NJË TRILOGJI E PAZAKONTË (Rreth tre romaneve të autorit Mexhid Mehmeti) / Nga: Dr. Bardhyl Maliqi

 

Mexhid Mehmeti

 

NJË TRILOGJI E PAZAKONTË
 
Tre romanet: “Furtuna”, që unë do ta emërtoj pak ndryshe, “Fur-Tuna” “Kalvari” dhe “Tuna”, përbëjnë një trilogji, por trilogjia “Fur-Tuna” si intervenim në psikologjinë e dhunës dhe të epshit të një epoke është një vepër e pazakontë. Me formësimin e kësaj triologjia atipike, pasi në të vërtetë unë për lehtësi e quajta triologji, autori Mexhid Mehmeti në vitin 2012, pas ndarjes së dy linjave të veprimit, krijon dy vepra me po këtë bazë. “Tuna” nxë 223 fq. dhe “Kalvari” 156 fq. Gjthsejt 379 nga 206 faqe, që qe “Fur-Tuna” në fillim, shtesa është plot 173 faqe, pra gati dy herë më shumë lëndë romanore. Themi se kështu është përftuar një dyfishim i veprës, por a është ky një dyfishim i vlerave të saj?! Unë do të them fjalën time, por në të vërtetë i mbetet lexuesit ta përcaktojë.
 
Kjo trilogji atipike është realizuar nga 2007-ta në vitin 2012, pra në 5 vjet. Nuk jam krejt i bindur se kjo është gjë e mirë, apo një çoroditje e lexuesit. “Kalvari” është një vepër e tmerrit dhe terrorit, pra e realizmit ekzistencial, ndërsa “Tuna” një vepër romantike, erotike realiste kritike edhe magjike njëkohësisht. “Fur-Tuna” në të dyja linjat e veprimit furisë së masakrës serbe dhe kalvar-it të të shpërngulurve me dhunë nga njëra anë dhe Tunës si krijesë magjike krijonte një lehtësim për lexuesit. Të ndara veprat kanë tiparet e llojeve të kombinuara, por me më pak magjji. “Kalvari” e tepron me dhunën, por qëndron brenda llojit. Por edhe “Tuna” nuk lexohet lehtë, teprohet me skenat gati të përsëritura erotike dhe dialogë të koklavirur, ku autori shtron vizionet e tij për shumë tema të jetës, të shkrimtarisë dhe gazetarisë.
 
I pari është i vitit 2007 e dy të tjerët të vitit 2012, megjithëse janë tre vepra të veçanta ne do t’i shikojmë dhe analizojmë si një trilogji romaneske e pazakontë, pasi në bërthamë “Kalvari” dhe “Tuna” janë në të vërtetë siç thamë dy linjat kryesore të veprimit brenda romanit “Fur-Tuna”. Simbolikisht në përputhje me përmbajtjen e veprave rrokja fur e romanit “Fur-Tuna” shpreh dy karakteristika, nga njëra anë furinë e ngjarjeve që analizohen në roman, rrebeshin e padrejtë të pushtetit serbosllav ndaj popullsisë së pafajshme të Krahinës Autonome të Kosovës, vetëm se ata ishin të një etnie dhe besimi tjetër, megjithëse ishin pjesë përbërëse e Ish-Jugosllavisë së “Vllazërim-Bashkimit” demagogjik!
 
Kosova u emërtuar padrejtësisht Krahinë Autonome, megjithëse në numër të popullsisë ishte më e madhe se Maqedonia e sotme e Veriut apo Mali i Zi. Dhe nuk ndodhej me dashjen e saj brenda të ashtuquajturës Ish-Jugosllavi, por me vendimin e padrejtë të fuqive evropiane në fillim të 10-vjetëshit të dytë të shekullit XX, një vendim i Konferencës së Ambasadorëve 6 fuqive të mëdha evropiane të Londrës, që apriori vendosi në favor të Rusisë, Ish-Jugosllavisë e Greqisë tokat shqiptare duke i ndarë ato në pesë shtete, duke rrezikuar edhe mos ekzistencën e shtetit shqiptar në Ballkan, siç treguan përpjekjet e mëvonshme që u penguan vetëm nga vetua amerikane e presidentit Uillson në favor të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, pra furia e luftës, e dhunës, e masakrave serbe në Kosovë synoi dëbimin e plotë të shqiptarëve dhe shpopullimin e Kosovës për të vendosur aty më vonë popullatën e vetë serbe.
 
Kjo shkaktoi “Kalvarin” e shqiptarëve të dëbuar nga trojet e veta amtare drejt vendit amë, shteteve të tjera, por edhe në drejtim të Evropës. Kjo shpërngulje e dhunshme me vrasje, grabitje të pasurisë, duke ushtruar dhimbje fizike nga njëra anë dhe dhunë psikologjike nga ana tjetër, në fakt është bërthama e romanit të mëvonshëm “Kalvari”.
 
Romani “Furtuna”i Mexhid Mehmetit është krijim për tronditjen e madhe historike që ndodhi në këtë hapësirë dhe në mënyrë të veçantë për pasojat e saj, pra për luftën, por njëkohësisht edhe për alternativën e saj, për dashurinë. Më parë se një absurd, them se qasja e tillë është një përpjekje për ta ofruar totalitetin e jetës, për ta gjetur rrugën, duke shkelur nëpërmjet purgatorit, nga ferri në parajsë, gjithnjë i përballur me dilemën se nga e cila anë mbeti, në të vërtetë, parajsa.
 
