Cikël poetik nga Blerim Rreci

 
Cikël poetik nga Blerim Rreci
 
 
FIJE KUJTIMI
 
“Nëna është drita e shtëpisë!”
               proverb shqiptar
 
Me nënën duke pritur
Dikur në stacion të autobusëve
Jehonte zëri i folëses
Që përsëriste oraret e nisjeve
 
 
BLERIM
 
Ndonjëherë kujtohem për emrin tim
Ndonjëherë kujtohem për sytë e mi të gjelbër
 
 
KAM PRITUR DHE PRES
 
Kam pritur
Puhinë
Erën
Nën shelgje kohësh e stinësh
Qoftë dhe për pak çaste
 
Ca pika shi
Që më kanë prekur të parin
Për të më ujitur e pastruar mua
Përpara se tokën
 
Breshërin
Mbi fletë lulesh
Si copra akulli duke u shkrirë me nge
Si në një gotë lëngu prej frutash
 
Cukla bore
Si pluhur sheqeri
Që kanë rënë edhe mbi supe shpezësh
E duke na pëshpëritur nëpër vesh diç
E përsëritur fjalët që s’i kemi kuptuar
Me të parën
 
Diellin e hënën
Duke dalur prej reve
Që kanë luajtur fshehtas
Duke pështyrë
Në vendin e caktuar ku bëhej
Ndërrimi mes fituesit dhe humbësit
Të një loje pa hidhërim
 
Ylberin
Kumrinë
E në heshtjen medituese
S’kam thënë asgjë për legjendat e tyre
Që më kanë treguar
 
 
Një xixëllonjë
Një yll
Një xixë
Një shkëndijë
Një zjarr të ndezur
Pranë ujërave që rrjedhin
A afër atyre që flenë
 
Kam pritur
Dhe pres
Pas një dite të lodhshme duke ecur
Të hidhem mes një peisazhi kudo
Të ndjej shpërthim ndjenjash
Shoqëruar me fishekzjarre
Që pluhurosin qiellin
Deri në mëngjes
 
Mbase
Për të nisur
Për të thënë diçka
I frymëzuar
Nga frymëzimi
Pamjebukur e aromëdehës
Që të bë për vete
Gjatë udhëtimit nëpër jetë
 
 
PARK-SHESH ULPIANE
 
Mbrëmë
Isha në një emision radiofonik
Me shokët e mi
Ndërtuam nje mozaik
Tash
Jam me ty
Vëlla
Në këtë kafene
Me emër kulturor portali
Për të parën herë
Këtu
E tash
Vranët
Hirtësi
Erë e ca pika shi
Pragverë
Pranë xhamave
Të një verande
Të mbuluar
Pëllumba
E trumcakë
Bien e largohen
Mbi çatinë e saj
Era tund e shkund
Ca çaçafë
Në një ballkon
Te epërm ndërtese
Te soliterët
Te fontana
Në Ulpianë
E rrethi i këtij park-sheshi
Seç të duket ndonjëherë
Qendër bote
Të cilën tash
E stërpikin ca pika shi
 
 
NË VALBONË PËR HERË TË PARË
 
Rrugës nga dritarja e autobusit që na bart
Tufa pëllumbash
E dallëndyshesh nëpër qiell
E grupe turtujsh
E gjelbërta e tokës
Dhe kaltërsia e qiellit
Shikojnë me zili njëra-tjetrën
Me mall
Kur zbresim
Një shtegu të gjerë gurishtjeje
Ecim
Për të arritur te kjo ujëvarë
Në Valbonë
Për herë të parë
Kah kthehemi
Njëra pjesë e bjeshkëve
Mbulohet me pluhurimë mjegulle
Dhe na përcjell ky shi bjeshkësh
Që lag edhe frytet e zeza të pishave
Plot rrëshirë
 
 
TE LIGATINË E HENCIT
 
Bretkocat këndojnë
Për ujë e për tokë
Dallëndyshet fluturojnë
E këndojnë për qiell
Mbi ujë ligatine duke u dredh e përdredh
Dy pata përqafohen notojnë e shyten e kryshyten
Tutje një lejlek
Shpezë të tjera disa krahëmëdha
Sa duken, bien, ngrihen, duken e zhduken
Sikur aeroplanët përballë Aeroportit
Dielli e era ndiçojnë e ledhatojnë
Edhe këtë zog të verdhë që këndon
Te kjo degë
 
 
NË BADOC
 
Në Badoc
Buzë liqenit
Tri flutura mjaft të mëdha
Krahëbardha vijëzeza
Ndjekin njëra tjetrën
Ndërkohë
Tri lopë
Njëra me kumonë
Dhe bariu me shtagë e telefon
E këta dy qenë
Skaj liqenit udhëtojnë
Duke lënë pas
Ca luleradhiqe
Me këmbët në ujë
Si ato dy çafka
E ato dy pata
Shllupa-sllapa
Hedhin hapa
Dy fëmijë
Që kanë përvjelur pantollonat
Era që fryen
Shpupuris petalet
E ca luleve të bukura pranverore
Ngjyrë qielli e ngjyrë dielli
Nga të cilat kostumografët
Frymëzohen për modelim fustanesh
Dy vetë kanë hedhur dy kallamë me grepa
Dhe presin se ç’po ndodh
Ngjitemi në Parkun e arinjve
Shtigjeve të tij
Lule këtej e matanë gardh-labirinthit
Zogjtë cicërojnë lisave mbi fole
Lakadredhas
Ca zhapinj që ikin mjaft shpejtë
Dy hardhuca me shpejtësi humbasin
Një nëpërkë fshehet rrënzë malit
Arinj matanë telave mrizojnë
Dy prej tyre duke u larë me nge
Sllupa-sllapa
Sot
Në Badoc
Më 10 maj
Në këtë të hënë
Ditë pushimi
Për shkak të 9 majit
Ditës së Evropës
 
 
PËRJETIM
 
Në mesditë
Në stacion treni
Erdhi më puthi një xixëllonjë
Mendova se dritë mund të dhuroj edhe unë
Posa të bëhet natë
 
 
MELODI E NDËRPRERË
 
Prag vere është
Zhurmë e rëndë e automjeteve
Shpesh ndërpret
Këtë këngë gjinkallash
 
 
DROMCA JETE
 
Ndonjëherë sikur ia vlen
Të shohësh lindje e perëndime dielli,
Ose të shtrihesh p.sh., buzë ndonjë liqeni
Të mbyllësh sytë
Të dëgjosh zëra fëmijësh e cicërima zogjsh.
E ndonjëherë të mbledhësh pendla pëllumbash
Të ndeshësh vështrimet me ata që mbledhin kanaqe pijesh
Përballë një pallati modern politikanësh…
 
 
TE SHTËPI E MËRGIMTARIT
 
Bari është rritur
Edhe pipiliat
Oxhaku nxjerr tym resh
Pemët janë gjelbëruar e rritur
Po rriten frutat e mallit
Një flutur endet ngazëllyeshëm
Sikur po ndjen aromën e stinës së kthimit
Një trokitje në derën e mbyllur
E leskëruar kjo kokë e hekurt shqiponje
A kokë gjarpëri
Te shtëpi e mërgimtarit
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s