Cikël poetik nga Agron Shele

 

Cikël poetik nga Agron Shele

 

Ana…!

Sot është tjetër ditë
diçka më e madhe se mua,
tek shikoj,
se si ti bija ime
rritur në krahët e lirë të një peme
shquan përherë e më afër viset e mia të larguara,
veshur me pranverën e shpirtit
shpresës së nesërme
përherë dhe më të praruar!

(20 – vjetori i vajzës time, Ana)

 

Sytë e një nëne

Sytë e një nëne
nëpër mjergulll askush s’ mund ti shikojë
lotin kurrsesi
sepse ai s’ është pikë vese të shndrijë një lule
por lumë që përfshin
dhe mbledh përmes degëzimeve dallgët e shpirtit,
të gjitha bashkë
tek lindja e humbur
dhe ajo mes thinjave të mbjellura
belbëzimeve pa fund
e rrudhave të syrit
shikon botën e amshuar
për t’ u afruar sa me afër me të birin…!

 

Krishtlindje

Unë pashë sërish të njëjtin shesh
me të njëjtin zbukurim
një bredh të madh veshur farfurimë
aty ku njerëzit vallzonin dikur,
por sot vetëm drita që refketojnë
madhështisë së një rilindje
në fasada, që besojnë se duhet të festojë vegjëlia
ndoshta të lutet në heshtje
e këto Krishtlindje pa muzikë
të kalojnë si shenjë e atij përkujtimi
që mblidhet para *Grot Market
në festa të shfrenuara
ose vizita të befta
në pragun, që ndoshta dhe e kishin harruar!

Janë Krishtlindje
pa borë
e drera që humbasin në mugëtirën e natës
brirëve të dritëzuar në harkun e Hënës
rendjes së tyre
teksa njërëzit vrapojnë për dhuratën e shtrenjtë
ndërsa Shën Maria i shikon nga larg.

Janë Krishtlindjet!

 

Blasfemi

Përtejbotën e kapërceu vetëm Herkuli
me fuqinë e të madhit *Zeus,
por askush tjetër nuk e njohu,
si Aligeri, me formatet e zhubravitura të Virgjilit.
Ai ndezi veç një llambë
aq sa përshpirtja të shkonte nën dhe
e nënkatet të hapnin portat e harruara
jo të Orfeut që mbeti me lirën e tij atje
por të Beatriçes
që shembi katakombet e nëndheshme
e u ngrit në *Angel
si formë e të gjitha këngëve në mërmërimë
për atë, që rrathët e ferrit të mund të fshiheshin e të shndërroheshin në orbita kozmike
kufijve të një bote që rend, e s’ njeh mëshirë.

Fatalitet pës Shekspirin,
kur tha:
se djatë e kanë braktisur Ferrin dhe të tërë i kemi mbi tokë
në trajta të shfrormësuara
kostumeve të ndritshme, në ballo që shuajnë më shumë se 1000- qirinj
e masonë në iluminatë të trazuar
shuajnë shandanët,
tek fshihen
e dridhen para madhështisë Magdalenë.

Ajo kupë qiellore
që ngrihet përmbi urnat e eshtrave të tokës
nuk është vegim,
as pëpjekje për të arritur gjer tek një psalm,
por duar të kryqëzuara blasfemisë
dhe orakuj që shemben para një kryqi të thyer.

 

Dua…!

Kur të vdes dua
atje mes atyre shkrepave të fle
mallit që veç ai lis e di
dhe hapat e fëmijësë time i ndjeu
tek vraponin
bregut për të kalëruar frerët e erës
dhe thirrmat brigjeve
që kurrë si kuptova atëherë,
por sot ndoshta më thërrasin
të kthehem
e ti përshedes me duart e vogla,
kur shkruaja epigrame në dërrasa gurësh
e pllaka që ndoshta i ruajnë të vjetrat kuptime.

Unë jetova,
ndoshta, më shumë se sa duhet
ose lisi ku gjoni këndon netëve më kërkon
atje poshtë atij shullazi ku pres të flijohem
e më poshtë lugina vërshon lumin e turbullt
ndërsa mali buron ujin e borës së shkrirë
dhe era fërshellen
hungërimave të ujqërve në *Fushëbardhë
dhe trokthin e kuajve, që zbathin patkonjtë në *Sheshkalor
lodhjes time
mundimit nëpër botë
përvuajtjes, që kurrë nuk më dha amshim
por paqen e përkorë
ngelur shkëmbit ku flladit një dafinë

Unë jam kthyer
jam aty fshati im i vogël
ëndrrave që ti mi plotësove
e më rrite, si dije ti
mes librave të verdhë
e ndaluar kuptimeve të jetës
sosur sot gjer në dhembshuri.

