Poezi nga Puntorie Muça Ziba

 
Poezi nga Puntorie Muça Ziba
 
 
TË VËZHGOJ VOGËLAK KOMBI IM
(Je bërë kallkan në djep të vogëlth…)
 
Kë ta fyej sot
kë ta pështyj
me thonjë gaforresh
kë ta grith,
ca janë bërë lepuj
e ca na mbeten
arinj dinjitar
të palatuar
të babëzitur,
dyst i shikojnë
shpatijet malit
për një rrisk froni
për aromë bajamesh
të pjekura.
Pluskojnë
strehët dydirekëshe,
varfanjaku i grymosur
merr arrati
përvidhet dhe platitet
nën strehë të huaj.
Kë ta fyej sot
kë ta pështyj,
me thonjë gaforresh
kë do ta grith,
ca janë bërë lepuj
ca arinj cirku.
Tërbohen përrenjtë
plasariten malet
ngujohen lypësit
dhe filizat dydirekëshe
dynden mbi dallgë oqeanesh.
 
Eh, ti bëhesh vogëlak
kombi im,
pa ëndrra gjumi
pa rituale.
 
 
DO TË IKI NGA KY QYTET
(Bukuria dhe shëmtia e këtij qyteti m’i shkul qerpikët e syve.)
 
Do të iki nga ky qytet si nizam i ngratë,
pa zbardhur mirë do të lë shaminë
e do të iki,
do t’ia mbath nga sytë-këmbët
s’do lë vend pa kërkuar një derë të hapur
atje ku lind e perëndon
përtej tatëpjetëzave dhe teposhtëzave
kudo, por jo këtu
ah, s’më merr gjumi mes sherre totemësh.
 
Në këtë qytet
bukuria dhe shëmtia m’i shkul qerpikët e syve
kur fryjnë erëra të zeza.
 
S’më hyjnë në kokërdhok sysh këto rrugë,
në daç besoni e në daç jo
në daç mē shkelni në gjurmë
në daç jo
në daç qani e shkulni flokët e kresë
në daç jo,
ah do marr arratinë
pa një leckë në shpirt.
 
Këtu s’mund të prekin sytë gjelbërosh
as kulla të mykura
mbush me minj e totem hamshor,
as gojë çaraveshur
që hanë goca njome për darkë,
as mozaikun kiç.
 
Qysh sonte do ta lë këtë qytet gojë kuçedër
ku shkrehen armët e nervi mbetet lënduar
bashkë me trajtën e figurës sentimentale pa pushtet.
 
Do ta marr n’sy botën plagëndezur
që s’e mba gjallë arsyeja
por vetëm ca fijëza shprese.
 
Në valixhe s’do të fus
as bohçe punuar në vegjë
nga një dorë nëne,
as miq fytyrë lëvere
as peliçen e bardhë me dantella nusërie
as muhabete të tjerrura pasdarkeve të gjata,
vetëm një grusht gurë
as të vegjël, as të mëdhenj s
a t’i vë një barrë valixhes me rrota
e mua tek-tuk le të më pikon ndonjë kokërr djerse.
 
Prej sonte do ta lë këtë qytet,
po deshën le të më ndëshkojnë
për braktisje pa leje
për mallkimin që do t’ua lë peng
tullë më tullë
për rivalin, për fajin dhe pafajësinë
për përrallat dhe mitet
për pështymën e hedhur mbi skulpturat kiç
për nokturnot
për barokun e rokokonë
që do t’ua vë flakën kalimthi.
 
Ah, sonte në mesnatë do ta lë këtë qytet
do kërkoj përtejdielli një dhomë për vete
por, po s’e gjeta
ah, po s’e gjeta
do të mbetem gjunjëzuar me përgjërim
para ndonjë altari,
derisa të thith edhe një flluskë ajri
derisa të vdes, kapur për një fije drite.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s