Poezi nga Rudina Muharremi – Beja

 
Poezi nga Rudina Muharremi – Beja
 
 
Fjalët
 
Fjalët,
si melodi e shpirtit
udhëtojnë brenda vetes
depërtojnë ngurtësisë së zemrave,
e si lumej vraparak
trazojnë mendimet
në ndjesi drithërimash,
binarëve të rrëmujshëm kapilarëve
ndërsa nganjëherë,
zhuritur etjes…
bien honit të errët,
ku mjegullat pëlhura endin
e fshehin stigma të moçme
që kaherë gërvishtin me jehonën e hekurt…!
 
 
Pa Lamtumirë …!
 
Më drobitën netët kur frymën ta ruaja
krahët u thyen të përhumburit gjumë
zogj të hirtë nga qiejt tinëz zbritën
të vodhën nga unë…
 
M’u mjegulluan sytë babë
e fjalët në ajër më mbetën pezull
ndërsa shpirti yt i zhveshur nga jeta
ngjyrëvenitur hënës i rrinte nën vetull.
 
Engjëj udhëtuan me fluturim ere
e mua atë natë më lanë pa perëndi
ma shembën kështjellën e bukur të ëndrrës
më lanë pa Ty…!
 
Por ti mirë e dije se përherë do të mbetesh
dashuri prej prindi, përjetë shëmbëlltyrë
heshtën frymët tona, vdiqën edhe lulet
por zemra kurrë s’të tha lamtumirë…
 
Ndonëse mantelin ta mbështolla gushës
e lulet përqark përhapën freski
qielli shpalosi velin e trishtimit
e pikëllimi yt më mbeti në sy.
 
 
Melankoli…
 
Mbi fjalët ra heshtja e gjatë,
e melankolia u përkund mes gëzimit dhe dhimbjes,
kacavjerrë në pafundësi muresh të bardhë,
për t’u prehur prehërit të agimit,
me pergamenë mimike për të ardhë…
 
 
Ishte prill…
 
Ishte prill, nënë…
E mban mend,
kur në këmbim të sfilitjes së ditëve,
buzëqeshjen e parë të dhurova
e rrahjet e shpeshta të gurgullimës jetë,
që vrapuan me bukurinë e lotit
duarve të tua të buta,
që aq shumë më kishin pritur,
ndërsa zemra jote e tejmbushur
si një mrekulli mbështjellë me fërgëllimë
m’u bë strehë?
 
Deri atëherë
pranverat ëndrra endën,
Cçelën sythe të pafajshme
e unë,
si lundërtare shpirti
renda me to
me rrezen e vagëlluar,
me erën e luleve që më mbarti,
përkëdhelur alkimisë së flladeve,
horizonteve përherë e më të gjerë,
e mbi shpinën e qyteteve,
që dergjej pritjeve të përmallshme,
për t’u rikthyer gjithmonë strehës tënde
e për të të rigjetur …!
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s