Unë jam faqja jote e pëzhitur nga dielli i nxehtë
por dhe bora e rënur butë se mos të lëndoj
kresës tënde që nis me të parët e mi
e qefin i bardhë
i brezave që i ndjek frymës në amshim.

Më prano sikurse jam
bëmë një vend me babain e humbur nëpër dimra kur isha ende foshnjërak
ose amshim një me dajon tim
ca më shumë nipit tim që e merrja lugjeve nga pas
ai trup e shpirt i lidhur dhe flakur nëpër dallgë
e unë paqe, e ardhur nga frymëzimi i tij
e ashtu nëpër kohë
mbetemi njësoj
rrebelim mbi falangat e shkuara
bekim i një bote që na solli për pakës dritë.

 

Përjetë atje

Vendi im
ti më rrite mundimeve të tua,
kur netëve qëndroja në një kodrinë
sa e vogël, aq sa për të parë një copë qiell
por sa e madhe, për të ardhur qark avionëve fluturim
portale dhe metro të kryeqyteteve të botës
dhe prapë i njëjti shembëllim dhe yll
e njëjta lartësi
që ndërtohej në parmakë të gurtë
dhe një ëndërr e madhe
për të rrëfyer atë që më fale ti.

I njëjti meditim
akoma më e vogël për t’ u krahasuar me ty
ndoshta episod i çasteve të tua
që më duhej të them atë që e kanë shkelur thundrat e egra
në vraga të harruara malesh
e fole të paprekshme, sepse askush s’ mund ta shkelë atë shkëmb,
atë humnerë gjithësesi
që gremiset thikë mijëra metra
dhe oshëtin ortekët në jehonë pa mbarim.

Janë të njëjtët bredha
dhe ca filiza rishtas të shtuar
kodrinës më poshtë,
tek i shikoj memories që zbresin zalleve të bardhë
ujërave të fshehur e mbrritur nën zhavor
për të prekur valën e lumit
të bashkohen me të
e ashtu shkumëzimit trazim nëpër hone
të rendin
paskohës që mua më mban përjetë atje.

 

Vetërrëfim

Duhej të përshkoja gjithë sheshin e Kishës
atje në Shënkoll,
ku nuk kishte më as stola dhe as prift,
por veç si fëmijë duhej të shikoja vendin e rrëfimit
dhe tek tuk trarëve shikoje ndonjë lakuriq nate të frikësuar,
ndërsa vendi poshtë ishte shndërruar në hangar,
depo e njeriut të ri proletar
zhveshur gjer në asht
thjesht marionetë e kohës makabre
dhe sakrificë e arritjeve në fushë të zezë.

Ironi e fatit
sepse sheshi përballë kundronte në tërfil të gjelbër
dhe qarri përkrah shtrinte krahët duke marrë me vete dhe një rrush të zi
që çuditërisht askush nuk e mblidhte
por vetëm ndjente zukatjen e zogjve
dhe ndonjë gjon që natën dëgjohej në psherëtime
dhe pleq të frikësuar
nga kjo braktisje gjer në hata.

Përroi vazhdonte me tutje
“Shkëmbi Merkës ishte greminë
mblidhte perritë jashtë konfuzionit dhe dialektikës së liderit
i cili në faqen përballë
mblidhte tërë fëmijët
të shkruanin parrullën
dhe pastaj për çdo vit
të zbardhte me gëlqere të zezën e shpirtit.

Malet qëndrojnë po njësoj
shkëmbinj të bardhë mbi shekujt stoli
ndërsa farfara e dishepujve të rremë
nuk arrinte gjer aty,
ndërsa sot
hapa për të kaluar përroin e Shkalleve
përkulur heshtur kishës së vjetët me memorie të arratisur
nëpër botë
por me shpirt e mendje atje
tek ai kryq i bekuar
që na fali dhe ndihu ne njerëzve të lirë.

