Poezi nga Mark Simoni
GRUA E BUKUR
Ti grua e bukur,
Që shëtit sonte në park,
Mos e humb dhe hidh pas krahësh
Vështrimin e ëmbël të atij burri
Që sapo kaloi.
Se mund të të ndodhë si me anijen e vjetër,
Që në molin e vetmuar u plak,
Dhe nga zgafellat e saj
Akoma dëgjohet kënga e kapitenit të çmendur,
Që këndon me mall
Për pulbardhat që s’janë më askund.
Ndaj ti, grua e hijshme,
Që zbukurohesh nga vështrimet e burrave,
Shikimet e ëmbla mos i humb.
FJALËT I KA MARRË MALLI
Fjalët i ka marrë malli për ty.
Ndaj mos u çudit nëse një mbrëmje
Nê zarfin që kam nisur tek ti
Ke për të gjetur një fletë të pashkruar, të bardhë,
Fjalët ta kanë braktisur letrën,
Për të mbërritur tek ti sa mê parë.
Edhe fjalët i ka marrë malli për ty.
TRUPI I ASAJ GRUAJE
Pasi bënë dashuri,
Gruan e bukur e zuri gjumi.
Ai mori një tufë lapsash me ngjyra dhe akuarelin,
dhe nëpër trupin lakuriq të gruas që akoma fërgëllonte,
nisi të shkruante ca vargje këngësh të çmendura dashurie.
Mbi gjinjtë e fryrë, që vinin aromë lulesh të egra pylli,
bëri një pentagram të çuditshëm, mbushur plot me sy si të gruas,
dhe me nota të melodive të shelgjeve që vareshin mbi pellgje uji.
Gjithë fushtirës së hijshme të barkut,
vizatoi përrenj ujrash nga dëborat e shkrira,
dhe ca lulekumbulla të sapo çelura.
Shpinës, që nxirrte akoma një avull të lehtë,
shkroi vargjet e këngës së një endacaku që ikte mbi kalë,
duke i kënduar të dashures, që e kërkonte prej vitesh dhe se gjente dot.
Mbi vithet e lakuara pikturoi ca dallëndyshe,
që fluturonin nëpër një qiell të çuditshëm,
dhe sdihej se për ku.
Kur erdhi mëngjesi,
ai vuri re se përtej dritares,
bota qe hijeshuar e harlisur
dhe bërë akoma më e bukur, nga se çkishte qenë një ditë më parë.
Ndërsa gruaja sapo hapi sytë, krejt e lumtur
tha se kishte shikuar tërë gjumin
ca ëndërra të bukura.
U shtriq pak,
Dhe pastaj bënë prap dashuri.