Gabriela Mistral – Fjalën dhe shpirtin kemi në këtë botë / Nga: Gladiola Jorbus

 
Gabriela Mistral – Fjalën dhe shpirtin kemi në këtë botë
 
Gabriela Mistral, një nga poetet më të shquara në letërsinë kiliane dhe në krejt Amerikën Latine. Ajo konsiderohet si një pikë e rëndësishme referimi për poezinë femërore. Është hispano – amerikania e parë e vlerësuar me çmimin Nobel në letërsi në vitin 1945.
Lucila de María del Perpetuo Socorro Godoy Alcayaga, e njohur artistikisht si Gabriela Mistral, vendosi këtë pseudonim, në nder të poetëve të saj të preferuar; italiani Gabriele D’Annunzio dhe francezi Frederic Mistral.
Ajo konsiderohet si një nga krijueset më të rëndësishme të letërsisë së shekullit XX. Gabriela Mistral mbetet e vetmja penë femërore latino-amerikane e vlerësuar me Çmimin Nobel në Letërsi me motivimin: “Për lirikën e saj, të frymëzuar nga emocione të forta, të cilat e bënë emrin e saj një simbol të aspiratave idealiste të të gjithë botës Amerikano Latine”.
Vepra e Gabriela Mistral pasqyron temperamentin e saj të sinqertë, rebel dhe të ndjeshëm. Ajo luftoi kundër paragjykimeve shoqërore dhe mendonte se ishte detyrë e intelektualëve të kontribuonin në formimin e një shoqërie më të mirë dhe dinjitoze.
Nga pikëpamja fetare, ajo pranonte karmën budiste, fatalizmin e Islamit (fati është i pandryshueshëm), shpresën dhe vëllazërinë universale të krishtërimit, traditat indo-amerikane dhe disiplinën morale.
Mistral e konsideronte veten qytetare të botës, pa bërë asnjë dallim ndërmjet racave, feve, gjuhëve, besimeve, dallimeve gjeografike apo kufijve. Libri që shenjoi fëmijërinë e poetes ishte Bibla, të cilin e lexoi dhe e mësoi, aq sa konsiderohet si origjinë frymëzimi për shumë poezi të saj.
Gabriela besonte fort te rinia dhe tek ideja se e ardhmja e shoqërisë, një ditë do t’u përkiste pikërisht të rinjve. Nuk përdorte stoli dekorative, pasi mendonte se pasuria e vërtetë përbëhej nga vlerat etike, shpirtërore dhe intelektuale të personit.
Mistral luajti një rol të rëndësishëm në sistemet arsimore të Meksikës dhe të Kilit, mbante diploma nderi nga Universitetet e Firences e të Guatemalës dhe ishte shpallur anëtare nderi, në disa shoqëri kulturore në Kili, në Shtetet e Bashkuara, në Spanjë dhe në Kubë.
Nobeli i fituar nga Gabriela Mistral nënkuptonte jo vetëm njohjen në nivel botëror me veprën e saj poetike, por më gjerë, perceptimin mbi krijimtarinë artistike dhe shoqërore të gruas amerikano-latine.
Kjo e fundit ia kishte kushtuar jetën e saj, kulturës dhe luftës për të drejtat e njeriut. Në vitin 1932 nisi karrierën si konsulle. Ajo ishte gruaja e parë kiliane që shërbeu në këtë detyrë, fillimisht në Napoli, Itali; ndonëse nuk e ushtroi dot funksionin sepse u deklarua antifashiste. Për më tepër, Musolini nuk pranonte diplomate femra.
Në Evropën e shkatërruar nga dy luftëra botërore, poezia e Gabriela Mistral përfaqësonte perspektivën empatike, nga e cila problemet njerëzore mund të shiheshin si personale dhe zërin e gjallë të gruas që nuk hesht. Ndër temat qendrore të poezisë së saj renditen: natyra, tradhtia, dashuria, pikëllimi, udhëtimet dhe identiteti i Amerikës Latine, i formuar nga një përzierje e ndikimeve të amerikanëve autoktonë dhe evropianëve.
