Poezi nga Sabit Rrustemi

 
Poezi nga Sabit Rrustemi
 
 
ARNIMI I SHTËPISË
 
Shtëpia është këtu prej që mbahet mend
E papërthekuar nga datat njerëzit biografitë
Herë i ndërrohen themelet muret mbulojat
Herë hyrje daljet dyert dritaret
Mbetet në të njejtën tokë përsëri
Përdorë ushqim gurësh balte e drurësh
 
Kur e kërcënojnë shembjet
Prej visesh tjera shfaqen mjeshtrit
Me strajca e alete nisin arnimin
 
Mjeshtrit tanë ëndërrojnë projekte të reja
Në mungesë përvoje marrin botën në sy
Arnojnë shtëpitë e të tjerëve
Ndërsa të veten ua shemb pika
 
Nënat plaken në endje e s’mbesin as una zjarri
Motrat shterrin veten me lot e gjilpëra
Gratë thinjen duke i lëpirë trarët e blozuar
Fëmijët ah fëmijët zogj ngricash tresin në ajri
E burrat fikall nën lisa
As nxjerrin zë as protestojnë
Për një mal arnash që i nxijnë sysh
 
Shtëpia zbrazet e mbushet mbushet e zbrazet
Për hatër sigurie nga këmbët ia heqin dheun
Mjeshtrit e tjerë nga vise të tjera
Had të ri ngrisin sipri
 
Shtëpia me gurë të bluar murëlëmuar
Trarëbutë e krerëbrishtë
Veshur në lesh xhami
Mbështjellur në faqe letre
Del prej origjine bëhet kopje e zbehtë
Një fotografi në trajtë xhepi
 
Sall emri i mbetet ai i vjetri.
 
 
PA TY NUK DO TË MBES
 
Ti patjetër do të vish
prapë një ditë
e në të tjerat ditë që vijnë
si atë ditë
krejt e kaltër
e dielltë
për t’mi ndezur dejtë e shuar
njësoj siç i ndeze dhe qiejt
 
Do të vish
e do të shfaqesh
para meje prapë
e çelur e fytyrëplotë
për të ma bërë
më të dashur këtë botë
 
Unë s’lëkundem
nëpër pritje nuk mërzitem
nga dita në ditë pres
pa Ty
nuk do të mbes.
 
 
BOSHËSI
 
Kur s’ të shoh
të ndjej aq thellë
sa i tëri pushtohem prej teje
 
Strukur diku
në një cep jete
më vështron
 
Përmes heshtjes sate
vargjet m’i nyjëzon
As i zgjidh
as i vargëzoj
 
Sillem e mbështillem
Hapësirës së vetmuar
shpirtzbrazur mbes
 
Tej vetes dal
mjegulla kohe çajë
pa ty s’ frymoj
 
Si nuk jep shenjë
a nuk lëshon zë
 
Boshësia e kësaj kohe
falë mungesës sonë
vallëzon pa pra.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s