 

Udhëtim i heshtur

Lundrojmë në varkë, detit plot stuhi
dhe dallojmë vështrimet që ndjekin nga bregu
të frikësuar për fatin që na shtyn
dallgëve të egra dhe të fryra në gjak
poshtë shekujve trazim
rrënjëve të çuditshme që na mbajnë pezm
rrotulluar satelitëve që shuhen në ajër
çastit të humnerës që ndan jetën nga vdekja
iluzionit të humbur.

Prapë endemi kuptimeve të përpjekjes në gjysma ëndrrash
valëve të zhubrosura së nesërmes
nën krifën e një kali që vrapon nëpër erë
jeleve në flegrat e ajrit
frenuar kapistallit që e tërheq
gjysëm linkthit të mbetur gjurmë
atij bregu ku flenë shkumëzimet
e teren syte e një circe.

Ec dhe shpengohu nga ky zgjim si në vegim
frymë dhe formë e të ethshmes errësirë,
si këngë e pafundme e asaj oshëtime që tërheq
përvuajtjes tonë
cakut më të fundit
të ardhjes me hapa foshnjorë
dhe mplakjes së thinjur nën fjolla bore.

 

Freedom!!!!!!!!!!!!!!!

Prehemi aty ku nis zanafilla
tek shkëmbi që ushqen diturinë me gjakun e Prometeut
ose *Havit të endur me pishtar në dorë për të mundur të përhimtin ari
përpjekjes për të harbuar në ato pyje të lashta
rrjedhave që blerojnë
dhe trupa gjallues të përkohshëm që do ngarkonin barkën e Noes
e do shëtitnin ujrave në kërkim të ujdhesës
përzgjedhur vetëm me dy çifte
ose Adamin dhe Evën
që kur të rrokullisnin gurët e shpresës do mbillnin jetë.

Jeta buroi natyrshmërisë botë
populloi çdo cep e anekënd natyrën
modelit të “Darvinit
tokën, detin dhe qiellin
mbushi dhe nënkatet me skelete që i ruan me skeptër *Hadi
por harroi të kryqëzonte djajtë
që i shikojmë përditë mbi tokë
dhe duan çdo gjë ta kthejnë në dhimbje dhe lot.

Atëhere detyra jonë mbetet një përfytyrim
hov i pëbindshëm pa fillim dhe fund
qartësi në një pasyqre të mjegulluar nga mendimet
arratisje nga trupi dhe shpirti.

Kryqet ngrihen dhe me lart
përndritin paslmin e ditës;
*Zot na ruaj nga mëkatet e përditësisë
*Zot na shpëto nga dhimbja i të qenurit asht dhe trup i sjellur prej turpit.

Gojët lëshojnë flakë
nuk nxjerrin më fajlët e arsyes
por ligështinë e nevojës së çastit
duke harruar gjenezën e krijimit.

Është hera e parë që më vjen të qesh,
lot e angshtim s’ kam më,
sepse shikoj turma të verbra
dhe skllevër që prangat i coptojnë zemërim ndër dhëmbë dhe prapë i zgatin duart për tu prangosur sërish
ndërsa ata,
ardhur nga asgjëkundi
lakuriqë dhe kavje të pështirosura
gishtin e kanë drejtuar tek djepi i lindjes
për të ardhur si fantazma
dhe zhdukur galerave të errëta të të tmerrshmit *Had!

S’ ka rëndësi si erdhë në këtë botë *Njeri
as si do shkosh në të përjetmen botë
por një çast të vetëm kujto;
erdhe si dhimbje dhe elegji
prandaj rrëzojë katakombet e ngritura
dhe bëhu *Engjëll i bardhë që u ngrite dhe vdiqe për Liri!!!!!!!!!!!!

 

Qiparisi im

Sa herë nis bora s’ di pse vij tek ty
ndoshta ne shkëmbejmë në heshtje historitë tona
të miat janë më se të thjeshta
pa bujë dhe zhurmë që ti të më dëgjosh
të tuat nuk i di,
por nga gjurmët që shikoj në trungun tënd mendoj se i kanë prekur shumë duar
janë lutur e falur shumë më tepër dashuri
gjer në përkuljen e kokës dhe një *Namaste
që ti e fsheh thellë gjer në shpirt.

