NEPËRKA DHE NUSJA / Tregim nga Vullnet Mato

 
Tregim nga Vullnet Mato
 
 
NEPËRKA DHE NUSJA
 
Shfaqja e gjarprit në rrugicën me diell, apo në shtegun ku rrëshqiste me panik për t’u fshehur, më është shoqëruar në fëmijëri, me një dridhtirë tmerri, nga e cila, ose më ka shpëtuar urina rrëzë pantallonave të shkurtra, ose më është bllokuar frymëmarrja për të ndaluar vrapin sa më larg. Dhe as vetë nuk e kuptova, se si pas pak kohësh ndodhi e pabesueshmja, u bëra miku më i ngushtë i gjarprit, aq sa t’i bëja fole të më flinte në gji, ngjitur me lëkurën time të hollë. Dhe ja, si ndodhi kjo çudi e pazakonshme për një djalë rreth tetë vjeçëve?…
Në shtëpinë tonë, të trashëguar nga gjyshi pak kilometra larg Sarandës, ku shkonim gjatë stinës së verës, erdhi një babush teqeje me mjekër të bardhë, deri afër brezit. Dukej në ecje e sipër, sikur lëvizte një mullar me kashtë gruri. Ai e njihte babanë si mësues i atyre anëve dhe i pëlqente të shkëmbenin mendimet. Duke vënë re se isha tepër kureshtar për atë dukuri të leshtë që mbulonte krejt pjesën e përparme të pamjes së tij, ai më lejonte ta zija për mjekre, madje edhe ta lëmoja njësoj sikur të ishte ndonjë cjap manar. Dervishi më tregonte ndodhi të çuditshme, të cilat në atë moshë nuk i kuptoja, por diçka fantazoja me mendjen time të ujshme.
Një ditë, teksa babai ishte duke bërë përgatitjet për nxënësit, dervishi më mori përdore dhe dolëm nëpër kopshtiet përqark kodrës ku ndodhej shtëpia jonë. Diku në një ferrë e ulët, sytë e tij të murrmë dalluan një nepërkë lara-lara, që e bëri mjekroshin të gëzohej si fëmijë dhe mua prapa krahëve t’ia mbath vrapit në çast.
– Qëndro aty!- më bërtiti babushi befas me një ton të rreptë, të pazakonshëm. – Unë do ta bëj këtë bukuroshe laramane, jo të na hajë ne, po të kërcejë vallë në dorën tonë…
Këto fjalë të pabesueshme më bënë të kthehem i ngarkuar me kureshtje, për të parë i tendosur disa metra më tej, si do t’i bënte këto marifete mjekërmadhi fantastik.
Ai mori një shkop furkaçe, nga ato që ne fëmijët bënim llastiqe për të vrarë zogj dhe me të ia ngjeshi kokën përtokë. Pastaj i kapi kokën me dorë dhe kur e ngriti lart, nepërka iu mbështoll e gjitha rreth dorës së shpërveshur deri te bërryli. Atëherë unë ndjeva disa pika urine që njomën mbathjet e mia dhe po prisja kur mjekërmadhi do të këputej i vdekur përtokë, si mullar kashte i përmbysur nga era.
Kjo jo vetëm nuk ndodhi, por duke parë fytyrën time të rrudhur nga tmerri, ai qeshi me ton të lartë dhe me nepërkën përqark dorës, më tha:
– Shikoje pa frikë, se do ta urtësojmë, këtë kafshë njësoj si macen me të cilën loz ti!
Po eja tani të shkojmë te shtëpia ta bëjmë të nusërojë këtë zonjë pikaloshe të bukur.
Ai tha “zonjë” dhe unë thashë me vete, të kisha t’ia shtypja kokën me gurë asaj vrrome të pështirë.
Te shtëpia nëna ime u step me sy të shqyer kur pa nepërkën përqark dorës së tij.
– Mos u tremb, zonjë, – i tha ai nënës – kjo nuk ha njeri. Do ta shohësh. Vetëm më sill një filxhan dhe një copë të leshtë, sa t’i zbut pak inatin.
Nëna tepër e druajtur, i solli atij mjetet që kërkoi dhe ne të dy të shtangur te njëri-tjetri po vështronim nga larg me habi e tmerr çdo të bënte ai çudibërës me laramanen vdekjeprurëse.
Dervishi ia kapi kokën me dy gishtat e parë dhe ia shtrëngoi fort, sa iu hap goja dhe i futi te dhëmbët cepin e copës së leshtë, duke e mbajtur pingul mbi filxhan. Nepërka kafshoi copën e leshtë dhe lëshoi nëpër fijet e saj, një curril helmi të verdhë në filxhan. Pastaj, babushi nxori me dorën tjetër nga xhepi një pincetë të vogël dhe duke ia shtypur gojën, si ndonjë fik i çarë, i shkuli dhëmbët me kujdes. Pastaj qeshi i gëzuar dhe e futi nepërkën brenda asaj këmishës së tij, më të bardhë se mjekra gri.
Nëna klithi:
-Uauuu, ç’bëre ashtu, more derëzi, e punëzi, se do vdesësh!…
Dervishi vazhdonte të qeshte. Por duke vënë re, se ne na u bë fytyra në ngjyrën e dheut, futi dorën në gji, e nxori nepërkën dhe shkoi e lëshoi te ferrat poshtë kopshtit. Më pas erdhi në shtëpi, e hodhi helmin në një shishe të vogël me tapë, duke lënë fare pak në filxhan. Ai i kërkoi nënës një lugë sheqer dhe ujë sa për të mbushur filxhanin. Atëherë më tha mua fjalën më të tmerrshme, që na bëri të dridhemi të dy me nënën.
– Pije, si trim, se kjo do të bëjë që gjarpërinjtë të ndërrojnë udhën kur të të shohin ty!