Ndërsa në romanin “Tuna” që lexohet dhe shqiptohet qartë pas heqjes së rrokjes së parë të romanit “Fur-Tuna” kemi dashurinë e vajzës së mjekut, që e gjeti të atin në moshën e adoleshencës, pas vdekjes së të ëmës dhe bashkëjetesës së rrezikuar me njerkun e alkolizuar. Këtu linja kryesore e veprimit është dashuria, që lind mes të njohurit të të atit, mikut dhe pacientit të tij, të Milotit me Tunën, që është dy herë më e vogël, studente në gazetari. Kjo dashuri e pazakontë, pasi Miloti e ka gruan e tij, Hylën në shtëpi e kështu mund të konsiderohet edhe e paligjshme dhe e pamoralshme, në të vërtet ka moralin dhe ligjet e veta! Derdhja e llavave shpirtërore të dy vullkaneve të ndryshme tek njeri-tjetri dhe shkëmbimi i përvojave të përmbledhura në një Intervistë Totale bën të mundur që të kuptojmë se cilat ishin shkaqet e vërteta të brendshme pse Bashkim Vëllazërimi i Josif Broz Titos nuk funksionoi dhe Ish- Jugosllavia u shpërbë.
 
Nga njëra anë shkak i shpërbërjes ishte fakti se Ish-Jugosllavia ishte një Federatë e përbërë nga dhjetë nacionalitete të formuara dhe të profilizuara në aspektin etnik, kulturor dhe gjuhësor si njësi më vete. Trajtimi i pabarabartë i këtyre nacionaliteteve: serbe, sllovene, kroate, boshnjake, shqiptare, maqedonase, malazeze, bullgare dhe hungareze, këto të fundit si pakica etnike shkaktuan ““Kalvarin” e luftërave në Bosnjë Hercekovinë dhe në Kroaci dhe dëbimin e shqiptarëve përdhunshëm nga trojet e tyre etnike në Kosovë.
 
Nga ana tjetër shkak i shpërbërjes së Ish-Jugosllavisë janë gjithë moria e problemeve të pasqyruara në intervistën e Milotit me Tunën, që i brenin nga brenda të gjitha këto nacionalitete dhe kjo lidhet me pushtetin politik të Ish-Jugosllavinë dhe me thelbin e kapitalizmit si sistem shoqëror nga ana tjetër, pasi do të ishte marrëzi që në këtë periudhë, ku vendosen ngjarjet e veprës (vitet 97-98 të shek XX) të merreshim me socializmin e Ish- Jugosllavisë, që de fakto ishte një hibrid kaptalisto-socialist apo më mirë të themi se kapitalizëm qe realiteti dhe socializëm vetëm maska politike e Ish-Federatës Jugosllave, e krejt Evropës Lindore dhe e Rusisë?!
 
Faktori i tretë i shkatërrimit të krejt Evropës Lindore, që rezultoi me të vërtetë vendimtar, ka qenë trysnia politike, ekonomike dhe ushtarake e perëndimit mbi “Lindjen Komuniste” për ta shpërbërë dhe për t’ia marrë rininë si shërbëtore të popullsisë të saj të plakur, por kjo nuk është pasqyruar në veprën e autorit Mexhid Mehmeti, i cili vetëm në novelën e fundit të “Ferrparajsës II”, i vendos ngjarjet e Fatit të Çlirimtarit (Sindritit) në Europën Perëndimore, për të treguar humanizmin e fasadës dhe betonizimin e skllavërisë. Pasi fatin e Sindritit në të vërtetë e shkaktoi pabarazia shoqërore dhe etja e popujve më të mëdhenj ndaj atyre më të vegjël në Ish-Jugosllavi.
 
Siç e shohim këta tre romane përbëjnë një trilogji të pazakontë, e po të përdorja të huazuar gjuhën e Mjedës “dy qershia lidh në një rrëfanë,” në fakt një kumbull “Kalvari”, e një qershi “Tuna”, të lidhura në rrëfanën e “Furtunës”. Romani “Fur-Tuna”” që në kopertinën simbolike ka një njeri pa kokë, pranë fasadës së një muri me pllaka, që qëndron në këmbë në një mjedis hedhurinash, kemi në të vërtetë dy linja veprimi, por një personazh kryesor, Milotin, që me përkëdheli e thërrisnin Loti në fëmijëri dhe shkurtimisht kështu e thërrasin edhe tani, që është shkrimtar e së bashku me të tjerët endet maleve bashkë me varganë njerëzish të moshave dhe gjinive të ndryshme, që shpërngulen nga atdheu i vet prej barbarisë të pashembullt të Sllobodan Millosheviçit mbi popullsitë jo serbe të Ish-Jugosllavisë, veçanërisht ndaj shqiptarëve të Kosovës.
 
Gjithë këto lot të derdhura gjatë shpërnguljes së dhunshme, torturave dhe vrasjeve të shqiptarëve të Kosovës prej hordhive paramilitare dhe strukturave policore dhe ushtarake serbe i japin brendi emrit Loti, por jo brendinë e dikurshme përkëdhelëse të fëmijërisë, por simbolikën e lotëve të shqiptarëve, të grave e të fëmijëve, për njerëzit e vrarë e të torturuar në ““Kalvarin” e tyre të shpërnguljes nga trojet amtare.
 
Por edhe në linjën e dytë të veprimit kur flitet për lidhjen erotike mes Lotit dhe Tunës, emri Loti e merr përmbajtjen në fund, ku pas një dashurie të vrullshme vjen ndarja fatale nga “Tuna”, nga njera anë prej konsumimit të dashurisë, që i ngjan konsumit të paketës së energjisë, pasi Tuna duke qenë e re sheh nga e ardhmja, e Miloti tashmë i moshuar, sheh nga e shkuara. Rrugët e tyre të jetës të kryqëzuara rastësisht, duhet të ndahen edhe për shkak të ngjarjeve dhe masakrave në Ish-Jugosllavi. Miloti bashkohet me gruan e tij, Hylën në shtegtimin e përvajshëm e të rrezikshëm të shqiptarëve të Kosovës drejt dheut amë ndër troje të tjera të Ish – Jugosllavisë ku kishte shqiptarë si në Republikën e Mqedonisë, në Evropë e SHBA etj.
Dashuria nuk është vetëm perceptim fizik, përjetues fatesh, të cilat kur janë të dy gjinve, çojnë kah bashkimi i zemrave, në pikën e konvergjencës, hera herës duke ikur të heshtura në kahe të kundërta me divergjencë mendimesh, me thyerje zemrash, me histori të vërteta e të trilluara. Sikur shumë shkrimtarë që në krijimtari janë të përkushtuar për këtë universaliteti jetësor, madje në gjini të ndryshme letrare, ashtu edhe Mexhid Mehmeti, na vjen me romanin e radhës të pagëzuar me një simbolikë të theksuar “Tuna”, sipas kryepersonazhes Tunë, që viktimizohet nga një dashuri joracionale.
 
