Poezi nga Albina Idrizi

 
Poezi nga Albina Idrizi
 
 
PA TITULL
 
Ishte një çast, ai
Kur deshta
Të tërhiqem në vete
Si një eklips i papritur
Në zenitin e frymëzimit mbarsë.
U mblodha
Copë-copë nga ti
Dhe lashë pas
Ofshamat gojëhapura
Si tetovazhe
Të klithmave pa zë.
Ktheva në gjymtyrë
Përkëdheljet rrugë-rrugë,
Prej atje ku takoheshin
Horizontet tona
Diku mes qafës dhe gjoksit,
Aty ku, dikur, mbinin
Fusha lulëkuqesh
Në vend të fjalëve.
Shikimet mora
Nga mesballi yt
Dhe i ktheva në sy,
Të thellë, të errët,
Si gropë malli
Që di të krijojë
Mungesa në prani.
Puthjet, ato më të dashurat
Nga nënvetulla yte,
I shkëputa dhe i ktheva
Në buzë
Me shijen e musht
Të një poezie të re.
Ishte një çast, ai
Kur ktheva të gjitha në vete
E nuk dita
Ç’të bëj
Me veten e tepruar.
 
 
O tingëllimë vendlindjeje!!!
Tërnovcit
 
Më vjen, përmallshëm, të të zgjas duart n’përqafim
Si degë pemësh, moskokëçarëse, andej kufiri,
Të davarit mjegullën e ligë të një trilli
Si pluhurin e viteve mbi një kartolinë.
 
Lagjeve tua të bredh, më vjen, skaj më skaj
Me puthje të trokas shtëpi më shtëpi,
Pastaj si fustan, t’i qepem malit përbri,
Në burim Klladaneci shikimin të laj.
 
Askund, askush, s’më njeh kaq gjatë sa Ti
Si bijë e Avniut, Sabit, Aliut, Rexhgashve,…
Gjithkah, gjitkush, shkurt Albinë më di.
 
Më vjen të të shtrëngoj fuqishëm në gji,
Si rrënjë pemësh, moskokëçarëse, thellë nën dhe,
M’linde të tillë që, më t’madhe se veten, t’kem dashuri.

One thought on “Poezi nga Albina Idrizi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s