TRËNDAFILE E BRISHTË / Poezi nga Sadik Bejko

 
Poezi nga Sadik Bejko
 
 
TRËNDAFILE E BRISHTË
 
Trëndafile e brishtë
Në hajatin e botëve hedhur.
Një shi bie e rrjedh bashkë me natën,
Dhe një vetmi e egër më zhvesh
Më bën shuall me hiçin.
 
Trëndafile e brishtë e hedhur
Botës përskaj m’u duke sot, Sulamith.
 
Në Barin ku jam, shiu lakohet butë
Mbi fletët e qelqeve, e më tej të gjetheve.
Dritat e Barit rrëmbushen
I veshin me lëkurë lotësh
Pikat që lëvaren nga strehët gjer në tokë.
Muzika mbush e ngjiz heshtjet,
Cek muret, gjethin, prillin e drurëve,
Për t’i asgjësuar në çast të gjitha
Dhe mua dhe shiun dhe natën.
 
Ti, trëndafil e qiri bashkë vizatuar
Në natë, trëndafil e qiri që digjet.
Vizioni yt shumëzohet në qelqet
Në pikat e shiut, në muret.
 
Nesër, nesër Sulamith… sonte
Vetëm pikat e shiut rendin e rendin.
Çlodhu sonte në natën tënde
Si në krahët e mi. Sot larg, në skajin e fundmë
Të litarit të natës. Në skajin e litarëve të shiut.
 
Nesër, nesër… Sulamith.
Neser ti, trëndafilja ime e dritës.
 
Nga libri “Këngë të Solomonit”, 2017

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s