 
K A L V A R I
 
Shkëputur prej “Furtunës” si libër më vete është një vepër letrare që nuk mund të të lerë indiferent ndaj fateve të popullit tënd, ndaj një jete të trishtuar edhe në kohë paqie e mandej të stërmunduar dhe të dhimbshme gjatë shtegtimit të tij nëpër luftëra, që në asnjë pikëpamje nuk janë luftërat e tij, por të tjerëve dhe bijtë e tij janë përdorur si skllevër apo mish për top dhe nuk e kanë pasur asnjëherë favorin për t’u mbështetur në një mbrojtës apo mik të madh..
 
Edhe ushtarët e marrë prej këtyre trevave kanë shërbyer në republika të tjera të Jugosllavisë e jo në Kosovë. Pasi Kosova duke qenë në kufij me Shqipërinë, me shtetin amë të saj përbënte rrezik për shtetin jugosllav dhe ky është një tregues konkret se çfarë lirie, barazie dhe vëllazërie gëzonin popujt e Federatës së Ish-Jugosllavisë, ku bashkim vëllazërimi ishte vetëm fasadë. Gjendja e territ dhe terrorit, ëndrrave të frikshme dhe e maktheve të gjumit është gjendja që kishte çekuilibruar busullat e trurit, jo vetëm të protagonistit kryesor, por të krejt vargut të hijeve njerëzore, që vërtiteshin në errësirë në kërkim të një shpëtimi për të mos rënë në pritat e plumbave apo thikave të paramilitarëve serbë, policisë dhe ushtrisë, që kishin vetëm një mision, që të futnin në kthetrat e tyre grabitqare për të gllabëruar e për të zhdukur nga faqja e dheut shqiptarët, jo vetëm ata që ishin të grupuar në forcat për çlirimin e Kosovës, por dhe popullin që kërkonte të ikte me çdo kusht për të gjetur shpëtim prej vrasësve..
 
Kështu në fakt goditja e NATOS ndaj Serbisë veçanërisht bombardimet në Beograd patën edhe anën e tyre negative, pasi serbët në pamundësi për të vepruar ndaj NATOS dhe veçanërisht ndaj amerikanëve, ndërmorën goditje ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare duke i asgjësuar ata, ku të mundnin, si të mundnin dhe me të gjitha mjetet. Shqiptarët të ndodhur para ferrit kompaktësuan radhët duke u njohur dhe vëllazëruar me njeri-tjetrin për t’i shpëtuar rropamave të tragjedive kolektive. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe urdhri i organeve shtetërore për të ndaluar qarkullimin e njerëzve natën, për të fikur dritat nga rreziku i bombardimeve dhe ndalimi i lëvizjeve nga njëra anë shërbenin në aparencë si mjete mbrojtjeje, por në thelb si mundësi asgjësimi ndaj kundërshtarëve. Paralajmërimi me prerjen e telefonave, minimi i lokaleve të shqiptarëve, pas bombardimit nga ajri, iu shërbente serbëve si mjet asgjësimi fizik, ekonomik dhe shpirtëror të njerëzve tanë.
 
Serbia si bishë e plagosur u bë tejet e rrezikshme me arsenalin e saj të policëve dhe ushtarakëve të armatosur deri në dhembë ndaj popullsisë së pafajshme e të pambrojtur të shqiptarëve. Alternativa e të gjithëve mbetej vetëm largimi matanë kufijve, por kishte dhe nga ata që u tregonin të tjerëve, që nuk do ta lëshonin pragun e shtëpisë duke shtrënguar si Loti dy bombat në xhepin e palltos së lëkurtë, që i mbante për vetëmbrojtje për të mos rënë në kthetrat e tyre. Bishat e dinin prej syve të korbit se ai e kishte një djalë me forcat çlirimtare, po atëherë pse Loti ndodhej në kolonë të atyre, që kishin marrë udhët e botës dhe duke u turpëruar para babës dhe të tjerëve, se nuk do të largohej kurrë nga vendlindja?!
 
Këtë problem të atij dhe të të tjerëve nuk mund ta zgjidhnin ngujimi, lotët dhe vaji, por gjetja dhe mbledhja e forcave për t’i shpëtuar kurthit të armikut që e kishte mbajtur sëpatën pas portës gjithë jetën kundër tyre edhe kur shtirej mik e vëlla, pra zgjidhja nuk ishte ndenjja duarkryq, as rezistenca e brishtë dhe e vetmuar ndaj dhunës dhe vrasjeve, por bashkimi i atyre që mund të mbanin armë në dorë me forcat çlirimtare dhe lagimi i të moshuarve, pleqve, grave dhe fëmijëve matanë kufirit për të sensibilituar ndërgjegjen e Perëndimit në mbrojtje të popullsisë të pafajshme të Kosovës.
 
Për popullsinë e pambrojtur, në këto kushte, kur u mungonte dhe uji i pijshëm rreziku kryesor nuk ishin thjesht patrullat ushtarake, por forcat paramilitare, që nuk kishin mëshirë për askënd, as për fëmijë apo pleq, meshkuj apo femra, të sëmurë apo të shëndoshë. Atyre u interesonte vetëm përdhunimi i femrave të pambrojtura, paraja dhe krimi. Shifrat që dalin tani në dritë tregojnë tmerrin që kanë përjetuar shqiptarët e pambrojtur në drejtim të rrahjeve, masakrimeve, varreve të pagjetura, të zhdukurve pa adresë apo të 20 mijë femrave të përdhunuara.
 