Erdha prapë sot
ti e di që po nisën flollat e borës jam tek ty
shikoj dhe gjurmët e rendjes
jo të drerëve të erës se ata janë larg
veç dhimbjen që ndjemë ne të dy,
tek kreshpëon degët majës më të lartë
e shkund borën supeve që të strehohosh me shumë zogj
unë tronditem memories së heshtur
për njerëzit e mi që i dua pa kushte.

Qiparisi im,
nuk sosen kurrë odet dhe këngërt e përcjellura
edhe këtij ajri të ftohtë
që kurrë se zhveshe gëzimin në të gjelbër,
por degët prapë i fëshfërin,
ndërsa mua nuk më duhet më shumë se një përshëndetje kur vij,
përherë kuptimeve të pa folura;
ti në botën tënde dhe prehjens së dashurive të vjetra
unë i harruar prapë stolit tim.

Më duhet të ndez një cigare
dhe tymit të shikoj përshfaqjen e asaj që shkoi,
ndërsa trupin tënd do e vjedh
dhe me vete do e marr në të fundit prehje.

 

Parabolë

Është magji, si lindi shkrimi dhe nevoja për të thënë të pathënat…,
personifikim dhe epitet për të kapërcyer botën në mënyrën më madhështore
duke rrëfyer gjërat e humbura nga po vetë ne.
Inspirim i shkrirë një me vetë muzën që kërkon të veshë botën me ngjyrat dhe misterin jetë…,
apo një zanafillë që lindi,
si një arsye më tepër për të deshifruar botën e re.

Kam njohur njerëz, që se kanë parë kurrë detin,
por e kanë përshkruar përmes tablove më mirë se një detar!
Kam njohur njërëz të dëshpëruar,
por sytë e tyre ktheheshin në shkëndijë dhe zjarr,
sapo u thoje qoftë dhe një fjalë të vetme;
thelbin e mirësisë që na duhet ta mbjellim dhe ruajmë për çdo ditë si kristal.
Kam njohur njërëz që fshiheshin pas luksit të shfrenuar,
por zemra e tyre e gjorë ishte një guaskë guri,
që kurrë nuk falte dhe nuk e njohu dashurinë.
Kam njohur dhe marrëzinë
që udhëhiqte impulset dhe delirin e çmendur,
pa kurrëfarë kuptimi të rendjes së të qenurit .

Kjo parabolë e ekstremeve na bën të gjithë bashkëjetues, bashkëudhëtarë dhe ndoshta bashkëfajtorë që do udhëtojë me ne,
për aq sa varka e Noes nuk do përmbyset
dhe ne si grimca hapësire do endemi kaotizmit,
për të përjetuar të tjerëa *apokalipse
dhe për t’ u kthyer më pas në të tjera thërmija,
që nuk janë më shumë se shkëndija e epokave që na rrethon e pushton
për t’ u ricikluar nga e para,
si produkukt i të të ardhurit, mbijetesës dhe humbjes
në errëtinë e shekujve që do shënojnë të tjerë mijëvjeçarë.

 

Ngjyrat e kuqe
(Anton Pavlovich Chekhov)

Drita të kuqe nuk kishte në atë kohë
ndoshta qirinj të përzhitur
teksa fshihje trishtin e lotëve
dhe për besë rrëfeshe tek një bukuri e dhimbshme.

Imagjinoje hiret e heshtura
dhe një ofshamë që ty të bëte harrakat
ndoshta një bionde të mbushte dertin
e një ezmere të kthente prapë në shtrat.

Qirinjtë fikeshin me aromën e tyre
e ti shkriheshe bashkë me të
kurorës së mëshiruar që ty të plotësonte
për të rikthyer turmave që çmendeshin për çdo natë.

Si u riktheve në atë tren frigoriferësh
gjithë ai zjarr shëndërruar në akull
duar që dridheshin nga padija e urrejtjes
dhe shekuj që kurmin ta ngritën në qiej.

 

Bie shi!

Bie shi!
Një çadër nuk mjafton
cepat patjetër do derdhin dertin supeve
dhe mallëngjimi do preki dejet e asaj dhembje,
që lëvrin natës e largohehet mes gjëmimeve të memories
si përshpirtje e flokut nëpër erë
të drurëve të pyllit
që pëkundin degët e zhveshura
në pritje të një tjetër stine.

Fjalët nuk mjaftojnë
as një kafe atje në rrugën *Maria Teresa
sepse tashmë çdo gjë është e shkretë.
S’ ka më as tavolina që të bashkojë dy njerëz
ti ndajë kurrsesi
veç rendje në rrugën e boshatisur
dhe orare që duhet ti ndjekim online.

