DIELL ME DHËMBË / Tregim nga Odise KOTE

 
Tregim nga Odise KOTE
 
 
DIELL ME DHËMBË
 
Rudi Dërmena shkrofëtiu. E rroku gjumi i dëborës. Dielli e kafshoi mu në damarë të qafës. U këput përdhe. Mbështetur trungut të borigës shkurtabiqe, trupi gjatosh i zuri prehje. Këmbët iu mblodhën galiç. Çiften mezi e shtyu mbi gjunjë. Të tjerët ishin matanë. Në grykë të psherëtimës. Ndiqnin dy derra të egër. Matanë, përtej, në hon të mjegullës ku të grinin erërat. Ai s’i përqafonte dot ato erëra. Ato shponin si gjëlpërëza. Doli në anën tjetër të faqes. Atje ku binte diell. Priti rreth një orë. Ose dy. Ankthpritje. Më pas e zu ëndrra. Ëndrra e gjumit të borës. Truri, nuk i kujtonte dot se prej sa kohe, nëpër skuta e labirinthe nuk kishte kaluar asnjë ëndërr tjetër. Madje as skelete apo karikatura të tyre. Mysafirja e paftuar, e rrethoi si një fill i gjakosur përreth qafës, aq fort sa që dy mushkritë e tymosura me blozë duhani s’do mjaftonin të ngopeshin me frymë. Ca minuta më pas, për çudi ëndrra e atij gjumi të papritur këndellej herë si flutur e herë si mushkonjë. Me flatra dhe pickuese. Ikte e vinte. Për vite me rradhë mrekullia e të mos bërit asgjë ia kishte rrumbullakosur jo veç gjymtyrët, por dhe mendimet. Shpesh ngadalësia e të menduarit ishte bërë padashur vazhdim i pafajshëm i një gjumi që projektonte ëndrra puplore, të lehta, pendestare. Ku ta dinte i gjori që me ngathtësinë e tij deformonte deri në zhbërje edhe aktin unikal të krijimit? Akte të tjerë, njëri pas tjetrit ishin flijuar më pas lehtësisht. E flijuar mund të cilësohej edhe mëria e asaj, asaj që kish nisur të ankohej në shtrat duke i pëshpëritur tinës në vesh: Po rrotullohu, mos fli gjithë natën, asnjë ndriçim, asnjë xixë s’xixëllon? Madje asnjë ëndërr nuk sheh? Qe aq delikate pëshpërima, aq e hajthme, me ca sy të mëdhenj e të qelqtë, që vështronin aq trishtë, sikur mezi ç’prisnin të mbusheshin me lotë. I ikur prej gjuetisë, aty, brinjës së malit, këputur e mbështetur në trung të borigës, mu brenda ëndrrës, zoti sikur i dërgoi thurima kurmesh të kokolepsura, të kapërthyera. Dhe zjarre e kurthe. Si paralajmërim. Doemos ndëshkime të zbritura gabimisht nga qielli në tokë. Fillimisht në ëndërr iu shfaqën rrathë bashkëqëndrorë. Ai vinte rrotull tyre, pa asnjë mundësi të vetme daljeje. Me vështirësi po i mbijetonte intervalit. Rrotull e rrotull. Sikur zinxhirë e vargonj, ventuza e ganxha të ngulura në mishra e tërhiqnin zhankth. Në pluhurin që ngrihej kishte dëgjuar një zë si mekje që ai nuk e përcaktoi dot prej nga vinte. Fjalët e thëna që u vërvitën padukshëm në ajër si litarë laku, qënkeshin më të zbehta se çehreja e meitit. Nuk kuptoi sa zgjati intervali, por kur hapi sytë, muzgu qe i trashë, blozë, që përzihej e shkrihej në mugëtirë. Mugëtirë e mpiksur me ajrin e lagësht si mellan shkrimi. Ca më tutje pylli i faqes së malit ngjau i lëshuar, pa gjymtyrë, krejt mospërfillës, plot njolla të zeza që treteshin në terr. U frik. Vetmia e mpiu. Tentoi të lëvizë, të ngrihej por trupi ishte shndërruar në materie pa kocka, masë unike, mish i tultë. Asgjë nuk mund të lëvizte përpara, përveç një mendimi të rastësishëm që tentoi të arratisej për të prekur dritat e qytetit. Nga nënvetëdija, llokoçitur nën rrokullima gurësh, duke prapsuar çdo ngasje tjetër, plasi në kokërdhokët e syrit pyetja: Kush është armiku? Edhe mbasvdekja me gjasë mund të mos ia rrëfejë asnjëherë sekretin. Shpresa e vetme mbetej zëri që sikur përgjonte nëpër zgavrat e honet e natës: Eja në ëndërr e kërko falje për plagët e mia! Mos ishte hakmarrja që e dërgoi për gjah me tjetrin që e kishte brakstisur?
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s