Gjithmonë më ka brengosur ky fakt, që përfshihet në mjaft prej librave të bashkëkohësve të mi, pse u duhej serbëve pikërisht përdhunimi i grave, ky nuk është thjesht një zakon i luftërave, pasi gjermanët p.sh. nuk e kanë përdorur përdhunimin si mjet lufte dhe italianët, megjithëse në libra trajtohen si imoralë, frekuentimin e shtëpive publike apo prostitutave, e kanë përdorur si mjet qejfi e jo lufte. Fqinjët tanë të veriut dhe të jugut, veçanërisht serbët dhe grekët e kanë përdorur përdhunimin si mjet lufte, pasi e njihnin mirë karakterin e shqiptarëve, e dinin se ata nuk mund ta durojnë cënimin e nderit dhe dinjitetit dhe ndaj përdhunimit të femrave dhe do të reagonin, por reagimi i një popullsie të pambrojtur është vdekjeprurëse për të.
 
Brenga e largimit, që vjen prej angushtisë shpirtërore dhe dhimbjes, prej dashurisë të vataneve të tua, prej mundësisë të moskthimit nuk shkakton lot vetëm tek Loti, por edhe tek Hyla, po të kemi parasysh se Loti ishte mësues, poet, shkrimtarë dhe gazetar, kuptojmë mirë se janë mijëra fije ato që e lidhin me vendlindjen dhe ndarja nga ajo apo ikja pa kthim është shkaku kryesor i brengës dhe i lotëve të tij.
 
“Lotit nuk do t’i shqitej kurrë nga mendja imazhi gjysmë i përflakur i diellit, që sapo hapte sytë mbi kodrën përtej, mbi qytetin e mbuluar me tisin e hollë të mjegullës të asaj pranvere të hershme. Dita sapo kishte nisur të agonte….aty këtu kishin nisur të tymosnin oxhaqet…të lehurat e qenve e të ndonjë kikiriku….gjeli po ndjeheshin akoma, nuk pipëtinte asgjë tjetër.
Nga larg qyteti po dukej si i vdekur, loti po qante….ishte shndërruar i tëri në lot. “Loti, hej Loti,- kishte dëgjuar zërin e shterur të Hylës, e cila po përpiqej ta tërhiqte me ngulm për krahu “Eja të ecim, nuk ka kuptim të mbetemi shumë prapa të tjerëve….”
Por dihet që në tisin e mjegullës në këto kushte të mbetet një pjesë e shpirtit, kujtimet, njerëzit e dashur, përfshi edhe njerëzit e dashur e të ëmbël vetëm për ty, librat, dorëshkrimet, albumet, fotografitë, ballkoni apo kopshti i shtëpisë, pemët apo lulet.
 
Është e çuditshme lufta dhe qëndrimi i njerëzve ndaj saj. Ka nga ata që e shesin frikën për trimëri, hipokrizinë për patriotizëm, besimin për ateizëm dhe kjo ndodh në të gjitha luftërat, por ajo që më bën përshtypje tek romani “Kalvari” është dalja nga radhët e kësaj rrjedhe. Po të dëgjoje atë që të tjerët e quanin hoxha, kur shtegtonte malit për ti shpëtuar hasmit dhe ndërkohë duke mburrur luftëtarët e lirisë e në qoftë se duhet që të vdesësh e ta marrësh plumbin në ballë, pasi kështu shkohet shehit dhe fitohet xheneti, jo vetëm Loti por dhe lexuesi mendon se kemi të bëjmë me një njeri hipokrit që na shet patriotizëm dhe besim, po që në të vërtet është i pabesë, mirëpo rrjedha e ngjarjeve vërteton të kundërtën.
 
Pasi arriti të dalë i gjallë prej këtij “Kalvari” të mundimshëm ai nuk u terratis, brenda shtetit amë apo nuk shkoi emigrant diku në Evropë por shkoi e veshi armët në radhët e çlirimtarëve, dhe vetëm pas tre ditësh hyri bashkë me të tjerët në luftë, sulmoi me bomba dore një bunker të armikut, la shumë të vrarë e të plagosur, por në këtë ngjarje u plagos edhe vetë, megjithse shokët e nxorën nga duart e armikut, nuk mund t’i përballonte plagët dhe dha shpirt si hero, siç ju kishte sugjeruar të tjerëve.
 
Por ka raste kur ndodh dhe e kundërta, kur ata që ti i njihje si trima e përfundojnë jetën si frikacakë dhe të shitur, sepse është zjarri i luftës ai që e provon se sa trim je. Ndërkohë tek vargu i njerëzve që po iknin në pamundësi të qëndronin dhe të mbroheshin dominonte mendimi se jo bombardimet ajrore, por intervenimi në tokë me tanke e këmbësori do të ishte zgjidhja. Por historia tregon, jo një por disa herë, se kjo rrugë që ata mendonin si zgjidhje është rruga e luftërave pa mbarim, mjafton t’i referohemi Luftës I dhe II botërore apo në Vietnam, Irak e Afganistan.
 
Në këtë kalvar kombinohen ngjarjet e trishtuara me ato të dhimbshme dhe ngjarjet qesharake me ato heroike. Historia e protezave p.sh. është një mesele plot humor, pasi për një njeri normal mbajtja e protezave rezervë në xhep duket paradoksale, por edhe qesharake, mirëpo ngjarja e ish të burgosurit me një femër gjatë një ekskursioni në momentin kur ai i kishte ndezur urët e zjarrit me të, por i bien protezat e i humbasin në rërë dhe e tmerroi vajzën e botës me çatallët e tij, është e dhimbshme për atë që i ndodhi, por qesharake për ne.
 
Ashtu siç është tragjike, kur djali i vogël Lami, që shtegtonte me gjyshin, pa dashur shkel minën, hidhet në erë, pra u sakrifikua pa dashje, por i mbrojti të tjerët me gjakun e vet të pafajshëm. Këtu tragjedia dhe heroizmi të bëjnë të ndjesh urrejtje për shkaktarët e vrasësve të fëmijëve dhe të nxit dëshirën të hakmerresh, kur të të jepet rasti kundër tyre. Është e vetmja hakmarrje e përligjur nga Kanuni dhe nga Morali! Gjyshi i shpëtoi breshërisë të pushkatimit, ndërsa nipi e humbi jetën, kur të gjithë shpresonin se shpëtuan.
 
