Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj

 
Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj
 
 
Shkrirja…
 
Jehonë e shpirtrave të padukshëm sillet rrotull
në heshtjen e madhe të yjeve,
ku rruga e ndritshme çon në burimin e mistereve të qiejve të lartë hyjnorë,
në kërkim të harmonisë së ëmbël paqësore,
duke thirrur pranë të mëdhenjtë e shenjtëruar
për shkrirje me ta në ëndrrën e zotërimit të fjalës.
 
 
Në kërkim ekuilibri
 
Nga goja e kohës rrjedh marrëzia pandemike
e çmend mendtë e krejt tokës,
me ëndrrat e thyeshme të stinës së vetmuar,
vrarë nga maskat e shtiruara të pafytyrësisë
që fle thellë syve tinzarë,me zë elokuent
që kërkon të bind për përsosmëri
ku djalli shndërrohet në ëngjëll,
po që shpejt i del magjia
me shiun e parë të lotëve,
kur vajton mjerimi e dhimbja
e përmbyset arkitektura moderne,
shfaqur me urrejtjen e ëmbëlsisë së fjalëve,
që përçmojnë ndjesitë njerëzore
me anë të retorikës mashtruese,
gjoja “ideve të reja”, të vjetra sa neandertali.
Po në çdo epokë ka veshë të mprehtë,
që dallojnë tingujt nga njëri-tjetri.
Vetë koha ndëshkon ata që u munduan t’ia hedhin.
 
 
Egocentrizëm…
 
Ti nata që shkoi,
unë dita që vjen,
peng te njëri-tjetri,
kur hëna del,
fjetur e zgjuar,
bashkuar të dy,
dy gjysma bardhë e zi,
I ndryshojmë vendet
për pak harmoni
në egocentrizëm surrealizmi…
 
 
Shpresa si feniks
 
Tragjeditë moderne të botës
dëgjohen me pëshpërima të mbytura dhimbjeje
në pamundësi frymëmarrjeje
me sytë e shpikjeve shkatërruese virusale
që sjellin dëshpërimin e jetëve
me të ardhme të errët,trishtuese
që kërkon dritën në fund të tunelit,
kur mohon Zotat e i sfidon për ego,
të shumta do të jenë shuarjet e “lamtumirat”
në luftën e krijuar nga errësimi i arsyes
në fikjen e përkohshme të shpresës si feniks
që do të rilind mbi vdekjen e vetësjellë,
me zjarrin e shenjtë të dashurive
në emër të JETËS,
me rrënjë të forta lirie
ushqyer prej hirit të të parëve.
 
 
Arratisje…
 
Arratisen sytë hapësirës,
hamenden s’di se ku,
në përjetësinë e shpirtrave,
që zhurmojnë heshtur këtu.
Udhëtare e hijes së vetvetes,
në ecje pa ndalur,kuturu,
thellë të padukshmes mistike,
fantazon dritë vezulluese,
errësirës së pafund
çfarë është shkruar,
nuk mund të ndryshohet.
Portat e misterit,
janë mbyllur përgjithnjë,
ndërsa heshtja ushqen maturinë
që fermenton mendimet
në dualitet pranie e mungese,
ngritjeje e rënieje,
në ritual dhimbjeje
në grindje me veten
në pajtim me kohën,
në arratisje përgjithnjë…
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s