Poezi nga Gladiola Jorbus

 
Poezi nga Gladiola Jorbus
 
 
Fluturat vdesin në diell
 
Diku larg,
në Hiperborean mistike
…fluturat vdesin në diell.
Nata është tretur në ëndrra.
E zbehtë dhe përbuzëse,
errësira fshihet në skutat e shpirtit,
ku flenë historitë me lule dhe zogj,
ku struken fjalët që heshtjen trazojnë.
Tempujt e përhimë ruajnë
lutjet e shenjta.
Zotit i falesh, zhytur në gjunjë.
Drita pllakos botën.
Nuk ka më natë.
Yjet kanë humbur.
… fluturat vdesin në diell.
Bulëza vese
fërgëllojnë në bebëzat e tyre.
Në sy u shfaqet një lot i fundmë,
që bie mbi petalet njëngjyrëshe
të violetave emblematike.
Dita nuk i ngjan më vetes.
As natës, jo.
Diku larg,
në Hiperborean mistike,
kruspullohet hëna
dhe brerorja e saj.
Nën agoni psherëtimash,
…fluturat vdesin në diell.
 
 
Përse deti po mban zi?!
 
Ëndrrat derdhen mbi romancën e hënës.
Metafora e dashurisë
shndrin mbrëmjen e përflakur.
Një copëz universi
gacullon në kalendarin e nostalgjisë.
Bardhësia e sferës qiellore
micëron errësirën, me pyetjen profane:
– Përse deti po mban zi?!
 
 
Dremis
 
Dremis mbi kraharorin tënd.
Numëroj thesaret e humbura:
rrënoja puthjesh të mbytura,
dashuri të shkokëluara
kundërmime përqafimesh,
psherëtima të gjata si nata e Kirunës.
Graviteti më shtyn në thellësi të zemrës sate.
Në kindat e prekjeve
gurgullojnë oazat,
përndizen flakët e ferrit,
kumbojnë tingujt e orkestrës hyjnore.
Gishtërinjtë i zhys në shkretëtirë
dhe emrin tënd e shkruaj me ujë mirazhesh.
 
 
Komodina e vjetër
 
Në komodinën e vjetër
fshihen zbrazëtitë, puthjet e ndaluara,
trillet, premtimet e tua.
Gumëzhitja vjen nga mendja ime,
si mbrëmjet e mjegulluara
ku qiellin e shquan,
në dritëhijet e neonëve të shëtitores.
Melankolia – statuja kokëfortë
që nuk dridhet para askujt.
Stolis skajet e ndjenjës,
kujtimet e pezullta,
lumturinë në miniaturë,
stuhinë e fjalëve të pashprehura.
Dhe narracioni vetmitar i syve,
psalt për ëndrrën, që na vodhi jetën.
 
 
Nëse retë do të qanin
 
Nëse retë do të qanin,
Era do të bënte dashuri me lotët.
Pluhuri do të shtrihej butë
Mbi lëkurën e kadifenjtë të trëndafilave.
 
Pemët do të vallëzonin nje tango të trishtë
mbi pistën e vallëzimit kozmik.
 
Nëse retë do të qanin
Dhe do të pëshpërisnin të panjohurën.
Nata do të zgjohej,
kurse dita do të flinte.
 
Hëna, agimi dhe perëndimi i diellit
Do të luanin me gishtërinjtë tanë.
Të ngjyer me ëndrrat
që shpojnë si gjemba
e djegin si zjarr.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s