Leoreta Xhaferi (Albania)

 
Leoreta Xhaferi (Albania)
 
Leoreta Xhaferi lindur me 17-05-1975.  Kam mbaruar studimet në Universitetin Fan S. Noli Korçë, fakulteti Mësuesi dega Cikël i Ulët, diplomuar me master për Gjuhë-Letërsi dhe dy vjet shkenca politike tek Akademia Politike Tiranë, duke marrë titullin “Elitë politike”. Me një përvojë pune prej dymbëdhjetë vitesh në arsim. Kam botuar dy vëllime me poezi, i pari me titull “ Dhe vjen një ditë” i dyti “Materie inorganike”. Pjesëmarrëse në disa portale me shkrime, ese, opinione dhe analiza për problematikat e shoqërisë shqiptare që lidhen me llojet e dhunës në familje ndaj fëmijëve dhe femrave, arsimimin, formimin dhe lartimin e figurës së tyre në shoqëri. E pozicionuar më së miri tek vetja dhe shoqëria me besimin tek energjia pozitive si komunikimi që lidh universin me qeniet njerëzore, potenciali i inteligjencës emocionale dhe niveli logjik që poseidon çdo kapacitet njerëzor pavarësisht ambjentit dhe kushteve që jeta i ka afruar apo imponuar. Bazuar tek përvoja ime në mënyrë kategorike theksoj se “Triumfon mbi veten dhe çdo ambjent ai njeri që në kohë të dëshpëruara nuk kryen veprime të dëshpëruara” Jam e përulura para vlerave, dhe virtyteve të larta, por pa dyshim një kundërshtare rrebele përballë antivlerave.
 
 
BABAIT
 
Mbështetur rri mbi divanin që nuk deshe
ta braktisnim kur ikëm nga shtëpia jonë e vjetër,
ndërsa në heshtje lexoj rrudhat e tua
një,dy,tre,katër,pesë,sot shoh edhe një tjetër.
Të gjithave u di emrat edhe formën ua njoh,
vraga më e madhe mban emrin tim,
më kot mundohesh ta fshehësh,ajo është imja.
Sikur të mundja të pastroj ballin tënd,
ne vend të tyre të pikturoja veten ndyshe,
ah sikur,kështu me pak rrudha do të shihja.
Habitem,si nuk u ankove një herë për fatin tim!?
Unë t’i kam shtuar vragat mbi ball, e di,
por ti nuk ma the kurrë, veç heshte,heshte
me dhimbjen time dhe tënden dyfish për mua,
sytë i ke rënduar nga lotët që t’i pengon burrëria
ndërsa vitet rendin si ujëvara pa kthim,
koha më prezanton me rrudhat e mia.
 
 
Një gruaje
 
Ajo Iku….
Pa orenditë e vjetra
që ja dhanë të tjerët,
la pas krahëve
supën e hidhur
gatuar me skamje,
për çdo mbrëmje.
Në fillim…
e gjykuan, e shanë
pastaj i dhanë respekt,
e ndoqën, e imituan.
Ajo ecën…
me veten për dore
Askënd nuk gjykon,
me hapat e heshtjes
ndjek lirinë…
turmën mëshiron….
 
 
 
Po iki…
 
Po iki me këmbët tërhequr zvarrë,
këtu asgjë nuk më ka mbetur, nuk kam pse rri.
Braktisur, po shkoj sa më larg gjithçkaje, që pa mëshirë mundimshëm më torturon. Trishtimi si lak në grykë frymën po ma merr.
Mbi grumbuj gërmadhash nxitoj, fundosur në puset e pikëllimit, e harruar, si një pasagjer i vetmuar, hipur mbi largimin. Dëgjoj, nota këngësh që dikur bashkë kemi kënduar në një zë, në një kohë dhe sot dy zëra të largët kemi mbetur.
Dhimbshëm po iki me sakrificat shteruar,
si hije stërgjatur rrugëve në zbrazëti.
Larg, shumë larg, por jo deri në varr.
Penduar mos më kërko,
s’do të kthehem kurrë.
Po iki, e pafajshme,
brengat rëndojnë në shpirt,
bashkë me sakrificën time, tashmë të shterur, që ti s’u përpoqe ta njohësh asnjëherë.
Po iki….me trenin tim,
ndonëse të vonuar…..
 
 
KATAKOMB
 
Ah moj gjuha e nënës time!
Mësuar belbëzimit tim fëminor,
Aty gjoksit stërrall driadës hyjnore,
Aty qumshtit pellazg, trojan mëkuar,
Aty Dodonës shkëmbinjve kodikë shkruar.
 
Të shkel unë miopi s’shikoj,
Flas, qesh, qaj rrenqethshëm morteve.
Dasmave hedh valle e ëmbël këndoj,
Fjalët e tua burojnë damarëve të gjakut,
Gjuhën time unë e quaj të huaj.
 
Bota jonë me shpirtin e Rashelës ty të ka vdekur.
Mantelet e fustanet e saj prosti.
Gjuha e nënës time mbirë Babelit e Edenit,
Katakomb, eshtra e gjuhëve të botës heshtur.
Me ty foli Çezari e Pilati dikur
Kodrës golgate, mëkatit të Betlehemit.
 
Gërmat e tua të florinjta çdo ditë,
Përdhosen e mohohen nga ne të tutë bij,
Por do vijë dita do të vijë,
Kurorën tënde, buzën tënde do ta kesh.
Bijve të tu që pinë tëndin gji.
 
Katakombeve të tua kam
hyrë,
T’i mbledh e qëmton fjalët nëpër glob.
Sa të thur kurorën e fjalëve të mohuara,
Nuk vdes kurrë, ka thënë i madhi Zot.
Bakallëve të shitur e gjak përdhunuar,
As varre vemjesh su jep kjo tokë.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s