A duhet të besosh tek tempujt e fesë, tek ekzistenca e Perëndisë, tek besimi, tek minarja apo kombanarja, kur në kohë rreziku dhe fataliteti ti nuk ke asnjë lloj ndihme edhe kur je i vogël, pra i pamëkatë, i pafajshëm apo i sëmurë, por era e luftës nuk të pyet por të përplas me furi, të vret e të shklet dhe jo udhërrëfyesi, që e ke paguar, por as Zoti nuk të ndihmon dot dhe ti kërkon dritën në fund të tunelit, kur edhe plaku shkop-gjatë dhe Miloti, që është shumë më i ri mezi zvarriten të tej lodhur në këtë rrugë, që mund të jetë e shpëtimit, por dhe e fundit për ta. A duhet pra të besosh? Nuk e di!
 
Është i trishtueshëm konceptimi i fatalitetit në rrugën e ferrit, ajo çka lakohet më tepër është balta, në baltë lindin fëmijët, sëmuren dhe vdesin pleqtë, në baltë flenë dhe hanë njerëzit, në baltë i kryejnë nevojat personale dhe balta i përpin kur vdesin. Ndodh që në baltë të klithin shtatzënat, të vajtojnë të porsalidurit që dalin nga balta e pagëzohen po aty. Në baltë thirret së pari fëmija me emrin e tij dhe i urohet fat. Eh… balta e vendlindjes ku detyrohesh të ikësh pa t’u prerë kërthiza!
 
Por a mund të kujtohen në këtë rrugë të mundimshme të jetës dhe të vdekjes aventurat apo dashuritë e paligjshme në kohën kur të kërcënon vdekja dhe mbartja në një kamion për të varrosur diku në vorrezat kolektive, ku nuk mund të identifikohesh kurrë, e kur të tutë do të kërkojnë sa të rrojnë me lot në sy?!
 
Kështu, si lehtësim shpirtëror vjen herë pas here në mendjen e Milotit Tuna, i kujtohen dashuritë dhe aventurat me të, megjithëse nga krahu në këtë rrugë vdekje e mban e shoqja, Hyla. Lidhja e tij me Tunën, duke prerë në besë mjekun, mikun e tij, e thënë me gjuhën e fesë është një mëkat. Po në këtë rrugëtim ku dominon fataliteti duket se Tuna është drita e tunelit, idhulli shpëtimtar, që ja freskon kujtesën dhe ja mbush shpirtin me energji të reja, që në çaste të tilla janë të domosdoshme dhe të dobishme.
 
Kemi folur për Ish-Federatën Jugosllave si një bashkim artificial popujsh e etnish, që prodhon vetëm reaksione negative, luftë bërrylash dhe ethesh për pushtet, dominim të një kombi ndaj tjetrit, hipokrizi dhe pabarazi, por porositë e të tuve, etërve dhe gjyshërve janë gjithmonë të drejta. ” Hiqu prej tyre, se nuk kanë besë ata, sëpatën e mbajnë pas dere për çdo rast, kur t’ju vijë koha…..” më thoshte i ndjeri, kurse unë, jo or baba, këta nuk janë si të parët e tyre, këta janë të civilizuar….pastaj jemi në të njëjtin shtet, në të njëjtën parti….Duhet ta ruajmë si sytë e ballit Vëllazërim-Bashkimin ” .
 
Por koha tregoi se kishte pasur të drejtë babai, pasi pushtuesit e zakonshëm që vijnë nga larg mund të vrasin dhe të presin, të grabisin pasuritë, por ata që vijnë me kuç e me maç, që të ngulen e të rrojnë përjetësisht në trojet e tua e bëjnë perëndimin tënd të afërt dhe fatal. A nuk ndodhi kështu me Amerikën para kolumbiane? Dhe me të gjithë fqinjët kundër fqinjëve, siç vepruan fuqitë evropiane në kuadrin e Luftës I Botërore ndaj nesh si komb, që të ligjësohej me çdo kusht dëshira e tyre për të jetuar përgjithmonë në trojet tona, a thua se kishte lindur aty fara e tyre së pari. Ndaj mos u habisni pse ringjallin Aleksandrin e Madh si të parin e tyre dhe as pse ja bëjnë edhe Gjergj Kastriotit të ëmën serbe!. Kemi qenë në prag të shbërjes fatale, por në këtë fillim të shekullit të ri, besoj se e kemi vënë një vëth në vesh se historia gabon, por edhe të mëson!
 
Jetojmë në një kohë, ku jeta kryqëzohet me vdekjen në udhëkryqet e fatit, ku yjet dhe hëna të rrinë mbi kokë por edhe në majë faltoresh, nëpër lecka flamujsh apo kur kryqet e drunjta, të hekurta apo të betonta ngjajnë si kukubecë majë kodrave dhe ne në shekuj trishtimesh ngarendim pamëshirshëm në furtuna kohësh duke rrezikuar identitetin, prejardhjen, gjenezën dhe jetën, por a ka një shpëtim? Po! Të mbahemi fort prej vetvetes, t’u rezistojmë furtunave të pamëshirshme e mandej të prehemi në krahët e Tunave, ato janë stacionet e fundit të pritjes, burimet, që të shuajnë etjen, të njomin buzët e bëra shkrumb, të japin kënaqësitë e lindjes së një fëmije, mbase i vetmi rast në botë, ku njerëzit që qarkojnë lehonën, kur dëgjojnë piskamën e një fëmije të sapolindur e presin me gëzim prej thellësisë të shpirtit.
 
