Vincenzo Cardarelli
Kalendari poetik: Vincenzo Cardarelli (1887-1959)
U lind më 1 maj 1887 Vinçenco Kardareli (emri i vërtetë qe Nazareno Kardareli)), poet, shkrimtar dhe gazetar italian. Pati fëmini të vështirë: fëmijë i lindur jashtë martese; një krah e pati të gjymtuar qysh nga lindja; nëna braktisi familjen dhe atë kur qe në moshë të njomë; në shkollë shkonte me hope dhe studioi më tepër si autodidakt. Ishte 17 kur vdiq i ati dhe u largua nga Tarkuinia (vendlindja e tij) për në Romë, ku bëri punë nga më të rëndomtat. Rreth moshës 27 vjeçare i hyri gazetarisë. Më pas filloi të shkruante dhe poezi; mjeshtrat e tij qenë Baudelaire, Nietzsche, Leopardi, Pascal. Gjithmonë vuajti nga një lloj tuberkulozi i kockës (sindroma Pott), kjo gjë e bëri të jetonte i veçuar nga të tjerët. Vdiq më 18 qershor 1959 në një spital të Romës, i varfër, i vetmuar dhe i harruar nga të gjithë. Ja shqipërimi që përzgjodha për sot:
MIQËSI
Nuk njihemi më. Mendoj ato ditë,
dikur, kur u hasëm
dhe afërsia jonë më e ngushtë bëhej.
Pa u përshëndetur,
gjithmonë jemi ndarë,
të penduar dhe me “më fal” nga larg.
Kemi respektuar njëri tjetrin,
si egërsira të kujdesshme,
si gjuetarë të sprovuar,
me shumë mundim
duke mbetur si të huaj.
Kundërshti të dëshpëruara,
frikëra marramendëse,
të pakalueshëm e bënin afrimin tonë,
gjithmonë duke shmangur magjinë e të prekurit.
Dhe çka na mbeti përgjithmonë
është një krenari e kotë,
që nuk e lëshuam veten kur duhej
dhe diçka, përgjithmonë, na mungon.
© shqipëroi Maksim Rakipaj