Poezi nga Myrteza Mara

 
 
Poezi nga Myrteza Mara
 
 
KËSHTU THONË POETËT
 
Rendim duke gulçuar e gati pa frymë,
Nxitojmë sikur do të marrim stafetën!
Harrojmë se diku na pret një greminë,
Atje ku vetëm shpirtrat do të mbeten.
 
Rendim, shtyhemi, gjakosemi e vritemi,
Të rënët gjatë rrugës shpallen “flamurtarë!”
Me thonjë e me dhëmbë vetëm ngjitemi,
Megjithëse e dimë që na pret një varr.
 
Edhe të duam, nuk kemi rrugë tjetër,
Po pse, o Zot, me klithma e gjak?
A nuk kishe mundësi moj botë e vjetër
Ta shtyje greminën një shekull më larg?
 
Edhe shekujt si minut do të kalojnë,
Tani kemi shpikur avion e raketa.
Rrugët drejt cakut vetë i shkurtojmë
Pastaj pyesim: kaq e vogël jeta?!…
 
Omar K’hajami më vjen ndër mend
Dhe dua t’i ftoj të gjithë në dolli:
Ta shijojmë jetën me verë e këngë,
Dhe puthje të nxehta, siç donte Ai!
 
Kështu shkruajnë dhe thonë poetët,
Ata që e shikojnë më parë diellin.
Këtu askush s’do jetë i përjetshëm,
I pavdekshëm s’është as vetë qielli!
 
 
LISAT JANË LISA
 
Në një pyll nuk janë të gjithë lisa,
Por edhe lisat nuk jetojnë dot vetëm
Ka shkurre, bar, ferra dhe driza
Ka edhe minj që ndjejnë tërmetet.
 
Ashtu siç nuk shkëlqen qiellit një yll,
Nëse pranë nuk do kishte një tjetër,
Ashtu dhe gjethet e drurëve në pyll
Nuk do vishen me vello të gjelbër.
 
Por lisat janë lisa, me fron e kurorë
Janë shkallë që të afrojnë me qiellin
Në degët e tyre zogjtë si në kor
Mbi dy lisa ngrihet një urë ylberi.
 
Nuk bjen kurrë rrufetë mbi shkurre,
Lisat dëshmorë, ata dhe heronj
Kulprat që dinë vetëm të mburren
Shpinën e lisave grricin me thonjë.
 
Por lavdia do themel, ajo do rrënjë,
Plagjiaturat nuk janë shembëlltyra
Për lisat thuren e këndohen këngë
Me lisat krenohet dhe vetë natyra.
 
Lisat në llogore, ata edhe simbol
Zemrën e lisit-zemër gjithë jetën
Ata për shtrat, ata dhe arkivol
Lisat-frymëzimi edhe për poetët.
 
***
Në një pyll nuk janë të gjithë lisa,
Dëgjoni ju shkurre, ju kulpra parazite!
Për erërat ciklone lisat bëhen diga,
Për nderin e pyllit të parët ata digjen.
 
 
HORIZONTE TË RRËZUARA
 
Litarët e kambanave këputur, s’ka tinguj,
Erërat fishkëllejnë melodinë e ortekëve
Ajri dhe drita si heronj të lidhur
Në heshtje psallim himnet e vdekjeve.
 
Djajt vishen bukur, vezullim mëkati
Pikturojnë heroglifet e plagëve pa emër
Pikëpyetje të krrusura mbi eshtrat e fatit
Globi goditur me shigjetë në zemër.
 
Nën strehë dëshpërimi pikon dhimbja,
Trualli gropëzohet nga plumbat e lotëve
Tkurrur toka, ka frikë nga lindja
Kërrcasin meridianët e të dy botëve.
 
Ret’e trishtimit në shtegun e lamtumirës,
Bravat e ndryshkura kuisin si shpellë
Gjëmojnë dinosaurët në oda të greminës
Dhe ajrin dhe dritën ngjyrosin me të zezë.
 
Klithmojnë malet në humnera varrosur
Legjenda të vrara mbi lisat pa rrënjë
Horizonte të rrëzuara, shpres’ e plagosur
Kjo botë invalide, pa gaz e pa këngë!
 
Kjo luftë e egër me front e prapavijë
Armiku i maskuar nuk është tabelë
E gjithë bota shndrruar në ushtri
Raketat dhe bombat nuk kanë vlerë.
 
Veç shpresa djersinë të pastroj diellin
Kjo botë do të marrë sërish frymë
Qiejt do të mbushen me harqe ylberi
Me çmim të shjtrenjtë paguajmë lirinë.
 
Dashuria për jetën e vetmja armë,
Armë e fuqishme që mund vdekjen
Njerëz! Do mësojmë nga ky alarm
Ta njohim e ta duam më shumë veten.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s