Poezi nga Agron Shele

 
Poezi nga Agron Shele
 
 
Thoti e tha…!
 
Thoti
*Zoti i asaj që tha
tek zbresim shkallët
e amfietrit të lodrës njëzore
që mendojnë se ngritën pluhur mbi epopenë e betejave
ku gjaku i ngritjes së perandorive u shndërrua në besim
psaltit cak, e ca më pak
që në emrin tënd shtuan skllevërit e përunjur
dhe përvuajtjen
e velave të thyera
që kur ulen, do të thotë se i zbritën jetët
por nëse qëndrojnë hapur largojnë dhe më shumë
viseve të verdha
brezat e rilindjes së shpirtit
dhe apostujt
në frëngjitë e kudrateve të rrezes së fundit
ndërtojnë epigramin
e rebusit në zgjidhje
dhe fatkeqësisë së Shekspirit:
që ku engjëjt vdesin
djatë ngrihen mbi tokë e fshihen pas fytyrave më të bukura.
 
Kam heshtur
falje për çdo dritëhije që vret muret e kujtesës
dhe kam shkruar
të pathënat e mia
tej atij guri që është gati në rrëzim
pa ditur se një mijëvjeçar *Pini plak dhe *Pini i ri e gdhendën
për të thënë:
Hej, ju që vini pas nesh
jetuam për t’ u rrëfyer një udhë
shkëmbin u’ a kthyem në dritë
Prometeun me mëlçi të kafshuara në dituri,
prandaj boll flejtët
boll u gdhitë dhe errët botën e Perëndive
zgjohuni e merrni fatin tuaj në dorë
kudo pishtarë që shndritin liri!
 
Thoti, kult që e gjej kudo nëpër botë
zot i fjalës së shkruar në çdo gur
erdhi nga orakujt e më të fundit gjenezë
parashtroi heshtën e Pallazgut mbi Antlatidë
pastaj rrëmetin e oqeanit që e mbuloi
njëlloj si pluhuri i nxehtë mbi Dinosaurë,
njëlloj di vala mbi jetën e përmbytur,
njëlloj si flaka mbi Pompeun e zhuritur,
njësoj si grushti i mijëvjeçarit mbi primitivizmin e arsyes.
 
Thoti e tha:
gëzim mbi përvuajtjen e shekujve
ngadhënjim mbi dritëhijet e shpirtit!
 
 
Akrosik
 
Nuk je ti që flet
as belbëzimi në copëza të pakuptuara
është gjysmë pasthirrmë e mbetur në ajër
zë i panumërt i njerëzve që gurojnë dhe gërthasin.
 
Shpjegim: Nuk je ti që flet, është më shumë se një jehonë e zërit të të parëve tanë që na udhëheq përmes shpirtrave të tyre)
 
 
Më duhet…!
 
Më duhet të qëndroj sikurse jam
pa duar të lidhura,
sepse prangat e dhimbjes i kam flakur që në lidje:
vdekjes ja fal
dritës së zbehtë s’ ka shans,
prandaj lexoj përherë e më shumë dishepuj,
se ata e shkruajtën të pathënën e yjeve
dhe flakërimë e bënë shpirt të zjarrtë
që çdo kush të trokasë në derë dhe të rrëfejë të drejtën e *Hyjnive pa frikë!
 
 
Një degë dafine
 
E mirë është jeta!
E mirë dhe vdekja, sepse ligji natyrës të çon në paqe
e thotë *Asketika
e them dhe *unë
dhe atje ku katakombet rrëzohen ngrihet tjetër shëmbëlltyrë
e asaj që tajfunet shembin e ngrejnë fyrtyrën e re,
përqasjen e një memorie të lënë në mes,
ku varkat e marrin në liqenin e shkretë mesnatës së vonë
vozitjes së trishtë
yjeve të fikur
në të fundit udhëtim, që do e zhytë botën në harrim!
 
