NË AEROPLAN GJATË KTHIMIT NË ATDHE / Poezi nga Kadrush Radogoshi

 
Poezi nga Kadrush Radogoshi
 
 
NË AEROPLAN GJATË KTHIMIT NË ATDHE
 
Në aeroplan, gjatë kthimit në atdhe,
Retë e humbin simbolikën e së keqes
Ato bëhen të bardha dhe duken si shkumë qumështi
Të posa mjelë nga “Baresha” e Nexhmije Pagarushës.
 
Nuk është e thënë, që botë e fjalëve të jetë e rrumbullakët
Si forma e planetit tonë,
Apo si forma e planetëve virusalë
Në ndryshim të përhershëm.
 
Bota e fjalëve ka lindur nga më e vjetra fjalë
Nga fjala që ripërtërihet me lindjen e një fjale tjetër për botën
Në maternitetin e vendosur mbi një re të bardhë pambuku
Mbështjellëse e shpresës së pavdekshme.
 
Fjala, lehonë e përtërirë, më ka kapur për dore
Si njërin nga fëmijët e saj
Për të më treguar se ku i ruan sekretet e bijave të saj
Për të më bërë zbuluesin e fjalës së pathënë ndonjëherë
Të strukur diku në thellësitë e shpirtrave, që kurrë nuk e kuptuan
Pse shndërrohen në tela lozonjarë violine
Në gishtat virtuozë të erës.
 
Pas aterimit
Mendoj të mos shkojmë kësaj rruge
E as asaj tjetrës përtej udhëkryqit,
Mendoj të mos shkojmë nëpër rrugën e majtë
As në të djathtën rrugë të mos shkojmë
Se brenda qelizave të fjalëve të pambrojtura
Mbijnë studiot televizive si këpurdhat pas shiut
Helmuese për shpirtin e paprishur të çdo fjale
Helmuese për ADN-në e dashurisë,
Kur dashuria mbin si lule në kopshtin e ëndrrave
Të vendosur në zemrën e një nuseje të re,
Kur rrëfen se në çdo fjalë është një aeroplan,
Fluturues krenar mbi humnerat,
Fluturues i dashuruar në kozmosin e bukurisë së fjalës.
 
Në aeroplan, gjatë kthimit në atdhe,
Retë e humbin simbolikën e së keqes
Ato bëhen të bardha dhe duken si shkumë qumështi
Të posa mjelë nga “Baresha” e Nexhmije Pagarushës.
 
Gjatë fluturimit Edmonton – Toronto , më 1.5. 2021

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s