Poezitë e Gabriela Mistral karakterizohen nga emocione të forta dhe gjuha e drejtpërdrejtë. Ata gjithashtu ndikohen nga lëvizjet moderniste. Gabriela Mistral ishte e përfshirë dhe në çështjet socio-politike, ndaj emri i saj jehonte në gazetat kryesore të Kilit.
Ajo nuk u martua kurrë, por arriti të përmbushte pjesërisht dëshirën e saj për të qenë nënë, duke rritur nipin, Juan Miguel Godoy. Ai (Yin Yin, siç e quante ajo) u rrit pranë saj, duke e konsideruar si nënën e tij të vërtetë.
Ata jetuan rreth vitit 1940 në Brazil, ku ajo mbante pozicionin e konsulles, fillimisht në Niteroi dhe më vonë në Petropolis. Ishte një periudhë e lumtur, në të cilën Gabriela gëzonte shoqërinë e miqve të mirë, si Stefan Cvajg i cili asokohe, gjithashtu jetonte në Brazil. Poezia ishte zbulimi më i rëndësishëm në jetën e Gabriela Mistral. Përmes këtij zhanri, ajo arriti të pushtonte botën, të prekte zemrat, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në kulturën e Amerikës Latine. Gabriela Mistral mbetet një autore e cila jo vetëm që shkroi poezi plot intensitet dhe kuptim njerëzor, por dinte të shprehej përmes mendimit dhe veprimit.
Një moment historik, në poezinë kiliane dhe amerikano-latine është vulosur nga ‘Tala’ (botuar në 1938 në Buenos Aires), i konsideruar si një nga librat themelorë të Gabriela Mistral. Ajo vetë e konsideronte si më të rëndësishmin, sepse në faqet e tij përshkruhej rrënja e indo-amerikanëve.
Libër i shpirtit dhe i çështjeve trupore (bukë, kripë, ujë), mungesat, nata dhe halucinacionet; bota dhe qenia: ‘Dashuroj gjërat që kurrë nuk i kam pasur, me të tjerat që tashmë nuk i kam’.
‘Tala’ është libri i besimit, një libër i rikrijimit fetar të botës, i përmbushjes së devotshme të dhembjes, zbritjes dhe litanisë. Gjuha e përditshme shfaqet bisedore, duke ndërthurur elemente të ndryshme e duke tipizuar shkrimin unik, të ngarkuar me të vjetrën dhe të renë në temat e saj: arkaiken dhe kreolen, indigjenen dhe spanjollen. Vargu i apasionuar i G. Mistral, shpesh rezulton i ngjyrosur nga figura e fjalë të veçanta të saj dhe karakterizohet nga ngrohtësia e ndjenjës apo fuqia emocionale. Sidoqoftë, janë përvojat e dashurisë dhe të vdekjes ato që do të shënjonin shpirtin e Gabrielës. Ishte vetëm 20 vjeç, kur i dashuri i saj Romelio u vetëvra. Kjo përvojë la gjurmë të pashlyeshme tek ajo, nota ankthi dhe dhembjeje që më vonë do të shfaqeshin e pasqyroheshin në veprën e saj: ‘Unë do të të shtrij në tokën diellore /me ëmbëlsinë e nënës për fëmijën që fle, / dhe toka duhet të bëhet e butë si djepi / kur të presë trupin tënd prej fëmije të lënduar’.
 
Ndër veprat e saj përmendim:
 
‘Sonetet e vdekjes’(1915)
Shkretimi (1922)
Butësi
Retë e bardha: poezi dhe lutja e mësueses (1930)
Antologji (1941), përzgjedhje e autores
 
Jeta e poetes nobeliste u zhvillua midis letërsisë, mësimdhënies dhe karrierës diplomatike. Në sajë të kësaj të fundit, ajo ndërmori udhëtime të shumta dhe kaloi kohë në qytete të ndryshme evropiane, të Amerikës së Veriut dhe të Amerikës Latine, në të cilat botoi shumicën e veprave të saj. Mbylli sytë përgjithmonë më 10 janar 1957, në SH.B.A.
 
 

Nga: Gladiola Jorbus

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s