TUNA
 
E kemi thënë se njohja e Milotit me Furtunën, shkurtimisht e Lotit me Tunën ishte rastësore. Tuna ishte bija e një mjeku bashkëkohës me Milotin në vitet studentore, mjeku nuk e dinte se kishte një vajzë, ai nuk u lejua për t’u martuar me të ëmën e Tunës dhe jetoi tërë kohën larg saj, e ëma e Tunës u martua dhe kur lindi Tuna i thanë se lindi para kohe dhe ai e besoi, por më vonë e kishte njohur të vërtetën dhe u soll keq me të ëmën e Tunës deri sa ajo vdiq prej marazit, njerku u alkolizua dhe shpesh bënte veprime të pakontrolluara. Ai e vërente megjithatë se Tuna ishte në një adoleshencë të vështirë dhe tentoi ta përdhunonte, por në një çast dobësie njerëzore ja thotë të vërtetën dhe më tej se kaq njerku i kërkon asaj të shkonte tek babai i vërtetë, pasi ai ishte njeri dhe mjek i mirë dhe kishte banesë e të gjitha kushtet që e bija të jetonte atje. Vajza kështu veproi, por kur Tuna shkoi në klinikën e tij i tha të atit se ishte një studente që dëshironte të jetonte në këtë mjedis dhe pas njohjes i kallëzon të vërtetën. I ati fillimisht u trondit, pastaj i gëzuar se megjithëse nuk ishte i martuar e kishte një vajzë që do ta mbante afër.
 
E kemi përmendur se një ditë Miloti shkon për të marrë disa barna për problemet e tij shëndetësore dhe të konsultohej me mjekun, aty rastësisht takon Tunën, i bën përshtypje paraqitja fizike dhe bukuria e saj, që përbënte sfidë për të gjithë meshkujt. Informohet se ajo ishte studente në gazetari, por nuk e dinte se ishte vajza e mikut të tij. Më vonë e mëson këtë të vërtetë, por Tuna i mbeti në mëndje, pasi atij si poet i bëri përshtypje jo vetëm bukuria, paraqitja trupore, turbulencat psiko-emocionale dhe ndjenjat që i ngjalli ajo, por dhe i lindi dëshira që të takohej sërish dhe sërish me të.
 
Në këto takime ai kishte dy pengesa njëra ishte Hyla dhe fëmijtë e tij që e prisnin babanë në shtëpi dhe tjetra se Tuna ishte e bija e mjekut dhe e mikut të tij. Në një nga këto takimet e para kupton edhe pse Tuna kishte qasje shpirtërore ndaj Milotit, megjithëse e dinte që ishte i martuar dhe ishte në moshën e të atit. Miloti ishte shkrimtar dhe poet i njohur, ajo i kishte lexuar veprat e tij dhe qasja shpirtërore me një poet të njohur krijuan një afrim manjetik të dy protagonistëve kryesorë të kësaj vepre, për më tepër si studente Tuna duhej të paraqiste një intervistë të gjatë me një shkrimtar të njohur dhe ajo e kishte bërë zgjedhj e saj. Ky ishte Miloti dhe pas shkëmbimit të puthjeve të para të dy kërkonin rastin që kjo intervistë të ishte komplekse në kuptimin të ishte edhe tërësore, edhe e thelluar edhe intime. Dhe rasti iu vjen, kur pas disa shtyrjesh babai i saj shkon në një seminar jashtë vendit.
 
Përshtypja ime është se në librin “Tuna”, veprimet erotike, trysnitë emocionale, skenat me trupat nyndë dhe lakuriqësia e të dyve janë vetëm aparenca emocionale e veprës, tërheqëse, mbase për lexues adoleshentë. Duke e konsideruar këtë çështje të tejkaluar, që merret nga leximi i parë i veprës, kur zhytesh brenda saj, përveç faktit në se duhej apo jo kjo dashuri, ajo që përbën brendinë kryesore të veprës është përmbajtja e kësaj interviste totale, problemet që shtrohen atje për zgjidhje, që janë njëkohësisht edhe problemet e shoqërisë së sotme ballkanike dhe evropiane, që të lënë pa frymë. Kjo intervistë e për më tepër romanet: Kalvari, Furtuna, Ferrparajsa I dhe II, tregojnë se problemet e shoqërisë në të gjitha shtetet e shoqërisë ballkanike dhe evropiane janë të pazgjidhura dhe më tej se kaq edhe në rang botëror, po ashtu. Le të marrim një nga problemet e intervistës: qëndrimet nacionale dhe nacionalshoviniste të serbëve ndaj popujve të tjerë të “bashkim-vëllazërimit ” në Ish- Jugosllavi.
 
Për një çast menduam se ndërhyrja e NATOS dhe vajtja e Sllobodan Milosheviçit në Hagë do ta zgjidhte problemin, por u zhgënjyem. Sepse popujt megjithë mirëdashjen ndaj njeri-tjetrit, të nxitur nga kastat politike shpesh futen në konflikte, synojnë territore, mbajnë qëndrime negative ndaj popujve të tjerë, p.sh. në ndeshjet e futbollit, në konferenca ndërkombëtare, në marrëdhënie tregtare, lobojnë kundër njëri-tjetrit në rang ndërkombëtar si p.sh. lobimi i Serbisë te disa vende pjesëmarrëse në OKB, ja ka arritur të pengojë anëtarësimin e saj në organizatën më të madhe të popujve të botës. Ndryshe si shpjegohet ,që disa nga shtetet e Bashkimit Evropian, me gjithë se janë anëtarë të NATOS, saktësisht gjashtë prej tyre nuk e njohin Kosovën si Republikë?! Kjo në aparencë është paradoksale, por në thelb fsheh ca të vërteta të hidhura. Ato krijojnë asosacione edhe të pavërteta, por edhe si skenarë të mundshëm për të ndodhur.
 
P.sh. Spanja nuk e njeh Kosovën, spanjollët e dinë të vërtetën dhe megjithëse ishin pjesëmarrës të bombardimeve mbi Jugosllavi për ta çliruar Kosovën nga okupimi serb kanë hallin e baskëve brenda tyre, pra të një enklave të popullsisë jo spanjolle, që disa herë ka tentuar të shkëputet nga varësia e Madridit, por forumet e tyre, protestat dhe demonstrimet qeveria spanjolle i ka shtypur me dhunë, pra ka vepruar si Serbia në Kosovë. Po cilat janë këto probleme politike, shoqërore, etnike, racore dhe psikologjike që krijojnë diferencat të paktë në dy sistemet politiko – shoqërore, që ne i njohim nga afër në socializëm dhe kapitalizëm?!
 