Bie shi!
Në fakt këtu është vendi i gjithë shkrirjes së reve
dhe diell shikon përherë e me pak.
Mund të fantazosh atë rebus qielli
me pamje dhe fytyrë të njëjtë
tek vallëzoje dikur
e rikthen sërish si e vetmja shëmbëlltyrë.

Tashmë çdo gjë ka shkuar me zogjtë
dhe rikthimi i tyre do jetë pa zë
thjesht do kthehen në foletë e tyre,
sikurse unë në qytezën time pas arratisë mes zhurmave pa fund
dhe me një kapërcim të thjeshtë
do kaloj të njëjtin shteg
me ylberët që ngrihen gjer në qiell
dhe urat që hapen për të rikthyer të fundit anije.

 

Afërditë
(motiv persian)

Ti s’ mund të jesh perëndi
as shëmbëlltyrë e Afëditës
që mëngjeset zgjon
dhe tjetër ditë lind në shpirt.

S’ mund të jesh as Engjëll
fshehur flokëve të borës që bien pa pushim
në vende të harruara
për të zbardhur shpirtin tim.

Ndoshta një sorkadhe e harbuar
tek vrapon lëndinës së ngrirë
dhe sytë larë në kristal
më kthejnë tek ai qiell që dikur shkrepëtinte yjet.

Ç’ farë mund të jesh më shumë se kaq
një bojë e shkruar me gërma gjaku
që prek një arterie në zemër
e çel një tëndafil të kuq në zjarr.

Nuk mund të dua më shumë se kaq
as një gotë verë më shumë,
që dedhet kurmit të një trupi
e humbet nëpër jetën psherëtimë.

Jam përherë atje
humbëtirës që do shkojë me liqenin e akullt
pa shpesët e bekuar
dhe cicërimat e tyre të humbura.

Por jam prapë në të njëjtin stol
dhe qiparisit që më qëndron përballë
si përpjekje që do prekë qiellin
dhe krenari e gjelbër që gjerbëron me da

 

Borë…!

Bora erdhi sërish
qëndron në brirë të sorkadheve
ashtu e bardhë
kristale pa fund
ndritur në ngjyra shpirti
dlirësi në thundra të mbetura
të një fryme që ndjek vazhdën
e kohës time
tek vrapoja e fërgëlloja thëllimit
atje në ato shkrepa të thekur,
ku bredhi tronditej ortekëve të rënur
e honet e gremisur gumëzhinin ujin që zhavoreve ngrinte.

Është dimër
liqenet akuallnizojnë
kanë humbur dhe krahët e shpesëve
në të tyren regëtimë
viseve të largëta
atje ku syri im nuk shikon
por ndjek gumëzhitjen e jetës
pasqyrimeve të fjollës që bie kaq lehtë
dhe vështrimit që përherë e përpin.

Bie borë
dhe këmbët e lagura mbledhin mbrothtësinë e vegjëlisë time
në një breg
ku ndoshta mesnata do mbledhë hungërimën e frikshme
që vjen nga larg
dhe kujton
se bota është kaq e vogël
dhe i bashkon të gjithë
me mënyrën e tyre
në pamjeve të reflektuara syrit të një Hëne
dhe mjegullisë që zgjohet nën qerpik.

Bie borë
si atëherë, kur shkopi trokëllinte memorien time
e më thoshte; ati yt humbi nëpër dimra
shkëmbit që çdo vijëzim ka një rrudhë
e çdo rrudhë ka një gjurmë përjetësie
të atij vrikthi
ngritur përmbi dhembje
sjellur kaq pranë,
si vegim
përshpirtjes së nesërme
rishfaqur sërish…!

 

Bashkëbisedim me Charles Baudelaire

Ti vjen përherë, po njësoj
herë si një hije e ngelur në murnajën e mendjes
dhe herë si çelje e lules së keqe,
që dhe pse përshfaqet ashtu në ngjyra të errëta
rrëfen madhështinë e tablos në një det
velë e bardhë avitur e zhdukur syve të përhumbur konfuzionit
ose zambak në liqen, përndritur mbi kurmin jetë
trup e shpirt i një dhimbje në përpjekje
djaj dhe Engjëj
në kupola, që zografët pikturuan me shekuj.

