Poezi nga Lumo Kolleshi

 
Poezi nga Lumo Kolleshi
 
 
Binte veç shi
 
Pranë një lumi në një dhe të huaj,
Që brenga dhe lotë çonte në çdo det…
(Oh,të lutem,këtë mos ma thuaj,
Si ta besoj që vdiq një poet?)
 
Dhe gruaja që pyeti,u mbyll në shtëpi,
Qau për të,deri natën vonë,
S’pranonte t’i fliste njeri,
Një lumë lotësh vërshonte në dhomë.
 
Madje u vesh me të zeza,
Shpirti i saj zinë po shpallte atje,
Më kot nga jashtë trokiste dera,
Xhamat derdhnin litarët përdhe.
 
Thonë, e kishte dashur dikur,
Pjergull e shpirtit kish nxjerrë lastar të ri,
Thonë u akullua,u bë gur…
Jashtë e brenda binte veç shi.
 
 
Si mëz deveje 
 
Me etje mbi shpinë vete në krua,
Mbi shpinë kripa bërë plis;
Burimi u shterr,u tha,u shua
Dhe kupa e gurrës është bërë pis.
 
Rend prapë i etur drejt një moçali,
I tëri ish kthyer në zhuk e kallam;
Kërkoj më kot një pellgosë kali,
Përreth veç një Saharë të zezë e kam.
 
Në rrugë takoj diku një deve,
Që veç gulçon e gjora nga vapa,
Hap gungën e saj e në qiell më ngre
Dhe unë si mëz i saj endjek mbrapa.
 
 
Motiv i ri për baladën e vjetër
 
Kali i kullmë e krifëngritur përmbi male bërë erë,
S’prekte tokën e zhurritur,shkumëzonin ata frerë.
 
Mbante po ç’mbante përsipër,një të gjallë e një të vdekur,
Një lëndinë plot me lule,tjetri një meit i tretur.
 
Një erë e shtynte drejt jugës,tjetra e merrte veriut,
Veç një yll i thosh:”Ndiq gjurmët,gjurmët e Abas Aiut”.
 
Lodhje s’kishte ai kalë,patonjtë shkrepnin vetëtima,
Kohë s’gjente të mendonte,mblidhte flokët Doruntina.
 
“Mos andej!-i thoshte ylli,-Mos andej,Kostandin!
Andej do të zërë mallkimi,nëna në portë veç nxin.
 
Ktheje kalin në të djathtë,ktheje nga shtegu i Hënës,
Një humnerë ke në të majtë,andej është mallkim i nënës!”
 
Dhe i bindej atij ylli, yllit që silte agimin,
Mamuzet rrihte Kostandini,patkonjtë vetëm vetëtinin.
 
 
Ati dhe vëllai im
 
Ati im, që je lart në qiell
(Jo në trajtë Zoti,por babai)
Do të përulem sa të ketë diell,
Prapë për ty do ta kremtoj një majin.
 
Ti sot do të ishe plot njëqind e një,
Shtatëdhjeteshtatë do e kisha Hysen vëllanë,
Një kec pirës,në hell,si gjithnjë,
Do ta shkonim nën lisin me kambanë.
 
Një dolli për shpirtin tuaj të bukur,
Me dridhje dore e syri prapë do ngre,
Qielli sytë ndër lot le t’i ketë ndukur,
Le të thërresin vajtojca qiejt me re.
 
Ju keni sot të dy ditën e lindjes,
Vdekjen sot ua fshij te pllakë e varrit,
Bletëve do t’ua shkund polenin e dhimbjes,
Bletët fluturojnë për mbledhjen e nektarit.
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s