Po marrim rastin e fundit, jashtë tekstit, nga zgjedhjet në SHBA: Klima politike para zgjedhjeve u tensionua në të gjithë Amerikën si rezultat i brutalitetit të policisë ndaj një afro amerikani në Minesota. Kanditat për president ishte për Partinë Demokrate një politikan me shumë përvojë, por i vjetër në moshë dhe për Partinë Republikane një politikan që erdhi nga bota e biznesit, por që shkaktoi disa turbulenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Largimi i tij nga OBSH-ja dhe nga Saliti i Mjedisit për Klimën, afrimi i pa arsyeshëm me Rusinë dhe me Korenë e Veriut, rritja e buxhetit për Murin me Meksikën , ulja e buxhetit për NATON dhe tentimi për ta dobësuar atë etj. krijuan klimën e pa precedent nga njëra anë të përhapjes të Coronavirusit dhe mos marrjen e masave efektive për ta luftuar atë dhe nga ana tjetër për të vështirësuar daljen e rezultatit të zgjedhjeve me demonstrime force e protesta të dhunshme deri në KAPITOL në të gjithë Amerikën. Mospranimi i rezultatit pa asnjë bazë se zgjedhjet janë vjedhur në 60 gjykata nuk çuan asnjë dokument.
 
Megjithatë zgjedhjet në Amerikë krijuan dy premisa pozitive: e para që përvoja politike dhe ndershmëria e përdorur në mënyrë racionale fitojnë dhe krijojnë premisa pozitive, që në Amerikë të zgjidhet për herë të parë si nën presidente një femër afro-amerikane si Kamala Harris.
 
Disa nga problemet kryesore, që ne i njohim mirë, por që nuk kanë gjetur zgjidhje në shoqëritë e sotme, veçanërisht ato ish-socialiste e kapitaliste, është korrupsioni i pushtetarëve, zgjedhjet klanore, politika e interesave, imoraliteti në çdo skutë të shoqërisë, lulet në varret e të dashurve të refuzuar, dashuria e pakohë dhe me diferencë të madhe moshe, për më tepër kur je i martuar, mbushja e skutave me gazetarë, ulja e prestigjit dhe e personalitetit të tyre, mospagimi i rogave në kohë, pagat e vogla, prirja ndaj lakuriqësisë, shakatë e pakripa, papunësia e intelektualëve, botimi i librave pavlerë, botimet pa asnjë fitim etj.
 
“……..kush i blen librat sot? Askush!……edhe në se shitet ndonjë ekzemplar prej tyre fitojnë shitësit, matrapazët e llojeve të ndryshme që i kanë mbushur rrugët dhe jo autori.” Dikur Miloti kursente lekët e bukës kur ishte nxënës dhe student për të blerë libra. Po cili nga nxënësit apo studentët e sotëm do të shpenzonte paratë e kafesë, të verës apo coca colës për të blerë një libër….askush! E për të mos qenë radikalë….fare pak!
 
Ndërtimet pa shije, shkatërrimi i ashensorëve, rrugët e pa pastruara, klithjet nëpër lokale, gjallimi gjithandej i temave të jetës dhe të vdekjes, ekzistenca e një pjese të pështirë të njerëzimit, të nëpërkëmbur nga pjesa tjetër, tërmetet shoqërore dhe politike, por dhe tërmetet reale dhe sëmundjet, ekzistenca e vlerave të pabarabarta, kur pandershmëria qëndron në piedestal, duelet mes letërsive klasike, moderne e post moderne, nëpërkëmbja apo elozhet ndaj autorëve të caktuar, goditje ndaj autorëve të pakicave etnike të të gjitha llojeve, anëtarëve të partive të vogla apo autorëve të varfër, elozhet ndaj autorëve që kanë kultivuar vepra në shumë gjini, por nuk kanë shkëlqyer askund.
 
“Kujtoj se kanë ndryshuar kohët, nuk mund t’i arrijnë majat krijuesit si unë pa kurrfarë përkrahje institucionale qoftë materiale apo edhe morale…..në Shoqërinë tonë përfitojnë matrapazët, lajkatarët, servilët, zvarranikët gishta lëpirësit, pjesëtarët e klaneve të ndryshme…..”
 
Letërsia pa kritikë, kritikat dhe recensionet e paguara, afirmimi në rrugën dhe në stilin ty për mua e unë për ty….këto ndodhin sipas autorit se tek ne dominojnë të gjithëdijshmit dhe bota sillet në gishtat e tyre, këtu mjeshtri është mjeshtër për të gjitha punët (master na vsjeh ruki), mjeku është mjek për të gjitha sëmundjet, dhe avokatët, mësuesit dhe shkrimtarët për të gjitha llojet e punëve, çështjeve apo gjinive letrare! Qëllimi i vetëm i tyre është përfitimi, këtyre të gjithëdijshëmve u mungon kompetenca profesionale , pasi ata me gjithë betimin ndaj statusit profesional u ndodh si mjekëve të gjithëdijshëm (që e kanë harruar betimin e Hipokratit), por që zbatojnë në jetë ligjet e Hipokritit!
 
Në brendësi të romanit Tuna, dy personazhet kryesore shuajnë dallgët e epshit me njëri-tjetrin, që po t’u shtojmë dhe ato fakte që dalin brenda romanit, na del që një pjesë e madhe e kuadrove të sotme janë në të vërtetë një skarcitet pedagogjik, pasi gjejnë rrugët më të lehta siç janë korruptimi i pedagogëve, paratë, seksi, kopjimi i diplomave, sigurimi i tyre në të tretë etj. Pra nuk është vetëm Tuna, që siguron një intervistë totale, me një shkrimtar të njohur përmes rrugës seksuale, por janë 100-ra të tillë për të mos thënë mijëra dhe të mendosh për një çast se do të biesh në duart e këtyre mjekëve, inxhinierëve, mësuesve, apo gazetarëve, do të ndihesh fatkeq.
 
