KËNGË MALLI NË PENTAGRAMIN E ZEMRËS (Parathënie e vëllimit poetik “Lus Tokën” të autores Teuta Dhima) / Nga: Alisa Velaj

 
KËNGË MALLI NË PENTAGRAMIN E ZEMRËS
 
(Parathënie e vëllimit poetik “Lus Tokën” të autores Teuta Dhima)
 
E tërë ekzistenca njerëzore është një hapësirë e tejmbushur me mall. Mall i pambarimtë për dashurinë, të dashurit e zemrës, mall për një këngë malli të pakënduar, mall për bukurinë, e mbi të gjitha mall për shtëpinë e këngës. Vëllimi me poezi dhe proza poetike “Lus tokën” i Teuta Dhimës është prej fillimi e deri në fund, një mozaik me gurë shndritës malli e nostalgjie për këdo e çfarëdo që na ka lënë në kujtesë një dashuri të thellë, dashuri të humbur apo dashuri të mërguar drejt një tjetër dimensioni. Është lutja e femrës drejtuar tokës që është vendmbërritja e valëve të detit dhe themeli prej nga ku kundrojmë qiejt, apo atdheun e të larguarve tanë nga kjo jetë.
Teuta i këndon një copëze deti, vallëtares së flamenkos, brigjeve të përmallshme të vendlindjes, fustanit ngjyrë perëndimi që ëndërron ta ketë si një tunikë hedhur supeve kur t’i lutet tokës për të ardhmen, miket e zemrës, motrat, bijën, nënën, vëllanë dhe çdo qenie tjetër që i lind e i madhëron ndjenjën e dashurisë. Përpara se të jetë këngë për mallin ky vëllim është para së gjithash këngë e e mallit të gruas. Ja si e përshkruan Dhima këtë përjetim në lirikën “Ngjyra e dashurisë”:
 
E kuqja e Onufrit po zbehet,
askush nuk e mësoi misterin e saj.
Grua, mbete labirinteve
Ku e humbe kandilin me vaj shpirti?
 
Misteret e botës së gruas i japin ngjyrë dashurisë dhe botës. Dashurisë që herë merr nuanca të ndryshueshme të së kuqes, duke e shndërruar në të kuqe perëndimi, herë në të kuqe trëndafili dhe herë shfaqet si hënë e kuqëluar. E kuqe e zbehur apo e fortë, mall i kaltër prej deti e qielli, apo mall me të gjitha ngjyrat e ylberit, ai është mbi të gjitha malli prej gruaje, që i bën përherë e më të bukura stinët e jetës. “Për ku po nxiton, stinët duke mbajtur mbi shpinë?”, dialogon zëri i poetes me veten apo gruan tjetër. Shpirti i gruas shpaloset në brigje të vetmuara pa spektatorë, në floknajën ku fshihet pakëz puhizë deti dhe në vallëzimin e pëllumbave, të cilët i kanë shpënë përherë meloditë e këngëve të mallit nga toka drejt deteve e qiejve. Në këtë kontekst, poezitë më të mira të realizuara të vëllimit janë: “Unë dhe ti”, “E ka një këngë lulebora”, “A ndien mall mali?”, “Qiell si kulm shtëpie”, “Pëllumbat”, “Vallëzojnë pëllumbat” “Dialog”, “Lus tokën”. “Një ditë e re”, “Mbi një nënkresë” dhe “Qirinjtë valëvitës të flakëve”. Nëpër vargjet e poezisë “Qiell si kulm shtëpie” gjejmë ato elementë që formësojnë pjesën dërrmuese të poezive të dashurisë. Kemi aty qiellin, dritën, yjet, një copëz hënë, nëntokën, rrënjët dhe gjethet e fundit. Kjo e fundit si metaforë e përtëritjes së dashurisë, njëlloj si përtëritja e bimësisë dhe mbjellja e një peme të re. Atmosferë poetike nën një qiell si kulm shtëpie.
 
