Poezi nga Sokrat Habilaj

 
Poezi nga Sokrat Habilaj
 
 
KUR TË PREMTOJA
 
Kur premtoja ëndrra, si asnjë tjetre,
Që do mbillja për ty shteg në shteg.
Ndodhte që ti merrje një shkrepse,
Dhe më kërcënoje:-Do t’i djegë!
 
Kur të premtoja një ishull të largët,
E në vila do ta ktheja gjithë mallin.
Ti në fytyrën time i harboje flakët,
Dhe më kërcënoje:-Do tu vë zjarrin!
 
Kur të premtoja trille, trille të kota,
Se do të gdhendja emrin në poezi.
Që të jetoje dhe pas meje, ndoshta,
Prapë më kërcënoje:-Do t’i bëj hi!
 
Po kur papritur të premtova veten,
Që do digjesha tek ty, pak nga pak.
Çfarë ndodhi që ma dhe shkrepsen,
Dhe mu lute:-Më kthe në flakë!?
 
 
KËTË GRUA
 
Këtë grua që po pi kafe e heshtur,
Dikur e kam lënduar, e lëndova kot.
Dhe ika, natyrisht jo për t’u fshehur,
Si t’i rrija pranë, kur të derdhte lot?
 
Ndoshta ika, si ikin të gjithë burrat,
Që një lot gruaje, i nxjerrë nga vetja.
E pastaj me inat, nisin e prishin urat,
Të mos e dëgjojnë, ç’thotë ajo tjetra.
 
Ndoshta nuk doja, ta dija se humbi,
E kur shpirti i saj, u gremisë në gju.
Mund t’i shikoj, plagët që lë plumbi,
Por kurrë një grua, të rrëzuar ashtu.
 
Dikur e kam lënduar, krejt pa burrëri,
Po dhe e kam pritur që të merrte hak.
Për mua të dilte, duke më zënë pusi.
Të më kthente baltën, balta ishte pak.
 
Kur më doli para, unë them, në pritë,
M’u kujtuan lotët, që hodhi për mua.
Unë i bërë burrë, i thash:-Më goditë!
-S’erdha të të vras, erdha të të dua!
 
S’mbante në duar, as armë, as sharje,
E pse ende plagë, kishte shpirti i saj.
Po ka një jetë, s’reshti me hakmarrje,
Duke më dhënë veten, që të ndjej faj.
 
 
KOHË E TRISHTË
 
E mira ime, në këtë kohë kaq të trishtë,
Kam dashur t’i mbaja brengat për vete.
Dikur t’u betova për Muhamet e Krisht,
Po nuk e di, a të mbrojta nga kjo e keqe?
 
E mira ime, e trishta edhe ti, si kjo kohë,
Ku qiejt derdhin mbi ne pareshtur lot gri.
Po sikur të mos mjaftonin të gjitha këto,
Ca koketa në ekrane psherëtijnë:-Ua! Ui!
 
Ashtu mbyllur, ndihen të kapura në çark,
Që janë dhe gra që kanë dhe bashkëshort.
Them se ndoshta dhe kështu flasin gratë,
Po jo ti, ti që je grua, grua deri në kockë.
 
Zbulojnë, si me habi se janë edhe nëna,
E fëmijët e tyre qenkan rritur më herët.
Po ti që je e grimcuar në dy djem e tëra,
Si mundet ta ndash veten me të tjerët!?
 
Zbulojnë se fëmijët, a më saktë nipërit,
Paskan dhe një gjyshe të vetmuar diku.
Po ti që nënën time e ke brenda shpirti,
Si mund ta shohësh larg meje si kërcu!?
 
Zbulojnë se uji i rubinetës ngjanë seksi,
Teksa këto kokete, një qenush i lëpinë.
Po ti, kaq butësisht më qesh nga aneksi,
Dhe shpirtin tënd ma shtron në tavolinë.
 
E mira ime, në këtë kohë kaq të trishtë,
Kam dashur t’i mbaja brengat për vete.
Nuk u betova kot për Muhamet e Krisht,
Se unë do të mbroj edhe nga kjo e keqe.
 
 
NJË MARS DHE NJË PRILL
 
Pasi e kuptova se sa borxhli të isha,
Pasi ndjeva edhe trishtim, a brengë.
Pasi pash se nuk i mbaja dot të gjitha,
Pasi veten time tek ty e lash si peng.
 
Pasi të kam dhënë dhe vitet e një jete,
Pasi i zgjata ditët sa nuk mbanin më.
Pasi pash se s’më dilnin as për vete,
Pasi të dhurova shekujt një nga një,
 
Pasi u binda se s’shlyhem dot me ty,
Edhe po të të zbrisja një hënë, a yll.
U shtua dhe një borxh, më saktë dy,
Të kam borxh një Mars dhe një Prill.
 
E s’është fjala se ndjej ndonjë ngutje,
Kur në çdo sekondë përball të mbaj.
Po dreqi ta hajë, mallet s’janë buste,
Po ankthe të çmendura, skaj në skaj!
 
Do ta shlyej këtë borxh me çdo kusht,
Sikur stinët të harrojnë udhën e vjetër.
Sikur dhe të ketë veç dimër, a Gusht,
Unë,do të bëhem Mars e Prill patjetër!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s