Poezi nga Ekrem Ajruli

 
Poezi nga Ekrem Ajruli
 
 
YLLI YT…!!!
 
Shkëlqen dritë e yllit tënd drejt ballit tim
Bën rrugëtim kozmik me miliona vite
Shkrep gazi yt mbi timin t’ngrisur vegim
Vjen me hap breshke ikën si feks drite
 
Një durim guri kalitet në timin kraharor
Ndaj s’më përkul dot asnjë fije pendese
Herë ndjej zjarrmi herë të ftohtën dëborë
T’pres buzagaz në timin ishull shprese
 
Prush kam brenda se m’përcëllon malli
Dhe s’kam si e shuaj as si t’ia bëj matjen
E përthith në lëkurë dhe në rrudha balli
S’më duhen minutat, për Ty kam dihatjen
 
Sa herë të kërkoj ti ikën larg e më larg
Në orët e vona kur m’përfshin tundimi
Ma thuaj një fjalë që ta shkrij në varg
Në syrin e përflakur të rrezëlloj galdimi
 
S’di sa rëndon pritja që m’djeg si eshkën
Unë s’u druaj ortekëve kur vinë si lubi
Le t’rëndoj malli si rëndon bora bjeshkën
Unë në shkekë balli mallëngjimin shkri.
 
 
S’DI SI T’IA BËJ…
 
Të kërkova kudo ndër kurora malesh
Se malli më djeg sa humbem mes yjesh
Larg e ndjej tënden aromë portokallesh
Dhe në qiellin pafund sikur ti të fshihesh
 
Në jeh t’këngës tënde unë vargun qëndisi
Se më përvëlon malli n’këtë verë ngujimi
Ëndrrat morën udhë në pafundësi ambisi
E në shtjekë balli më vuloset mallëngjimi
 
Natës i vjen fundi kur në shteg del dielli
Kujtimet enden si mjegullat mbi kreshta
N’sy përthyhet agrrezja dhe skuqet qielli
Unë të pres një jetë, aq sa jeton breshka
 
Shikimi im shtanget mbi tëndin portret
Dhe unë i dallëdisur s’di t’i jap emër
Vargu im pjalmohet nga buzëqeshja jote
S’di si t’ia bëj ndaj të puth me zemër
 
Mos thuaj u mplaka he t’u prefshin t’ligat
Mos ndjell prapësi në tënden faqehënë
Se gëzohet djalli lumturohen shtrigat
Mua më ngel në buzë puthja e padhënë.
 
 
GJUHA IME
 
Gjuha ime, gjuha shqipe
ron sa MALET…
gjuha ime shekullore është lumë
që në shekuj as nuk shteret
as nuk ndalet.
 
Gjuha ime, gjuha shqipe
është PERLË …
ndaj me ari kurrë nuk matet.
S’është gjuhë ogurzezë,
gjuhë gjarpri…
E ardhur natën tinëzisht!
pas Rodopeve nga Karpatet.
 
 
***
 
Vjen një ditë
kur t’mirat që ke bë
shkrihen si fjolla bore
Një gabim sa do i vogël
n’çast lartësohet si shtatore.
 
 
LAKEJTË LËPIJNË BUZËT …
 
Hungërimë çakejsh ndihet përtej malit
Një klithmë skifteri çanë kupën e qiellit
Gjëmojnë honet nga trokëllimë e kalit
Kalëron Vetullhëna tok me rrezet e diellit
 
Lakenjtë lëpijnë buzët deri në gjakim
Kur shfaqet buzëshega shtatin plot pashi
Sytë i picërrojnë shpirti u ndjen tundim
Shikim shurdhëmelaqesh përplot djallëzi
 
Jargëzime kërmijsh zvarriten si dhiare
Kur bie muzgu dhe udha s’ka të ndarë
Shpirtin seç ua deh zana hovardare
Namqorrëve t’rrjedhur mjeranëve gruarë
 
Jargavitje butakësh ndër sallone qyteti
Përulje neveritëse përballë eprorësh
Buzëqeshje verdhake në fytyrë laneti
Afsh shtazarak turfullimë hamshorësh
 
Betohen dyfytyrshëm në fjalë e moral
Dhe përvjelin gojën si krater vullkani
Lakoç përbythës mbeten sa t’jenë gjallë
Syqenëz gapërrues me shpirt bojëkatrani.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s