Poezi nga Ekrem Ajruli

 
Poezi nga Ekrem Ajruli
 
 
FUSHATË BLEGTORALE
 
Ushtojnë këngësharjet- sa të buçet koka
Prijnë shtetrrënuesit-do ndryshojë epoka
 
Ndaj Atdheu im- sot mos u mërzit
Ja, të “stolisin bukur” pozitë-o(h)pozitë
 
Gëzohu lum atdheu- do ndërrojmë Qeveri
Ikin hajdutët e vjetër- se vijnë disa të “ri”
 
Gëzohu lum atdheu- do fitojmë të gjithë
Ata ulen në poste- ne gishtin në bythë
 
Pa shih si të “stolisin”- banderola pllakate
Ngjiten brenda dite- grisen brenda nate
 
Vijnë lukuni ujqërish- dridhet dru e gur
Vijnë me bajrakë lartë- lidhur me ushkurë
 
Mbahu lum atdheu- mos bjer në mërzi
Janë gjellë bajate- nga e njëjta kusi
 
Zili na kanë- Amerikë e Gjermani
Ata sa kanë fabrika- ne kemi PARTI.
 
 
DRITË E SYVE TU
 
Kur dritë e syve tu shkrep në sytë e mi
Zemra prushëron si eshkë e digjet n’vete
Një rekëtimë malli më godet nën bri
Kujtimet mbledhur shukë i lidh n’shervete
 
Nën vetullat tua shoh shikim hyjneshe
Në retinë t’syve digjen qindra përmallime
Nga buzëqeshja jote buzë-perëndeshe
Në net zanash shpërthejnë t’prushta agime
 
Gjergjef yjesh shoh lart në univers
Qëndisur me shije nga duar natare
Në mes të korbnatës këngën tënde pres
Të vijsh ballëpraruar si hëna lozonjare
 
Jo! s’i druaj territ asaj errësire ferri
Kur m’pshtjellë me ato dallgë frymëdjalli
Me shikim skifteri përbuz atë shije zeheri
Që kërkon t’ngufatë timen shpresë malli
 
Nisa fluturimin kah të ngrysurat re
Se i besoj fjalës të lënë amanet
Përmes shi lotësh do ngjitem atje
Mallin e përflakur loti nuk ma tret…
 
Edhe nëse nuk vjen hatri nuk më mbetet
Në takim njëorësh apo dhe të një dite
Etja nuk shuhet, jooo! as malli nuk tretet
S’fashiten përmallimet që digjen me vite.
 
Edhe nëntë plagë po i mora në shtat
S’ka stuhi as tufan që rrugën ma pret
Dhimbja është sfidë është shtrëngatë
Ndaj shpirti i trazuar varët i lidh vet
 
Ëndrrat mbaruan mbi atë pllajë djerrine
Krokamë sorrash dëgjoj në mesnatë
S’dëgjohet kënga yte këngë kanarine
Si duket u fashit diku n’mal të thatë.
 
 
FAQE LËKURËPJESHKË
 
Të prita netëve me hënë nën degë pishe
T’vijsh n’krah fluture me këngë majë buze
Eh, ligjërimi yt cicërimë dallëndyshe
Shpirtin ma galdon ajo buzëqeshje muze
 
Merrmë sygazelë në krah të këngës sate
Pushtom n’krah sirene gjer t’zbardh agimi
Ma shuaj prushndjenjën me shije afrate
Shtrëngom n’gjoksin tënd ku mugullon blerimi
 
Aromë borziloku erëmojnë buzët tua
Më syrgjinos ndër kopshtie ku këndon kumria
Prushbuzët hyjnore të kundërmojnë erëftua
Kukurisje fëllënze seç më sjell Jermia
 
Digjet shpirt im për faqet lëkurëpjeshkë
Kur dirgjesh si zanë lëndinës bleruar
Rregëtin zemërzeza e digjet prusheshkë
Kujton puthjet hajdutçe shpirti i trazuar
 
Vijnë këngët tua me erëmim behari
Vijnë të lazdruara rrjedhin gurrgullimë
Syri i gazelës vezullim qelibari
Shkrep mbi ballë timin posi vetëtimë
 
Derdhet kënga jote mbi do degë lajthie
Dehet shpirt im nga ajo këngë hyjneshe
Në rudina bjeshke çelin degë qershie
Jehon kënga jote simfoni laureshe
 
Tek dëgjoj atë këngë të zanës epike
Më trazohet malli sa njëqind tërmete
Zjarri nis bubullon nga këngë lirike
Vetullën ma përflakë sot ai bisht komete
 
Më ngazëllon kënga yte dhe sjell lumturi
Ndaj nisem qiellit me fluturim skifteri
Më dehin prushfjalët tua përplot magji
Do shtrydh mbi ballë tëndin ca ngjyra ylberi
 
Degdisëm netëndrrave hapin mos e ndal
Derdhi fjalëvalët mbi timen lëndinë
Unë mbi prushkëngë do fry si Mistral
Me buzëqeshje muze hiqma pak mërzinë
 
Eja më merr muzë mbi ato krahë ere
Derdh ato rreze dielli herët në mëngjes
Mbi buzën e përflakur fry si fllad vere
Të tretem ballit tënd porsi një pikë vesë.
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s