Në shtëpinë përballë po mbjellin nje pemë
Qiell si kulm shtëpie na lartohet mbi krye.
 
Ky libër ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përmban një buqetë poezish prej malli e brenge dhe autorja ka zgjedhur për emërtim togfjalëshin “Qirinjtë valëvitës të flakëve” që është gjithashtu dhe titulli i njërës prej poezive të librit. Pjesa e dytë përmban proza poetike me një gjuhë plot emocion, ku me shumë dashuri i këndohet shpirtit që del shëtitje, njerëzve të dashur, shpirtërat e të cilëve kanë fluturuar në qiej, ndërsa autorja i thërret plot mall nëpër ëndrra, perëndimeve që ajo do ethshëm t’i sodisë vetëm më të dashurin e zemrës, ashtu të tretur të dy në të njëjtin përqafim etj, etj.
Dhima lutet pa zë në qetësinë e kishës në Shën Vlash për mbartësit e shpirtrave në tokë apo në qiell dhe më shumë se gjithçka ka frikë mos humbet shpirtin. Përndryshe qenia e saj do t’i përngjajë një pusi të tharë prej mallit.
 
E ç’mu desh mua ta nxjerr shpirtin nga kraharori?
Po sikur të mos kthehet?
Po sikur ndonjë kraharor tjetër t’i pëlqejë më shumë se i imi
e të dojë të futet në të?
 
Kënga e gruas ka nevojë për mall, dashuri dhe një shpirt që kur del shëtitje, të mos harrojë të kthehet sërish tek ajo. Kjo grua që i lutet tokës, apo shtratit të këngëve të dashurisë është një tjetër zë femëror që kërkon të lexohet e shijohet prej teje i dashur lexues.
 
 
Alisa Velaj
Vlorë, shkurt 2021
 
 
Poezi nga vëllimi poetik
 
 
Parfum valësh
 
Ajo e mbante me vete një copëz deti
Nëpër floknajë fshihte pak puhizë.
Ai i pat thënë se përhapte parfum valësh
andaj ëndërronte të ishte breg.
Ajo i bridhte brigjet me këmbët pa sandale.
Shkruante poezi mbi rërën e lagur
me pendë pulëbardhash tek-tuk lëshuar.
Ndër xhepa mbante guacka
që rërën e fundit e shkundnin aty
dhe mbyllte ditët e saj ndër shishe
për ta nanurisur dallgëve ëndërritjen e saj.
 
 
Qiell si kulm shtëpie
 
Qielli si pëlhurë e qëndisur na rri mbi krye.
Nuk do ta harrojmë dot këtë mbrëmje,
me vete do t’marrim prej saj një copëz hënë.
 
Eja, rrënjët t’i lëshojmë nëntokës
e trupin t’ia dorëzojmë erës,
të na zhveshë der’ në të fundit gjethe.
 
Në shtëpinë përballë po mbjellin nje pemë.
Qiell si kulm shtëpie na lartohet mbi krye.
 
 
Ngjyra e dashurisë
 
E kuqja e Onufrit po zbehet,
askush nuk e mësoi misterin e saj.
Grua, mbete labirinteve…
Ku e humbe kandilin me vaj shpirti?
Nxitimthi numëron ngjyrat e ylberit
pas shiut zhurmëmadh
dhe kërkon ngjyrën e dashurisë.
Çan errësirën me sytë e zinj,
ulesh në pragje dëshirash duke dihatur.
Për ku po nxiton, stinët duke mbajtur mbi shpinë?
Fustan të gjelbër gjethesh vesh në pranverë.
Vjeshtës zhvesh mantelin e kuqërremtë.
Dimrit krahët i shtrëngon rreth trupit të zhveshur,
e pret gjatë pranverën, sërish për t’u veshur.
Pas shiut, ngjyrat e ylberit numëron.
 
 

Autorja: Teuta Dhima

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s