Shtëpia Botuese “Lena Grafik” publikon vëllimin poetik ” NË RREZG TË VASHËRISË” të autores Vjollca Ajasllari- Koni 

Shtëpia Botuese “Lena Grafik” publikon vëllimin poetik ” NË RREZG TË VASHËRISË” të autores Vjollca Ajasllari- Koni 

 
Titulli: NË RREZG TË VASHËRISË
Autore: Vjollca Ajasllari- Koni 
Korrektor dhe redaktor: Viktor Bakillari
Ballina e shpina: Fatmir Graiçevci
Shtëpia Botuese: Lena Grafik
Vendi i botimit: Republika e Kosovës
Viti i botimit: 2021
 
 
P A R A TH Ë N I E
 
LINDIM PËR TË DASHUR PA KUSHTE VENDLINDJEN DHE PËR TË LËNË GJURMË
 
(Për vëllimin poetik të Vjollca Ajasllari – Konit: NË RREZG TË VASHËRISË )
 
 
Libri i katërt poetik i krijueses Vjollca AJASLLARI – KONI nga Greva / Skrapari.
Tri vëllimet e tjera titullohen:
Bio (2013), botuar në Tiranë;
Poseidon – ky malli (2014), botuar në Tiranë;
Ti, Qindvjetësh (2016), botuar në Prishtinë.
Libri me titull sugjestiv e poetik “Në rrezg të vashërisë” është vijim i tri vëllimeve të mëparshme.
Titulli mund të zbërthehet kështu: RREZG,-U m. vlug; valë, kulm, fuqi.
VASHËRI,-A f. edhe poet., vajzëri, dhe vetë fjala VAJZËRI do të thotë: Mosha e femrës deri sa martohet, koha sa është vajzë; çupëri.
Fjala poetike “vashë”, përdorur më parë edhe në Skrapar, sot haset rëndom me sinonimin e saj “çupë”.
 
PO Ç’ËSHTË ÇUPA, ÇIKA, VAJZA, VASHA?
 
Kjo është një kryekrijesë e dyshes babi-mami, disa thonë e treshes duke shtuar edhe Atë Lart (Ku i dihet? Ndoshta!), është pra, nëse do ta thjeshtonim, një krijesë tejetshumë e bukur, konkurrente me perritë, zanat e shtojzovallet e (pa)përfytyrueshme, që rritet me pekule sipas modelit “bëmë, moj nënë, të të ngjaj e një pëllëmbë të ta kaloj” dhe që, sa është e vogël, i pëlqen të luajë gjithnjë me kukulla e që, sa herë që qesh, është muzika më e bukur në botë dhe që, kur rritet, pasi është edukuar për t’u bërë e denjë dhe e mbarë dhe shkolluar mirë, njerëzit e saj, mes lotësh e emocionesh ia japin të “birit të botës”, ndërkohë që atë njëqind e kanë kërkuar dhe këtij fatlumi i ka buzëqeshur fati, gjithsesi jo kundër dëshirës së saj, sidomos në kohët e sotme, duke u minuar mendimin shumë njerëzve, se gjoja janë ata që kanë zgjedhur nuse të mirë, kur është krejt e kundërta, pra është çupa që ka përzgjedhur, jo djali, e cila ka marrë premtimin e këtij të fundit se zemra e saj ka për të qenë gjithmonë strehëza e tij e përjetshme, të cilët, ashtu si mish e thua, fillimisht kanë bërë betimin e lashtë “Bashkë në të mirë e në të keqe, gjer sa vdekja të na ndajë!” e që, pas martese, trashëgohen, e ngandonjëherë më të rrallë, sa për të mos marrë udhën e përbashkët më sysh, ia nxijnë jetën
njëri-tjetrit e shahen, zihen e mallkohen, por edhe duhen, dashurohen e pajtohen e marrin vendim se do të ndahen, por prapë prapësojnë hapin e kuturisur e të pathemeltë të marrë në mërzi e sipër, e riduhen e ridashurohen e që, në mos me hir, me pahir, por më tepër me dëshirë, janë të patundur në vendimin e drejtë se do ta shtyjnë mes ulje ngritjesh e krah për krah gjersa të kenë jetë; është pikërisht kjo ÇUPË / VASHË rreth së cilës vërtitet vëmendja prindërore, vëllazërore, mashkullore, shoqërore; kujdesi i pakufishëm, i pamasë i gjithhershëm ndaj saj.
 