– Jo, jo, mos ja jep djalit!- kërceu nëna prerazi dhe më tërhoqi pas vetes.
– Jo! – thashë edhe unë i vendosur të mos e pi kurrsesi.
– Unë, moj zonjë, e dua djalin tuaj të zgjuar, jo më pak se ju që i keni bërë kokën! – iu drejtua ai nënës me përulje. – Po me këtë ilaç që e kam bërë në trupin tim dhe tek të tjerë, ky djalë fiton imunitet dhe nuk pëson kurrë gjë të keqe nga helmet e gjarpërinjve.
Nëna u lëkund pakëz dhe mjekërmadhi m’u drejtua mua:
-Pije si burrë, se kam folur edhe me babanë, apo do ta thërresim ta thotë me gojën e tij?
Babai dëgjoi nga dhoma tjetër dhe erdhi aty në çast. Ai i dinte marifetet e dervishit.
-Duhet ta pish me dëshirë, biri im, se është për të mirën tënde!- më tha butësisht duke rregulluar syzet.
Unë sërish ngurova i pavendosur dhe sakaq dervishi e ktheu vetë filxhanin, që humbi një çast te goja mes mustaqeve dhe mjekrës së tij.
Më tej u desh rreth një orë, pasi ai kishte mbetur ende gjallë, që ne të dy me nënën të bindeshim ta pija edhe unë dozën e parë të helmit me sheqer. Dhe pasi e rrëkëlleva poshtë, të them të drejtën, më pëlqeu. Nuk ishte aspak i hidhur, si disa ilaçe që më jepte nëna kur ftohesha, apo kur më zinte gripi. Pastaj kura kundra pickimit të gjarpërinjve vazhdoi, duke rritur dozën nga një pikë çdo ditë, derisa shishja e vogël u boshatis krejt.
Atëherë babush dervishi më mori me vete dhe dolëm rrëzë kopshtijeve me ferra të kërkonim gjarpërinj për provën e tmerrshme. Por dy ditë me radhë nuk gjetëm asnjë për be. Ditën e tretë ai pikasi një nepërkë të vogël dhe pasi ia fiksoi kokën, më tha mua ta kapja me dore pa frikë. Me gjithë frikën e zbutur, ai më kishte injektuar edhe besim. E zura nga koka dhe ajo m’u mbështoll te krahu. Ashtu, me nepërkën në dorë, shkuam në shtëpi dhe pasi bëri veprimet si herën e parë, ai më tha ta futja dhe unë nën këmishë. Ah, jo, këtë s’kisha guxim ta bëja kurrë, t’i jepja liri nepërkës të më sillej nëpër lëkurën e trupit si t’i donte qejfi, e po t’i tekej të shijonte mishin tim, sikur të isha bretkosë kanalesh…
U stepa për disa çaste. Por m’u kujtuan kalamajtë frikacakë të fshatit greqishtfolës dhe sidomos nusja ime bukuroshe me fustanellë të bardhë, më te cilën më kishin martuar në lodrat dasmore të fëmijëve. Do t’i lija me gojë hapur djemtë dhe vajzat e vogla minoritare. Ky mendim më dha guxim të pazakonshëm dhe së fundi e futa nepërkën në gji. Ajo zvarranike e shkathët m’u suall një copë herë përqark gjoksit, duke më shkaktuar një kilikosje rrëqethëse të ftohtë, nga e cila pata një gaz kërcimtar të frikshëm, që e kënaqi shumë babushin mjekërmadh.
Pas kësaj më tha truri dhe dola me vrap për të shkuar te lëndina, ku luanin çdo ditë kalamajtë e fshatit. Hyra mes tyre, duke i mbajtur sytë drejt “nuses time”. Pasi u tërhoqa vëmendjen, të më shihnin të gjithë me vërejtje, futa dorën në gji dhe nxora kokën e nepërkës që e kishte zënë gjumi nga ngrohtësia e trupit. Befas ajo m’u mbështoll rreth dorës dhe vura re se pantallonat e disa kalamajve të tmerruar riguan tek gjunjët. Ata më shikonin me sy të shqyer, sikur nuk isha shoku i tyre i ardhur nga qyteti, po një magjistar i zbritur nga qielli.
Nusja ime rrudhi fytyrën dhe duke më përpirë me sy tha greqisht:
-O panaiamu, ti kani aftos! (O shënmëria ime ç’po bën ai !)
Unë i thashë asaj me krenim, se këtë gjë e bëja vetëm nga dashuria e madhe për të dhe për bukurinë e saj që ua kalonte të gjitha vajzave të fshatit. Dhe atë çast desha ta puth fort, si trim triumfator, nga ata që mundnin kuçedrat nëpër përralla. Por ajo faqekuqe me buzët si një qershi e ndarë më dysh, nuk pati guxim të më afrohej.
Por më çuditi shumë kur ma ktheu në çast me një greqishte të kthjellët:
– Kot thua se më do mua, ti ke marrë nuse nepërkën që mbaje në gji, kur unë të prisja të luanim bashkë… – dhe u prish në fytyrë nga kërshëria.
Por dhe unë u çudita shumë që nusja imë vogëlushe ishte bërë xheloze për një copë nepërkë bishtdredhur të kanaleve… Dhe me pendim të thellë që e kisha lënë nusen vetëm e po merresha me të, i thashë të vinte ta shihte si do ta braktisja për hatër të saj.
Atëherë shkuam të gjithë bashkë, e lëshuam nepërkën në një ferrë, ku i porosita kalamajtë të mos e gjuanin me gurë nëse e shihnin prapë, se ajo nuk kishte dhëmbë për të kafshuar njerëzit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s