Në gjuhën e tyre / Tregim nga Rudina Muharremi Beja

 
Tregim nga Rudina Muharremi Beja
 
 
Në gjuhën e tyre
 
Dita tashmë kishte zbritur në qytetin që kridhej ngjyrave të ylberta, ndërsa dielli flakërues kishte lënë pas kreshtat që dukeshin sikur preknin kupën e qiellit. Më në fund jeta pothuaj e zbrazur prej gjithçkaje braktiste shijen e athët të përditshmërisë e kapërcente “rrethimin” që e mbante mbyllur për të zgjuar ritmin e saj të përhershëm . Lexohej qartë në sytë e klientëve që gjallëronin ambientet, restorantet, baret ndonëse duke respektuar masat paraprake kundër COVID që përkuli tërë botën. Më në fund mund të uleshin, të shijonin piatancat e tyre të preferuara e të shkëmbenin biseda të ngrohta e të përzemërta për orë të tëra. Kishte ardhur atë ditë të drekonte edhe një çift bashkëshortësh, mbi fytyrat e të cilëve edhe pse të plakura shndriste harmonia e viteve të shkuara. Zunë vend në tavolinën që ishte e lirë e që kufizohej me korridorin e ngushtë dhe guzhinën përmes një xhami ndarës. Nga ana tjetër thurrima e dritares shfaqte spektaklin e pranverës që shënonte kulmin e saj. Pasi kishin vëzhguar me kujdes listën e menusë kishin thirrur me një luhatje të kokës kamarierin që me kujdes i ndiqte nga larg. Urdhëruan pjatat që dëshironin dhe pritën qetësisht duke shfletuar shtypin e ditës e duke shkëmbyer fjalë me njëri tjetrin. Salla mbushej ngadalë dhe gëzimi i lexueshëm në sytë e klientëve bënte që gjithçka të dukej kaq e bukur, kaq e jashtëzakonshme. Salla gumëzhinte.
-Habi, kishte pëshpëritur me vete ajo, gjërat më të bukura janë edhe ato më të thjeshtat, dhe kishte vëzhguar për një çast buzëqeshjet spontane të klientëve
Një drithërimë e kishte pushtuar sakaq. Kamerieri kishte thyer monotoninë e përhershme të zhurmave;
-Komplimentet vijnë nga tavolinat e sallës përballë, kishte folur ai dhe ishte larguar sa hap e mbyll sytë.
Ajo kishte ngritur kokën në shenjë falenderimi dhe kishte vijuar të përgatiste me kujdes pjatancat e radhës madje duke shpejtuar ritmin. Ishte zhvendosur drejt hyrjes që lidh me picerinë për të marrë dy përbërës të nevojshëm për menunë në vijim.
– Hej, dale pak, kishte folur një mesoburrë rreth të gjashtëdhjetave. -Ti je guzhinierja?!
Pa mbërritur ende përgjigjja e shoqja kishte vijuar :
– Mos jeni edhe piktore, artiste, merresh me art ?!
Ajo qeshi me vete nën maskë, me sytë e vocërruar prej vëmendjes së tyre të beftë
-Diçka shkruaj. Në një mënyrë apo në një tjetër duhet t’i qasemi botës që na rrethon apo jo, u përgjigj ajo me modesti e pothuaj e turpëruar kishte bërë të largohej me ngut drejt postacionit të saj të përhershëm.
-Prisni pak çaste ju lutem, duam t’ju themi diçka, ndërsa ndjente mbi vete rrymat e vështrimit të tërë klientëve të pranishëm në atë sallë të vogël që të zinte frymën .
-Urdhëroni, foli ëmbël ajo.
-Piatancat ishin shumë të shijshme, por ajo që na bëri shumë përshtypje ishte pamja e tyre. Menjëherë unë dhe im shoq menduam se ai që i ka gatuar duhet të jetë ndonjë artist, dhe jemi kaq të lumtur që s’u gabuam. Nëse shkruani po kaq bukur siç përgatisni këto pjata të mrekullueshme ne duam patjetër t’ ju lexojmë. Do ishte kënaqësi të kemi në bibliotekën tonë diçka nga ju. Ju lutem!
-Klientët e tjerë tashmë të përfshirë në bisedën xhentile të zotërinjve që me sa duket kishin ardhur për herë të parë në këtë lokal, folën njëri pas tjetrit;
– Edhe unë, edhe unë dua diçka nga ju.
Një çast lumturie e përshiu dhe ndjeu mbështjelljen e dashamirësisë së pashpjegueshme.
Me mirësjelljen që e karakterizonte i falenderoi përzemërsisht duke u premtuar se së shpejti do t’u sillte diçka të saj në gjuhën e tyre.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s