Jam i sigurtë se sytë e tu janë shtangur në të njëjtën kishë
me pamje të ndryshme
ti tek çmendeshe pas krifës së kuajve në tregun e kafshëve
dhe unë lëvizjes së madhe urbane, që qarkon po të njëjtin kryq
sheshit ku kalldrëmi përgjan me Dhëmbët e Kadmit
atyre shkronjave
belbëzime deri në frymën e fundit
si më i madhërishmi shpirt
lëngimit të fatit që nuk njohu paqe..!

Shënim: Sot isha në të njëjtën Kishë që shkonte Charles Baudelaire dhe ndeza një qiri për shpirtin e tij.

 

Dossier A…!
(Dajos tim të ekzekutuar nga regjimi komunist në moshën 21 – vjeç, viti 1946)

Triumfi i të keqes kish medalion të zi
të atyre që thyen degën e jetës
e shkëputën nga mali dhe menduan se e shkulën,
por harruan se rrënjët do harbonin dhe më shumë limfën e kërcellit të atij lastari që u kryqëzua me tela
dhe u flak buzë një lumi të përbindshëm
që kurrë nuk e fshehu
por e përkëdheli me valë,
si flladitja e erës ku dinë të zënë fill vetëm lartësitë
në shenja të reja
ngritur vrikthi mbi mjerimin
përzhitjes së zjarrit
që farkëtonte përvuajtje të reja
hekurit të përskuqur
në presa dhe forma të çmendura.

 

Hyjneshë!

Poshte shalëve të një kali kalon një mëz
që nesër në luftë do jetë i pari
ndoshta do kalërojë mbret e sulltan
të epikës moderne
fatit të njëjtë me ligje të egra
tek murosin nënën portave të besimit
dhe motrën e fshehin në tunika të errësirës.

Ata pëbetohen për lavdinë e humbur
dhe rendin marrëzisë së gjakut që e shprishën
në zakone dhe ligje që thyejnë natyrën
endacakë për gjak
dhe nënën që i solli e godasin me gurë.

O ti fatkeqësi që bota të solli
pjellë, që as krrimbat më nuk të pranojnë,
ti i lidhuri, që as veten tënde nuk e shikon
ngrysur dhe gdhirë prapë verbërisë,
se kupton pse bota lind nga gruaja
e ajo është pëmendore e jetës
zhytyr në mallkimin e saj që të ka falur
dhe zhdukur prapë greminave të *Hadit.

Toka dhe deti është pëmbysur
rrëmbimit dhe lakmisë për të pasur gjithçka,
aq sa sytë e përbindshëm harrojnë
barkun e asaj që i solli mes dhimbjesh
dhe shpërblim për qumështit që të dha
ka një mëri që kurrë se beson
ajo e skllavëruar gjer ne deje
dhe ti ngul heshtën në skëterrë.

E madhërishmja *Hyjneshë
prano faljen dhe përkuljen gjer në asht
endur me dhe pa sy
le të shkojnë djajtë e arratisur nga *Ferri,
ndërsa ti prapë shkëlqe si më e bukura dritë,
fshijë nga memoria kaviet e mbjellura
katakombet rrëzojë e kthejë në *Hi.

 

Ngjyra pa fund

Të thashë,
më ler ta kundroj këtë botë si di vetë
ta dëgjoj e prek me gishtat e mendjes time
të shikoj si Dielli lind
e ulet mbi kokën time,
por jo, s’ ishte e thënë
që kënga e ardhur nga lumi në vorbulla vallëzim
në shtatë shqisa
e kaos që bulërin
të shikojë atë përshfaqje
larë në të thellin det
e arkipelagut që hedh urat ngushtim
për të kapëcyer një botë
e mbrritur gjer atje.

Duke u endur misterit që sytë vetëm e imagjinuan
por kurrë nuk e panë
mbrrita në të njëjtën floknajë
derdhur ujvarë fytyrës së praruar
stërkala të bardha
oshëtimë që kthehet në fëshfërimë pyjesh
e mbëmje e zbritur nga sonatat më të bukura
në vezullim yjesh.

Përtej imazhit shikoj feksjen
në hapësira të pa shkelura më parë
por që udhëtojnë pafundësisht
përherë e më larg
trajtave blu
të kristalit shpirt
refleksiont të botës në ngjyra pa fund.

