largohu prej këtej.
Anës i kaloi një rrëqethje në shpirt. Për momentin u çorientua. Vështroi përreth, por e kuptoi që s’mund të bëntë asnjë veprim më shumë. Tipat që i kishin ngulur sytë dhe që përveç neverisë mbillnin dhe frikë ishin vetëm disa hapa larg. Ishte më mirë të qëndronte tek grumbulli i njerëzve sesa ata ta ndiqnin pas në rrugicën pa asnjë kalimtar. U shtrëngua më fort, pas atij grupi të vogël i cili për momentin i përngjau me një oaz në mes të shkretëtirës Në fakt nga qyteti M, i vetmi autobus ishte ky që nisej në orën 14- 00. Nuk ishte një lojë që luhej në ato metrotë që ajo kishte parë nëpër filma, ku në sekondë ndërronte destinacion dhe humbiste në udhëtim. Ishte thjesht një shesh që mblidhte të njëjtat fytyra dhe tek tuk, sikurse sot afronte fytyra që rëndom ktheheshin në makth i përditësisë. Një dridhje e lehtë i përshkoi sërish trupin dhe pështjellimi në stomak që zakonisht i vinte edhe nga uria në atë orë të kaluar të drekës, u përzie me ankthin e asaj çfarë mund të ndodhte. Hodhi sytë përreth e nuk pa asnjë person të njohur. Autobuzi qëndronte para këmbëve pa lëvizur, ndërsa ajo priste me padurim të hapeshin dyert për t’u fshehur mes pasagjereve diku afër profesorëve. Nuk arriti as ti afrohej dyerve, kur papritur u gjend e rrethuar nga katër persona. Për një çast humbi në pasigurinë e krijuar dhe kur ngrit pak kokën, vështroi tinëz atë të tmerrshmin, në krah të djalit ezmer që kishte kërkuar ta ndalte me forcë pas mësimit në dalje të godinës së liceut. Një zverdhje në fytyrë dhe një gjendje e kobshme që i erri sytë. Nuk mund ta imagjinonte që ai do shfaqej i armatosur dhe me personin e frikshëm. Ende pa u shkëputur nga këto mendime u dëgjua zëri i çjerrë i personit të frikshëm. Për momentin ra një heshtje rënkuese dhe një gjysmë rreth i hapur në pritje të dramës së re që do shfaqej nga çasti në çast. Personazhi kryesor ishte ajo, e pambrojtur, si në atë udhëtim të përbotshëm ku e pafalshmja përndiqej pas nga hijet e demonëve.
-Të shohim pak sa trime je – u drejtua me ton kërcënues ai i frikshmi.
Ajo hodhi syt drejt autobuzit dhe pa që pothuajse të gjithë kishin hipur. Kishte mbetur e vetme dhe e rrethuar nga katër djemtë.
-Mos shiko kot nga autobuzi- vazhdoi zëri i vrazhdët. Nuk ke për të hipur sot pa pranuar të dalësh një shëtitje me këtë mikun tim që e ke refuzuar me fodullëkun tënd. Në të kundër do jetë më bukur. Do dalësh shëtitje me të katërt ne – dhe i hodhi një vështrim të egër shoferit që gati kishte ngrirë në timon. -Hë – si thua, përgjigju po apo jo?!
Me një fije zëri që i kishte mbetur dhe e trembur për vdekje, por dhe me idenë se autobuzi do nisej nga momenti në moment dhe ajo do ngelej e vetme hezitoi të përgjigjej për momentin. Pastaj mblodhi pak veten dhe me ton përbuzës tha: Jo!
Nuk dinte ç’farë e shtyti të guxonte atë përgjigje, por ishte e vetëdijshme që në të dyja rastet ajo do ishte e humbur.
Çfarë the? Nuk dëgjova mirë – ngriti zërin ai!
Pastaj ndjeu një goditje në këmbë, por ajo që e bezdisi më shumë ishte afrimi i fytyrës së tij dhe tërheqja e flokëve duke u zgërdhirë dhe shfaqur dhëmbët ngjyrë kafe e të errët. Thika afrohej dhe më shumë në lakun e qafës.
Frika tani tendoste çdo nerv të saj, krijonte dridhje trupi, ndërsa lëmshi i mbledhur në fyt e kish tjetërsuar të tërën. Në mendje uturinte zhurma e autobuzit gati për nisje, zhurmë që po e braktiste dhe e linte pas mes furtunës së lindur dhe dhembjes së përthyer gjer në asht. Pastaj një jehonë, një zë shprese që e thërriste dhe u bë më kumbues.
– Ana, Ana, ik nga aty. Zëri që thërriste nga larg u bë më i afërt, më i kthjellët. Ngriti kokën të shikonte se kush ishte ai. Ju duk si një zë i njohur familjar dhe një qetësi e lehtë i çliroi trupin. Vështroi më me ngulm për të parë se kush po e thërriste. Nga cepi i mbrapshëm i autobuzit arriti të dallonte xhupin jeshil të mikut të saj Arvin, që nxitonte të mbërrinte. Nuk kuptoi më asgjë, veçse djersë të ftohta i përshkuan ballin dhe një dihatje që luhatej mes shpresës. Rrethi i katër burrave u ngushtua, ndërsa zëri i mikut të saj bëhej dhë më i afërt. E mori thuajse në krahë Anën dhe e hipi në autobus, ndërsa shtynte me duar fytyrën e atij që deri para pak çastesh ishte shfaqur si i tmerrshmi.
-Nisu shofer -urdhëroi djali! Poshtë autobuzit dëgjoheshin të shara dhe kërcënime, ndërsa ai hapi xhamin e autobusit dhe ju drejtua atyre.
-Jam i sigurtë që nga nesër e tutje këta pasagjerë nuk do ua shikojnë më sytë. Do kthehem për ju – dhe mbylli xhamin sërish.
Shtëllunga tymi dhe zhurmë në atë rrugë të ngushtë, që largohej përherë e më shumë nga ai ankth dhe frikë që kishte mbisunduar.
-Të lutem mos qaj Ana- mundi ti thoshte ai për momentin, ndërsa e pëqafoi me dhembshuri. Nuk ka për të ndodhur më. Jam unë me ty.
Kujtimi i asaj i dite të frikshme kish filluar të zbehej nga vrulli i pranverës që sapo kishte hyrë, ndërsa ankthi i vjetër shfaqej në ndonjë natë të turbullt dhe humbiste më pas bashkë me trazimet e kohës.
 
@julja

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s