“Shih ç’ është duke ndodhur në edukimin e gjeneratave të reja, më mirë të themi në mos edukimin e tyre! Profesori ja kushtëzon provimin studentit apo studentes me para, apo edhe më keq, me shtrat?! E njëjta gjë ndodh edhe me punësimin e tyre, së pari i pranojnë në “punë provuese”, pastaj në se i “plotësojnë kushtet”, i marrin në punë, por gjithmonë me kontrata afatshkurtra të cilave shpejt ju kalon afati, kjo vlen sidomos për të padëgjueshmit! Shihe se çfarë kuadri i ka pushtuar institucionet tona, shumica pa kualifikimet përkatëse, kurse të kualifikuarit shëtitin rrugëve, kafeneve…” …. ose marrin rrugët e Evropës, apo të botës do të shtoja unë.
 
Kjo ndodh se ata që duhet t’i kryejnë detyrat nuk i kryejnë, as në qeveri, as në bashki, as në polici, as në institucionet shtetërore dhe as në gjykata. Por këto janë thërrime krahasuar me keqpërdorimin e doganave, me kontrabandën e mallrave, me shitjet dhe matrapazllëqet, me afatin e skadencave, me tenderat apo PPP e panevojshme. Dhe fajtorët nuk janë një e dy por me qindra. Shumica e tregtarëve i shmangin tatimet, i blejnë e shesin mallrat pa fatura, ju rrëshqasin doganierëve për mallrat e import-eksportit ose i paguajnë ata, nuk e paguajnë energjinë elektrike, por kur është fjala celularin e kanë në xhep dhe lëvizin me vetura, bëjnë dasma të shtrenjta, etj., kështu që nuk ka se si të rriten rrogat dhe pensionet e as ndihmat sociale, kur në krye të qeverisë kemi ministra, deputetë e bashkiakë,që kanë kryer krime të llojeve të ndryshme e janë afirmuar si drejtues përmes votave të vjedhura, por jo vetëm kaq, është e kompromentuar hierarkia e vlerave, blihen titujt dhe gradat akademike!
 
Në vendet më të mira të punës vendosen partiakë dhe jo ata që e meritojnë, të tjerëve u rrofshin diplomat, titujt dhe gradat që mund t’u shërbejnë vetëm për t’u mburrur në mikro mjedise apo në familje, kështu edhe me çmimet e shkrimtarëve, me zgjedhjen e tyre nëpër kryesira apo pozicione kryetarësh, me statute që mbeten vetëm në letra, me ish-të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët, që kemi 30 vjet që i dëmshpërblejmë do të shtoja unë. Dhe ndodh ashtu si me luftën dje, kërkojnë lekët e të qenit partizan pa qenë asnjë ditë në mal. Vitet e të qenit i përndjekur politik megjithëse në burg kanë qenë për kurvëri apo hajni…
 
Më ka bërë përshtypje debati për anglishten apo për talentin brenda librit. Në thelb idetë që shtrohen janë të drejta. Sot të përgojojnë se nuk di anglisht dhe harrojnë se ata që kanë zbuluar Amerikën nuk dinin as anglisht dhe as gjuhën e lëkurëkuqve të Amerikës, “Po talenti, ç’ është talenti” “Mbase është diçka me të cilën nuk mund të manipulohet, atë e ke apo nuk e ke? Sepse gjithçka tjetër mund të blihet me para, të fitohet po të kesh fat, të dhurohet, të vidhet….”
 
Ky është një konstatim i drejtë që të inkurajon dhe të nxit të punosh me përkushtim kur e ke talentin dhe këtu nuk është fjala vetëm për shkrimtarët. Sepse talenti shërben për të zhvilluar të gjitha profesionet e kësaj bote, por dhe njerëzit e tjerë më pak të talentuar po të kenë forcë vullneti, dashuri për punën dhe profesionin bëhen të vlefshëm për shoqërinë…..Për mendimin tim fundi i romanit Tuna, posaçërisht ndarja e dy protagonistëve vjen prej dy faktorësh që provojnë se njerëzit, qytetet, shtetet mund të ndodhë të bëhen tepër të vegjël, të ngushtë apo të rrezikshëm përballë faktorëve determinantë, që nuk varen nga vullneti tyre, siç janë p.sh. vullkanet, tërmetet, luftërat dhe së fundmi edhe pandemitë, por Miloti me Tunën nuk u ndanë thjesht se në ajër vërtitej era e luftës, as se thjesht ishin protagonistë të një jete të dyfishtë dhe zbulimi i lidhjes së tyre do të shkaktonte fatalitet. Arsyen e vërtetë e thamë qysh në fillim të analizës së romanit.
 
Me fjalë të tjera duhet thënë kështu: dashuritë e vrullshme janë si cunamet, janë furtuna që ju bie hovi shpejt, veçanërisht kur janë të paligjshme e të pamoralshme. Manipulimi i femrave të sotme me seksin nuk është vetëm zgjatimi i segmentit të kuriozitetit apo shfaqje e të qenit interesante, pjellë e pasionit apo mjet për të realizuar qëllimet në shkollim dhe punësim, por më tepër se kaq, kjo spjegon edhe truket që bëhen me virgjërimin dhe çvirgjërimin, me përqendrimin apo ngjitjen në një pikë të caktuar ose hapjen e femrave si vaji në lakra.
 
 
[1] Dr. Matoshi Hysen, Rrëfimi paralel si procedim, Mexhid Mehmeti, “Furtuna”, roman
[2] Halili Arsim, Eksplorim vlerash letrare – përtej gjeografisë shqiptare-Portreti letrar i Mexhid Mehmetit 1948
[3] Mexhid Mehmeti, Kalvari, Prishtinë 2012, fq, 33
[4] Mexhid Mehmeti, Kalvari, shih fq. 92
[5] Mexhid Mehmeti, Kalvari, shih fq. 98
[6] Mexhid Mehmeti, Tuna, fq. 96
[7] Mexhid Mehmeti, Tuna, fq.100-191
[8] Mexhid Mehmeti, Tuna, fq. 180

 

Nga: Dr. Bardhyl Maliqi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s