Një çupë e tillë ka qenë edhe Vjollca. Çapkëne, e shkathët, e bukur, nxënëse e mirë që lexonte librat e bibliotekës së pasur të shkollës 8-vjeçare të Grevës, që mbushte ujë me gjym e kovë në kroin kryesor të fshatit të quajtur Popçe (rreth 200 metër larg shtëpisë), që bënte një pushimth në mes të rrugës për të bërë një dorë muhabet me shoqet, që blinte bukë në furrë, që ndihmonte neken në punët e shtëpisë e në kopsht, që mblidhte lule në mal, që ndante
çdo bisedë me një shoqen e saj të klasës të shkëlqyer në mësime (E.Sh.), që luante, që qeshte, që këndonte, që këpuste mollë majhoshe e ftonj vjeshtakë, që hipte në man, që nuk i pëlqente të bënte mollëzat e gishtave me shark arre, që vinte kurorë me luleshqerra në kokë, që lexonte edhe natën si dreqi, që i pëlqente poezia, që nisi të shkruante të atilla qysh në shkollën 8- vjeçare, por që njëri nga vëllezërit ia griste se i dukeshin poezi dashurie?!, që thurte ëndrra
për princin, për çunin, për fatin përfytyror, për djalin që do të përzgjidhte e merrte e t’i qëndronte në krah të djathtë.
E tillë ishte Vjollca e lindur në Grevë, shkolluar në Çorovodë (gjimnazin), martuar në Tiranë, sot banuese në Vjenë.
Të gjithë kemi lidhje me vendlindjen, por lidhja dhe dashuria e kësaj bije Greve është jashtë normales, është mall i pashuar, brengë, dashuri e sëmurë, dashuri patologjike. Dhimbka e saj mbetet fshati Grevë, atje mes malesh me Shkëmbin e Postenës, Lisecin e Bakillarëve (kufi me Korçën) dhe Kestrecin në shpinë e krah të majtë e me Tomorrin përballë e me lumin e Tomorricës si hulli e hapur me plor përfund (në perëndim) të saj.
Vend i izoluar, por, sa e kujton, i dalin lotët si gurë qelibari tespihesh, si gurra e Popçes.
Dhe vitet, dhjetëvjeçarët, tutje, teksa malli i saj patologjik, tëhu!
 
***
 
Vjollca Ajasllari-Koni, pra, vjen sërish para publikut shqiptar. Ashtu si në vëllimet e tjera, ajo ka vendosur që ndjenjat e mendimet t’i qëndisë e t’i shprehë në vargje. Nëse do të njohësh autoren, shpirtin e brishtë të saj, e kupton duke ia lexuar poezitë. Janë të shumta rastet kur na shfaqet një Vjollcë me një gjendje shpirtërore të brishtë, fine.
Poezitë ajo i ka shkruar jashtë vendit, në Vjenë (Austri). Janë kryesisht lirike, meditative, ëndërrimore, imagjinative me varg të shkurtër gjer në mesatar. Poezitë e saj kanë karakter rrëfyes në të cilat shprehen qartë ndjenjat e qashtra e të pastra. Lajtmotivi edhe në këtë vëllim është vendlindja: Greva:
Lehë vjollce e sheboje, / Ka me shumicë edhe në Vjenë, / Po aromën si të Grevës, / Askurrkund ti nuk e gjen.
 
(Në rrezg të dashurisë)
 
