Poezi nga Mexhid Mehmeti

 
Poezi nga Mexhid Mehmeti
 
 
KREJT PËRRALLË
 
Herë – herë
Kur të shoh në ëndërr
Përtej përrallës
Kur të shoh
 
Edhe ëndrra
Më duket
Më shumë se ëndërr
Edhe përralla
Më shumë se përrallë
 
Mbi të gjitha Ti
Më përrallore
Krejt përrallë
Përrallë mbi përralla.
 
 
NOSTALGJI
 
gjthçka dukej qetë
në oborrin tonë të dikurshëm
 
qeni pushonte
para dyerve të hyrjes
kotej në rreze dielli
si ndonjë plak i shtyrë në moshë
 
maçoku mbi kulm shtëpie
matej të kërcente në murin e fqiut
 
gjyshja e lodhur pushonte
në krevatin e vjetër të kuzhinës
kurse gjyshi lexonte gazetë
nën hijen e arrës
që ndodhej në fund të oborrit
 
babai punonte kopshtin me shat
e nëna ujiste lulet që erëmonin
pranë pusit gati të shterrur
 
afër shtegut të kalldërmtë
sopata e ngulur n’cung
sikur i kalonte pushimet verore
 
vetëm unë i vogli
kërkoja diçka të humbur në kohë
diçka që nuk do të kthehej
asnjëherë
 
ende nuk i kisha mbushur
as të shtatat për të vijuar
klasën e parë të fillores.
 
 
MË TEPËR SE ANKTH
 
sapo hapa derën
një dem syçakërr
po bëhej gati
të mysyente
drejt meje
 
mos o zot
nuk isha në spanjë
as toreador nuk isha
nuk e kisha joshur
me shami të kuqe
demin që m’kanosej
aq papritur
 
as në ëndërr
se kisha parë toledon
toridën
 
por demi
ishte me të vërtetë
para pragut të derës
para meje
i xhindosur
syçakërr
gati për sulm
për t’më shpuar
tejpërtej me brirët
e tij të mprehtë
 
nuk pata kohë
as ta mbylli derën dhe…
ika
n’drejtim t’panjohur
vrapova e vrapova
i pamend
qorrsokakut të pafund
kalldërmit t’përbaltur
 
syçakërri dem
më ndiqte pas
me vrap
me turr
 
pastaj
ndjeva therrje
therrje të padurueshme
pas shpine –
në shpatulla
midis brinjësh
 
sa çel e mshel sytë
u gjenda
nën këmbët e demit t’çartur
symbyllur
brithyer e katandisur
vdekur i tëri
këmbekrye
 
as frymë nuk mund të merrja
as frymë…
 
o Zot
shpirti po më dilte
për një cigare
e për një gotë… ujë
 
desha të pushoj pastaj
i qetë
të bëj plane
për të ardhmen
ashtu shtrirë
si mos më keq
në pus llaçi
këmbekrye përbaltur
me hërrkamat kërcënuese
të demit syçakërr
që po qëndronte
si statujë pagane
mbi kokën time tuç
 
ankth apo diçka
më tepër se ankth
po përjetoja
mëngjesin e hershëm
ende pa arritur
ta hapja derën time
të ferrparajsës…
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s