 

E kuqja farfurimë

Çohu nga nënkreast e trupit tënd të përkohshëm
dhe shiko më larg
shekujt e legjendave që të ngritën në *Hy
e të dhanë lavdinë e jetës
si përshfaqje e bukurisë që do shembje tempujt
e mbi gërmadha do ngriheshe madhështi
të asaj që u shkruajt në zanafillën e jetës
e do terej syve të çelur në agim.

S’ mund ta besosh
sa pak zgjat një angshtim i çastit
në momentet ku filtrat parakalojnë fragmentin film
të asaj që shkon në memorie të drithëruara ngjyrave të Hënës
ku një kurm jepet e digjet përvëlim
gjakut të shprishur
çmendurisë që do sjellë tjetër drithërimë.

Çohu pra,
hidhi flokët mbi fytyrë
të shikoj memorien trazim
dallgën dhe përvuajtjen e mbrujtur në argjilën e dhimbjes
tek merr forme
e ty të shfaq
si i pari yll në vegim.

Stepat në veri flenë mështenkave të bardha
poshtë fjollave borë që nuk kanë pushim,
veç gjurmë të humbura në këto truke orësh
dhe një dritëz që të ndjek ty si verbim.

Çohu pra
vishe fustanin që pikëron zjarr
e shndrije këtë univers, për aq sa je ti
dhe unë ndoshta do kuptoj se kjo botë ka një vlerë
gjakut të hidhur, helmit dashuri!

 

Elima!
(stërgjyshja ime)

U mblodhën rreth teje burra, që emri u kapëcente kohët dhe thinjat u mbulonin flokët,
por askush nuk e deshifroi dot kuptimin e të paktave fjalë që the pas 100 viteve.
Lexova të tjerë dishepuj
dhe kuptova se përmes gjithë errësirave
të ndriçuara në pak vajgur ose fsheur farfurimave të sotme
ngatërroheshin portat e lindjes
mes asaj që erdhe dhe do shkoje,
ose
hapësirës mes humnerave të Kanzanzaqis
që e quajti mundësi rimëshirimin,
për të folur
rreth vetëgzistencës që duhej shprehur dhe shkruar…!

 

Antlatidë

Të harruar
në harresën e pluhurosur
nga mendimet e trishta tek kujtojmë detajet
vrapin e çmendur për të arritur të pamundurën
dhe dikush
që ishte një bashkëudhëtar i asaj përpjekje
kujton
kohët, kur fryma bëhej jetë
e jeta plogështim i një dhimbje që kurrë nuk gjegj.

E pamundur
të shfletosh këtë lloj ditari
që kalon në fragmentet e një filmi bardh e zi
njerëz që shikojnë baladën e radhës
dhe heronj, që kurrë nuk njohin humbje.

Të harruar
për së gjalli jetuar në humbëtirë
kanioneve që përcjellin vetëm një jehonë
atë të humnerës mes errësirave dhe boshllëkut
që duhet ta quajmë: jetë ose ngadhënjim.

E pamundur
të kuptosh deshifrimin e shekujve
në gërma dhe fjalë belbëzimesh
mbetur në gjurme që e nesërmja i fshiu
ngritur në kuptime që e sotmja i quan klithje.

S’ di si i lexoni dishepujt sot
as kuptimet, që ata lanë të gdhendura nëpër orakuj,
por di që të habitur do ngeleni
nga përpjekja për tu ngritur në titanë.

Dhe shpellat e Herkulit përplasen nga dallgët e egra
Antlatida e përmbysur qëndron ca më tej
shkumë e trazuar mbi qefinë të bardhë
dhe një botë që do ishte krejt ndryshe sot.

Shënim: Atlantët dhe pse u mundën nga Pellazgët, dhe pse mallkimi i zotave i përmbyti, ata lanë gjurmët dhe kulturën e tyre kudo në Evropë

 

Përjetë në amshim
(Trifon Dafës)

Ç’ farë krenarie fsheh ky vështrim
ky sy që thyen brilantet e ngjyrave në prizmet e asaj bote që e ftilloi majë gishtrinjve
poshtë asaj republike
që dhimbte gjer në asht
me shpirtin kryengritës rrebelim
në Vjosë e dallgëzuar
që shembte çdo gjë
për t’ u kthjelluar më pas në vështrimin e dlirë.

