Poezi nga Blerim Rreci

 
Poezi nga Blerim Rreci
 
 
Nganjëherë
 
Nganjëherë po jetoj
Sikur ky VendYni
T’i kishte pothuajse të gjitha gjërat në terezi
Nganjëherë po marr
Një shportë të madhe, të padukshme
Të mbledh dëshpërimshpresat
Nëpër tërë qenien e tij
 
 
Asnjëherë
 
Asnjëherë nuk i kam dashur:
Tallavanë,
Burokratizmin zyrtar
Zhurmën e gjeneratorëve
Debatet banale mediale
Çjerrjet militante partiake
Serialet e importuara të lotëve të turbullt
As ato vendore gjuhëstërpikura me banalitet.
Asnjëherë nuk mund t’i dua:
Këta zinxhirë të bezdisshëm
Lidhur me dryrë ndryshku që na kanë përlyer
E po na përlyejnë të çmueshmen jetë që kemi
 
 
Ishulli ynë
 
Burim stërlodhjeje nga
Kjo lloj vetmie ndërvendore
Që rrjedh
Mpirë trup i tërë nga anestezion kohe
Veç gishtat të palodhur shfletojnë e bredhin kuturu
Si lopata varke
Mbi ekran telefoni sikur në det
Duke lundruar si bjerraditës
Duke kujtuar vetminë e pashoqe
Të Robinson Kruzos
Tash e sa ditë
Që duke ua lexuar fëmijëve
Pjesë-pjesë
Po e lexoj dhe për vete
Për herë të parë
 
 
Vrull i (pa)përmbajtshëm
 
Në pritje të heqjes së mas(k)ave,
E dorezave,
E kufizimeve…
Vrull e vrap i papërmbajtshëm fëmijësh
Në rrugë, lagjeve, hapësirave e vrapi i tyre sjell vështrime pafundësie.
Vrull vetëtimthi trumcakësh që çajnë valë e dallgë shkumëbardha ajri
Si peshq në rrjedha lumenjsh.
Të rriturit
Dhe pëllumbat janë më të matur në lëvizje
Dhe më të përmbajtur, duke u munduar ta fshehin dalldinë që u lëviz përbrenda.
Qentë paksa të hutuar e të kalamendur, njashtu si insektet dhe lulet.
Kafja e dytë e pirë sot jashtë shtëpisë
Përsëri në një filxhan prej letre
Tash te vendi ku dikur pata shkruar diç
Për dorëshkrimet tona
Që tashmë janë bërë botime
Që kanë dalë e që vazhdimisht janë në kërkim të dritës
Dhe për to shohim ndonjë artikull që rri këtu a atje nëpër degë, nëpër fletë, nëpër gjethe mediesh në këtë fundmaj të harlisur gjelbërimi
 
 
Dembelizëm dinamik
 
Zgjohem dembelisht
Me lodhje, plogështi, rutinë
Si i kapur me ngjitës special për shtrati
Pasi ngritem në këmbë
Me letër grrithëse
Filloj t’i heq ashklat e tejdukshme
Të ngjitësit gjysmë të tharë e gjysmë të lagur
Laj duart, i fshij me peshqir
Pastaj gostis veten me kafe
Pse jo dhe pastaj edhe me një çaj
Me se të merrem tash
Diç më vërtitet kokës
Ku është hapësira
Ajri i pastër
Qetësia
Bio-ja
Drunjtë
Lulet
Zogjtë
Parqet
Një pjesë e jetës shkoi
Duke u përhumbur
Nëpër ditë dembelizmi dinamik
Ku po hedhim hapa të çuditshëm vallesh
 
 
Krande rrezesh
 
Dielli kalon nëpër kufijtë
E tri dritareve të dhomës së fjetjes
Sikur do t’i djegë perdet kur depërton në tampon-zonat e tyre
Koha për zgjim ka kohë që ka kaluar
Sot e diel
Pastrimi e pushimi,
Dremitjeje e qetësie
Tiktakojnë akrepat (jo)helmues të orës
Ne ende brenda
Mëkat të kalohet kjo ditë mes muresh
Të dalim të mbledhim krande rrezesh
 
 
Vargje që më diktoi jeta
 
Jeta më thotë shkruaje një rresht
Dhe një varg
Nisja një kënge
Bëj një shkrepje
Më thotë përmende
Një titull që dikur t’u vërtit nëpër mendje
Ose përmende veten
Se si sot
Në një ditë me diell të bukur vjeshte
Ece nëpër rrugët e kaosshme të qytezës
Me një shishe ujë mineral me limon
 
 
Mërzi engjëjsh
 
Dy vogëlushe të mërzitura, të vetmuara
Në hapësirëbetontën e shumëkatësheve
Më afrohen e me zë lutës më thonë
A ke ndonjë fëmijë, vajzë a djalë
Që t’u thuash të vijnë këtu
Të luajmë bashkë
 
 
Përhirtësi dimri në dritare
 
Dikur në shtëpi
Nga dritaret e saj
Në të ftohtë
E në ditët me borë
Kur nëna vazhdonte ndonjërën nga punët e nisura
E unë merresha me ndonjë detyrë shkollore
Hapeshin e mbylleshin dyer nga gjyshja
E ne familjarët
Sorrat kalonin përmes
Pikëkalimeve të dritareve tona
Pa viza
Nëpër çaste të ndryshme dite
Në drejtim të Prishtinës
Në këtë drejtim vazhdojnë përsëri
Edhe sot
Nga shtëpia e shndrruar në banesë
Rrugës së njejtë
Me dritare veç nga njëra anë
Mund t’i shohim
Pa e ndjerë vërvishtjen e erërave nëpër përhirtësi
 
 
Iriqë deti
 
Dikur në verë
Në Durrës
Në plazhin
E Porto Romanos
Me prindërit, dajën
Vëllezërit e motrën
Bashkë me vëllanë e madh
Duke kaluar pushimet me të
Pas një mungese të gjatë
E një bjeshke të madhe malli
Në mbretërinë e ca shkëmbinjve të mëdhenj n’breg pranë valëve
E ujin e kaltër të detit të pastër
Duke shkelur nëpër të
M’u patën mpirë këmbët
Pasi thembrat u patën mbushur
Me thera iriqësh

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s