Poezi nga Behare Daja Kasa

 
Poezi nga Behare Daja Kasa
 
 
***
 
i dashur,
kjo më kujton shtëpizën që patëm,
atë dhomëzën e vogël, ku të gjeta vetëm,
atë dhomëzën që së bashku e ndamë më dysh,
e që e bëmë me shpirt më katërsh.
 
ka kaq kujtime kjo dhomëz e vogël,
kujtime të bukura që shpirtin ta çelin,
kujtime të trishta e lot mbi qerpik,
se jeta ka dhe çaste, që mes çastesh ngecin.
 
i dashur,
kjo më kujton shtëpizën tonë,
atë dhomëzën e ngushtë, ku mezi lëviznim,
atë dhomëzën e vogël plot dritë në shpirt,
atë dhomëzën e dlirë, ku të dhashë virgjërinë.
 
… mban kaq kujtime kjo dhomëz e brishtë,
mban dhe të qarën e parë të tanëve bij…
 
 
me sytë e nënës
 
kush është nënë dhe nuk ndjeu tek i lëvrin ndër deje dashnia si grua,
dashnia si qenie që mbush botën me dashni.
 
kush është nënë dhe nuk ndjeu ndër vete shqetimin e frikën e shpirtit,
lotin e ethshëm tek faqeve të zbehta rrokulliset,
syrin tek dridhet nën qerpik
për më të çmueshmit e dashnis’ së saj.
zemrën tek regëtin cep më cep
tek sheh dritën në sytë e bijve,
buzëqeshjen endur ndër buzë,
 
zemrën e dashuruar që buzëqesh
me vete e fluturon mbi krahë ere,
tek bëhet shqiponjë me kthetra
e lufton për botën e saj të lirë,
të dlirë.
 
… kush është nënë dhe s’e provoi ndjesinë e madhështisë…
 
 
Kohë online
 
Tani çdo gjë zhvillohet online,
Online çdo punë, online dhe në mësim,
Askush nuk ndjek më autobusin e linjës,
E askush nuk nxitet për në provim.
 
Kjo kohë online, minutat i heshti,
Dhe orët i ngriu pezull mbi tik-tak,
Dita zvarret si plakë e shushatur,
E nata për dreq gërmuqet në shtat.
 
Nga qielli ngre sytë, e duket kaq i trishtë,
I arti diell ndrit thjesht për inerci
Dhe retë përtojnë të lundrojnë fluturimesh,
Oh, këto kohëra online, mërzi, sa mërzi.
 
Ka kohë që doja pak, fare pak qetësi,
Qetësi që mëngjeseve të shtriqesha ngeshëm,
Por jo o Zot një qetësi të tillë,
Qetësi që vdes për së gjalli jetën!
 
 
shtrirë në shpinë…
 
…zë e vështroj yjet.
zgjedh katër prej tyre
dhe u vendos nga një emër.
janë emrat e mi,
janë emrat që kam më për zemër.
 
emrin e parë e gjeta të vënë
dhe e mora siç ishte.
e ngjiza me timin
dhe na lindën unë e ti.
si egoiste që jam,
më parë linda veten,
pastaj linda ty.
atyre u vumë emrat
që unë desha
e ti u preve flinë.
 
…janë emrat tanë ata të dy…
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s