Intervistë me autorin Isidor Koti / Intervistoi: Eltona Lakuriqi

 
Intervistë me autorin Isidor Koti
 
Dr. Isidor Koti është autor i 16 librave në lëmin e poezisë, romanit, publicistikës dhe komunitarizmit
Ka punuar pedagog dhe gazetar, prej disa vitesh është angazhuar me botime, trajnime dhe praktika në zhvillimin e jetës në komunitet.
Viti i lindjes dhe qyteti i lindjes. Gjirokastër, 1982
 
Për çfarë dege je diplomuar edhe në cilin qytet?
 
Të gjithë ciklin e studimeve e kam kryer në Tiranë:
Diplomuar për Gazetari, (2001-2005)
Master në Filozofi-Socilogji, (2006 – 2008)
Doktor Shkencash në Filozofi Komunikimi (2009 – 2015)
 
Të shkruash në dialekt apo standard?
 
Të kuptohesh. Unë mendoj se kjo është sfida. Kur shkruaj, gjëja e parë që mendoj është kujt i drejtohem, a do kuptohem dhe a do le gjurmë te lexuesi. Në stilin e të shkruarit, përveç gjuhës standarte që është më dominuese, e kam përdorur edhe dialektin në funksion të vargut të poezisë. Kjo ka ndodhur edhe në prozë.
 
Çfarë e bën të suksesshëm një shkrimtar të ri?
 
Nëse sjell risi. Duke tentuar gjithmonë një frymë të re në gjininë ku depërton. Unë mendoj se ka shumë subjekte dhe tema të paeksploruara nga realiteti, figura që meritojnë të ndriçohen, njerëz të thjesht dhe enigmatikë që në thelb përbëjnë një vepër, ngjarje të fshehura në analet e historisë, etj. Një shkrimtar këtë ka për detyrë të bëjë, si ta jetësojë dhe përjetësojë njeriun dhe fenomenin në penën e tij.
 
Prozë, poezi , dramë apo çfarë zhanri po lëvrohet më shumë?
 
Nuk mund të ekzistojë njësi matëse, përderisa nuk ka peshore. Kam përshtypjen se lëvrohet letërsi, më shumë sesa lexohet. Kësisoj mungon seleksionimi. Ky është problemi më i madh i kohës sonë. Nuk ekziston kritika që të ndajë “shapin nga sheqeri” dhe të evidentohen autorët e mirëfilltë dhe librat seriozë. Jemi në kushtet kur sasia dominon mbi cilësinë dhe nuk ka vijë ndarëse midis autorit dhe amatorit.
 
A ka një rol kritika letrare në orientimin e letërsisë?
 
Në gjuhën popullore do ju pyesja edhe unë: A ka kuptim gjella pa kripë? Gjella mund të bëhet edhe pa kripë, sigurisht, por mbetet pa shije dhe nuk kapërdihet. Sipas meje, të njëjtin funksion ka edhe kritika letrare. Është katalizator në këtë proces dhe jetike për të sotmen dhe të ardhmen e letërsisë. E megjithëkëtë, kritika mund të ketë vetëm rol orientues, jo përcaktues. Përndryshe letërsia nuk do ishte më krijimtari, por do kthehej një shkencë.
 
Çfarë lexohet më shumë nga lexuesit e ditëve të sotme?
 
Nuk jam i sigurt. Lexuesi është enigmatik. Ne nuk e dimë kush na ndjek e kush na lexon në krijimtari. Por nëse ekziston prodhimtari e bukur dhe e veçantë, nuk ka arsye pse të mos promovohesh nga të tjerët. Unë kam provuar përmes reagimeve në kanale të ndryshme komunikimi, që lexuesi ka sqimë të çuditshme. Duhet thjesht të dish si të depërtosh te ai.
 
A mund të themi se poezia është paragjykuar?
 
Poezia është çështje shije. Kush e ndien e brendëson. Ai që e do poezinë e kërkon atë dhe e gjen, sepse ka vullnetin e lirë që nuk e pengon dot asnjë paragjykim. Poezia është mister. Edhe autori që e shkruan një poezi, ndodh që çuditet në përfundim të hedhjes së saj në letër. Kush e paragjykon poezinë, nuk e njeh atë.
 
Libri klasik apo modeli online. Cili është më i suksesshmi?
 
Këtu futemi në marketing. Duhen pyetur shtëpisë botuese dhe agjencitë e shitjes së librit. Megjithatë mua nuk më vjen mirë të trajtohet kështu libri, si një mall konsumi apo më keq akoma, si një numër. Për mua e rëndësishme është të lexohet, pavarësisht mënyrës, on line apo print. Personalisht preferoj versionin letër, për arsye se e kam më komod për syrin, ndërsa varianti on line më shpërqëndron dhe nuk arrij dot ta përfundoj.
 
 
A është koha një tregues i mirë për shkrimtarin?
 
Koha të ndihmon të piqesh, sepse duke u ushtruar me penën krijon fizionominë dhe personalitetin letrar. Nuk mendoj se duhet të kalojë shumë kohë që të quhesh shkrimtar. Varet çfarë prodhon dhe si e përcjell te lexuesi. Pra koha është forma, thelbi është përmbajtja. Këtë nuk e them unë, e ka treguar koha.
 
Cilat janë veçoritë e një shkrimtari, krijuesi të mirëfilltë?
 
Të qenit unik. Vetëm duke qenë i veçantë dhe duke sjellë risi vishesh me mantelin e një shkrimtari tipik. Të gjithë shkruajnë, por nuk mund të quhen shkrimtarë, thjesht janë përsëritës të së njëjtës përmbajtje në forma të ndryshme. Shkrimtar, sipas meje, është ai që shkruan një përmbajtje të panjohur dhe që të bën për vete me strukturën e ngjarjeve dhe stilin e të shkruarit. Këto janë shtyllat bazë që ndajnë një krijues nga një imitues.
 
Liria e të shkruarit duke mos pasur filtra. E bën më cilësore apo më pak të tillë krijimtarinë?
 
Unë nuk e konceptoj dot si mund të shkruash sot letërsi nëse nuk je i lirë. Filtrat do ishte mirë të ekzistonin për të hequr “papastërtitë”, siç ndodh me ujin e pijshëm. Jemi në shekullin XXI dhe nuk duhet folur më për liri dhe filtra, por për një drejtim të ri të letërsisë, e cila nuk ka pse të endet në gjurmët e klasiçizmit apo postmodernes.
 
 

Intervistoi: Eltona Lakuriqi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s