VARGJE TË PËRJETSHME / Cikël poetik nga Grigor Jovani

 
Cikël poetik nga Grigor Jovani
 
 
 
VARGJE TË PËRJETSHME
 
 
IKONË
 
Mbaj mend mamanë që e ndiqte kur hante i uritur
– me t’u kthyer nga puna –
dhe nuk dija ç’e ndjente atë çast atin tim:
burrin e saj,
dashurinë e saj,
shenjtin e saj,
apo të tria?
I shikoja sytë tek ndiqte burrin e saj duke ngrënë
dhe më vinte në mendje
Shënmëria.
 
 
POEZIA
 
Ç’është poezia? Një thes i pakuptimtë,
aq i rëndë,
sa të dhëmbin gishtërinjtë,
kur e zbraz
në pazarin e gjërave të zhvlerësuara.
 
Zor t’i blejë njeri. Interesohen
njerëz që kanë harruar kuletën në shtëpi.
Dhe ata,
që kanë mbetur të varfër qysh në djep.
 
Kurse poetët?
Fërshëllejnë gjoja asnjanës,
por nuk kanë asnë monedhë në xhep.
 
 
HIJE TË TEJDUKSHME
 
Eci nëpër rrugë dhe flas
me hijet. Shfaqen nga pemët.
Nga retë lart: hije të tjera.
Janë ca figura të tejdukshme,
i prek me dorë
dhe shkrijnë të tëra.
 
Hije që koha i harroi
gjatë një kalimi edhe mbetën.
Si qiparisat mbi varreza,
lëshojnë shi,
por nuk u tretën.
 
Hije që shkrinë brenda në shpirt
mjergulla gjysmëshekullore.
Të fjetura dhe të padukshme,
ngjallen sërisht,
të zenë prej dore.
 
Të rikujtojnë kaq shumë balada,
netëve të heshtura,
të gjata.
 
 
PASHAPORTA
 
Për të ardhur tek ty,
nxora pashaportë me njëqind halle.
Por ti,
bëre se s’më njohe dhe më talle.
 
Ma vodhën dhe atë në hotelet e lira.
Gjeta punë garson,
në lokale të ndyra.
 
Nuk më dhemb,
që nuk më hape portën,
se sa që humba pashaportën.
 
 
E PËRJETSHME
 
Ky tis i lëngshëm,
që të bie mbi supe,
që e shkel me këmbë,
nuk është thjesht shi.
Janë flatra ëngjësh,
pluhur yjesh,
lotë resh.
Një përjetësi!
 
 
PRANVERË EKZAKTE
 
Kur vdiq babai bënte ftohtë në fshat.
Të ardhurit ndizefiknin duhan,
kishim lënë të hapur një dritare.
Gratë vajtonin,
burrat qanin pa zë,
por jashtë natyra nuk trishtohej fare.
 
Kishte hyrë marsi. Një degëz qershie
zgjaste kokën në dhomën e mortit.
Një dallëndyshe mbi parvaz,
sikur habitej:
“S’i gëzoheni motit?!”
 
Kishte ardhur pranvera,
siç kish ardhur dhe vjet,
kur ish gjallë ati im i ndritur.
Ajo vjen ekzakt. Por ndonjë prej nesh,
nuk do jetë, si gjithmonë, për ta pritur.
 
 
“ADDIO”
 
Nuk kemi thënë “Addio!”, zemra ime.
Përtyp si çimçakiz vargjet e tua.
I ngatërroj me puthjet. Që të dyja,
si dreq i dua!
 
Përgjersa vargjet t’i përtyp si puthjet,
gjersa “Addio!” s’kemi thënë akoma,
të ndarë nuk jemi,
ende jam tek priza.
 
Pres të më çosh të tjera çimçakiza.

One thought on “VARGJE TË PËRJETSHME / Cikël poetik nga Grigor Jovani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s