Nuk po ju flas për *Hegel
Espinozën kurrësesi
që përmes xhamave kthjellonte pasrtrimin e i thoshte të vobektit njeri:
shiko përtej vetes
se do rikthesh Senekën
humbur mes rebusit fjalë
e Chaikovski në duel të heshtur
tek ngrinte gjithë teatrin jetë dhe e kthente në kaos,
ndërsa dishepujt
flakin rrëmbimin e urrejtjës
që ti i thjeshti njeri
të kuptosh se bota është më e madhë
dhe gjurmët ngelen dhëmbë *Kadmi
gjurmë për çdo psherëtimë e fëshfërimë
në një kurorë të vetme,
rrethuar me degë dafine..!
 
 
Shndrit
 
Dita ime e prapë
ardhur pas portës që troket në memorie
tek kujton kohët kur vrapoja lirishtave
tashmë të pushtuara nga flogu i tymit!
 
Ndoshta ajo re do hapet
dhe rrezen e ditës do e rikthejë sërish,
jo për sytë e vegjëlisë time
por për një botë që të tërë e shndrit.
 
 
Aos (Vjosa)
 
Aos s’ ka rrjedhe kurrë i qetë në ato vise
por ka rrëmbyer zemërimin e Zeusit
në flakë e rrufe e ndizte Pindin
që paqen e përjetshme ti falte *Premt- Premtimit.
 
Ajo kurorë ish fluturim mbi shkëmb
larë prehjes së pragut të një lumi
që Dodana të vishej në degë dafine
e të bëhej përkrenare të harkut të triumfit.
 
Tashmë ato shkumëzime të bardha i shikoj
që rendin pa reshtur floknajës së një vashe
tek vërtiten ajrit në stërkala stenash
e gjegjin klithmën e zogut të lirisë.
 
E bekuar Vjosë më ndih si të ndiej
si vrull dhe dhimbje që dashurinë e fsheh
ti një rrjedhje që ndoqi •Çezari
unë një bulëz që të zbuloj shtratin.
 
 
Leusë!
 
Ati im
ti që më pagëzove me Gjon pagëzorin
tek pagëzove tërë arbrit
e më the;
këtë veladon që po të hedh shtatit
mbaje për mijëra vjet
se ky kryq është shenjti i një ylli që lind në Europë
dhe unë e ndjek i verbër përjetë.
 
Më kujtove dhe urnat e gërmadhave të fshehura
që gurët kanë shembur pëmbi lumë
por shtjellat e viseve të mia
i zbardhin në të shenjtat bekime ndër kryq.
 
Paganët dhe shqyrtarët flenë pranë e pranë
ata me besimin e shkëmbit të diellit
menhirit që jam strukur kur binin rrufetë
por dhe shandanit të ndezur në diejt e bekuar
të gjenezës që më tregon veriun
se dielli lind nga Perëndimi
dhe perëdimi fle nën kupolën e engjëjve që ndjekin kryqin! .
 
 
Sikur molla…,
(motiv persian)
 
Sa e ëmbël, por dhe sa hidhërim
sa e shenjtë, por shtyn dhe në mallkim
qëndron e zjarrtë kur sytë të përpin
vetëm ta shikosh, të kall gjer në harrim.
 
Frut i ndezur dhe dorë e tunduar
që zgjatej mëkatit atje në Eden
kafshimi përshpirtjes, fat i vdekatarit
një Evë e marrosur tretjes së Adamit.
 
Prapë ngjyrë e kuqe, zemër në miklim
gishtrinj të shtrirë prekjes drithërimë,
pasthirrmë e shtrigës humbur nëpër pyll
Borëbardhë e heshtur pritjes në vegim.
 
Pastaj lulet, ardhur me pranverën
valëzim i stinës, lundrim bashkë me erën
përqafimi vetëm trofe mbi kurorë
përndritje e fundit, rrënjëzuar nën mollë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s