Kalendari poetik: Trifon Xhagjika (13 maj 1932 – 24 dhjetor 1963) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

 
Trifon Xhagjika
 
Kalendari poetik: Trifon Xhagjika (13 maj 1932 – 24 dhjetor 1963)
 
Poet shqiptar, i pushkatuar nga regjimi kriminal enverist. I përjetshëm kujtimi i tij!….ata janë ende në pushtet…Eshtrat e Tij nuk dihet se ku janë, poeti që kërkoi një top të godiste regjimin, nuk ka varr. Vetëm në Shqipëri, në ish Bashkimin Sovjetik dhe në Spanjë (José María Hinojosa dhe Ramiro de Maeztu) janë pushkatuar poetët disidentë antikomunistë.
 
 
KËNGA E VERBËR
 
E shkreta ti, o Republikë
u blatohesh të zotërve
pa e ditur ç’janë.
Dritën ta shuajnë në terr
e ditën ta ndezin;
bukën ta shtrojnë në sofër
e duart t’i presin;
në burim të çojnë
e gojën ta mbyllin.
 
Ata të kthyen në metelikë!
E shkreta ti, o Republikë,
e çmendura ti, o Republikë,
gënjeshtarja ti, o Republikë,
kusarja ti, o Republikë!
Me emrin tënd, të vjedhin jetën.
 
Sa do të doja
që ballin e ftohtë
me dritën e rrufeshme të ma përkëdhelje,
ëndrrat e ngrira të më zgjoje.
Me tmerrin duke shkuar
do të kuptoja dashurinë e jetës,
kur je në gji të nënës.
O njerëz të thjeshtë,
ju dua!
Mund t’ju shërbej
si ushtar, si shërbëtor besnik.
 
Veç me mua ejani,
t’ju rrëfej të vërtetën
që ndrit.
Të dinë udhëheqësit lart
dhe e larta Republikë
se nuk jemi
as të verbër
as të shurdhër në politikë.
 
O Republikë e pabesë!
T’u fala
si kristiani Krishtit,
po ç’më dhe?
Dhe diellin do të ma zësh.
Turp,
Atdhe!
S’dua ta di kush je!
Tek ty jam
I lirë pa liri,
I gjallë i pajetuar,
I vdekur i pavarrosur.
 
O vendi im
O Republikë!
Në ç’rrugë po ecën tani
me duar të gjakosura,
me sy të çuditshëm?
Vetë jeta çudinë ta zmadhon
e të ardhmen ta shuan.
E pikëlluar
mashtrimi i buzëqesh.
Shko!
Shko, o Republikë!
Mua më duhet të eci në rrugën time.
Nga nata ilegale
ku ndrydhen qëllimet,
të dal në ditët e të ardhmes,
të ngre flamurin e besimit tim.
Aty
të shkruar e kam biografinë,
të pastër e pa njolla.
Dhe, ti, o Republikë,
e gjora republikë,
do të jesh përsëri me mua.
Po tani,
të të pështyj unë dua,
se ti nuk pate turp
të mbytësh historinë.
Me këtë këngë të verbër
të ngre në gjyq,
në gjyqin e të heshturve.
 
Ç’të të këndoj më? Trishtimi po më mbyt.
Lodhja dorën ma përshkon.
Por tërbimin nuk e ndal dot.
Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha mu zgjidh.
Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura
do të dëgjosh zërin tim:
“Të urrej o Republikë,
lavire e zotërve gjakprishur!
 
 

Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s