Të të quaj mik është pak
vëlla po,
se këshillat e tua prej ati më ushqyen dejet
më bënë ky që jam sot
një shkrues i atij fragmenti drite
ku ti më the hesht para se të flasësh
e fol për të thyer heshtjen e gjatë!

Ikjet janë si zogjtë
largohen me Vjeshtën dhe gjethet e humbura nëpër shi
kthimet janë të befta
zgjojnë harbimin e shpërthimeve të lastarëve të rinj
në fjalën e mbjellur
lëndinës së luleve që i qepet malit
e kundërmon aromën e blirëve dhe dafinave flladitur në shkëmbinj
gjurmë e pranverës së sapoçelur
përjetë në amshim!

 

Përndritje
(Eneda Zybës)

E hodha hejben në supe
e do të zbres poshtë
gjer atje ku tjetër ujë i fohtë shushurin zhavorëve ,
ku dikush në nevojë portën do e hapë sigurisht
por s’ ështe qemer dosido
është derë e mikpritjes
që shtratit të lëngatës do i bëhej mburojë
dhe shtrungës së vetme, tek shkon vargu i dhenve poshtë tendës së vetme
qumështin e mirësisë do burojë.

S’ ishte e thënë që atij mali të thatë të kishte paqe
amshim gjithësesi
tek rrokullsite ortekët me borë
dhe rrëmbente filiza të rinj,
asaj këputje që aq shumë i mungon lëndinës
dhe humbet një gjerdan të gjelbër
që dhe në amshimin e fundit
kujton vegimin vello hedhur përmbi supe.

Shko, ti vjazë që ke ardhur me syrin e pranverës
humb nëpër dritat e një qytetërimi të pafund,
por ajo shkëndijë që të lindi dhe mori
është eshka e vendit tënd që të ndrin.

Shko ti vajzë e mbarë dhe ler plang pas
qirinë e zbehtë digj në heshtje
dhimbje në gjak, e më shumë, gjer në shpirt
shenjën tënde gjithësesi do shënosh portave të dikurshme
do e lexojnë gjyshërit e tu, e të tjerë zota do ngrihen fluturim,
do të rrethojnë me kurora dafine si përherë
me dashurinë që nuk e shikon e sotmja,
por endur krahëve të padukshëm
të engjëllit që të ka marrë në mbrojtje…!

 

Nanasë
(The second mother that i love so much)

Mendon se unë nuk arrij të prek dashurinë tënde
ato duar plot ledha që falnin mirësi
kur ti s’ dije të ndaje fëmijë mes vetes
më bëre birin tënd dhe mua të ardhurin nga tjetër plang e gjini.

Mbetem tek ty si përherë
tek i njëjti përqafim
tek shtyje nusen të mbushte tavolinën
jo me pjata, se ato nuk hynin në sy
por me bekimin e një vakti
që dije të shërbeje dhe falje vetëm ti.

Mendon se mund të harroj ata sy
që poshte dhimbjes fshihnin lotët e mallit
tek i shikoj sot dhe i ndjek
jo si atëherë tek nxitonim shpurës së ditës
por si sot
me mallëngjimin e moshës dhe prekjen e përkorjes
që falte zemra e një nëne
dhe unë ndihesha kaq fëmijë.

Nana, më fal!
Nuk isha në kortezhin e pëcjelljes
dhe asnjeherë nuk do jem,
sepse për ty s’ ka lamtumirë
por ka vetëm duar të stëgjatura
që i puth si bekim
dhe ndjej përjetë
si më e madhja dashuri
dhe falje nëne që më cingëron në shpirt!

 

Pa emër

Nuk kishte emër për ty
veç një fytyrë e praruar
që thyente shkëlqimin e xhamave
e tretej llambave pa shkëlqime.

As përkëdheljen kurrë se njohe
veç shtyrje në epshe pa puthje
tek shikoje akrepat si vdisnin
dhe paratë e zhubrosura në fund të dhimbjes.

S’ di pse ngulej ai teh
në të bardhin mish pa ndjenja
ndoshta rrëmbente nëpër natë
të vetmin dhe fund të shpirtit.

Pastaj prapë shirita të kuq
ndaluar para krisjes së thyer
tek shënonin emrin e pa emër
fatin e keq të një prositute.

One thought on “Cikël poetik nga Agron Shele

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s