S’ke ç’i bën! Llamburitja vjeneze, vjollca e parqeve vjeneze nuk e bëri për vete, nuk e zbuti që nuk e zbuti Vjollcën shkëmbore e malore të Skraparit gjithë shkrepa e kreshta të thepisura.
Titujt në këtë vëllim janë të thjeshtë larg së qeni të rëndomtë. Ata duken qartë se kujt i referohen.
Titulli i vëllimit “Në rrezg të dashurisë” i referohet moshës së rinisë, kulmit, pranverës së kësaj moshe. Moshës për të hipur në kalë të bardhë me duvak. Madje fjala e veçantë rrezg këtu merr kuptimin kulm, zemër, palcë, afsh, pranverë…
Në titujt e këtij vëllimi shpaloset mjedis, veprim i vetëm, gjendje emocionale, meditim, ëndrra të pafundme, dialog. Ata (Titujt) në këtë vëllim janë emërorë (Rrënja; Tempulli i lirisë; Tingull i dashurisë; Pusullë; Zbrazëti etj.); urdhërues (kur ka një folje) (Futu brenda!, Zgjohu populli im! Mos më kërko! Zgjidh e merr: raki a verë? Aty më prit! etj.); shpjegues që shprehin një gjendje emocionale (Psherëtij; Regëtij etj.); dialogues (Më tha e i thashë, por jo themethashë); përshkrues (deskriptiv) (Trupin bosh-rabush; Lot pranverorë; Ditë vjeshte e përzishme; Idil pranveror në vendin tim etj.) etj. Karakteristikë e veçantë në këtë vëllim është përsëritja tematike, por edhe ajo brenda një poezie.
Tematika e rikthimit në vendlindje (Grevë) haset me dhjetëra herë.
Shpeshherë strofat e para nisin me një përshkrim të sheshtë, por tërheqës, diku nga mesi nisin e nxjerrin krye dhe, në fund, mbylljet janë befasuese, pak a shumë vargje që do të shërbenin si modele titujsh.
 
***
LINDIM – LARGOHEMI DHE LËMË GJURMË
 
Dikotomia kohë dhe vend në krijimtarinë e Ajasllari-Konit është tepër e veçantë dhe e thjeshtë për t’u kuptuar. Koha: ditë, natë, sot, çast, nesër hasen rëndom. Vendi është i përcaktuar me saktësi: Grevë/Skrapar – Vjenë. Pra, pjesën dërrmuese të hapësirës krijimore të Ajasllari-Konit e zë vendlindja, duke i kënduar nga një pjesë bukuroshe e Evropës (Vjena). Por, medet! Duke lexuar me kujdes këtë vëllim, bie në sy njëfarë pesimizmi e nostalgjie. Në këtë vëllim hasen dendur fjalët shi e lot, pafund. Ka pak diell në raport me shiun natyror dhe atë trupor të saj. Më poshtë kemi nxjerrë statistika të sakta lidhur me përdorimin e fjalëve kyçe. Zërat në krijimtarinë e saj janë në vetën e parë, në të dytë (njëjës) dhe në të parën shumës. Ndalojmë pak te kjo hollësi, sepse aty ndeshim edhe diçka karakteristike: Vetën e tretë (Ai dhe Ajo) brenda së njëjtës poezi. Na del pak a shumë si një këngë dialogjike, ku Ai ia merr dhe Ajo ia pret. Kemi pra të bëjmë me zëra dialogjikë, me poezi dialogjike. Ka shumë gjasa që zëri Ajo t’i referohet autores, ndërsa Ai mund të jetë Ai-u imagjinar, përfytyrues, djali, fryt i imagjinatës së saj. Ky dialog pak a shumë hidh e prit, haset disa herë, sidomos në disa krijime të shkurtra pa titull.
Ai: Po të dhuroj një kalendar, -/ Që ndonjë ditë ta veçosh. / Ajo: Nuk kam ditë të shënuar, / Se të dua në çdo kohë…
Gjendja shpirtërore që përcjell autorja është shpeshherë mjaft e ngarkuar, e rënduar, shpeshherë me nota elegjiake, nganjëherë edhe me këngë me iso.
Shumë poezi kanë kokrrën e lotit, ku sa një lende lisi, ku sa një sumbull vese, ku sa një kokërr korithi të lakuar në të gjitha rasat, çka këtij vëllimi i jep nota dhe frymë tejet elegjiake.
Fjala lot përmendet 80 herë në vëllim!
Përse, Vjollca, përse?
Na e shpjego herës tjetër, ose në ndonjë shkrim.
Jo pak herë zëri i rrëfimtares dhe toni e saj vjen e përfytyrohet i butë, i ëmbël, (Ti e di, mallin tim, o djalo…), herë i kadifenjtë e herë i mëndafshtë (Dua të bëhem flokë dëbore, / Mbi buzën tënde të lodroj.); shpeshherë bëhet lozonjar, qarës, vajtuës, i përmallshëm, i mprehtë, grishës.
Gjuha e autores është ajo standardja e kripur tek-tuk me ndonjë fjalë dialektore të Skraparit (neke = nënë, Gërrjeshtë = Gjineshtër (emërvend), Popçe = Kroi kryesor i fshatit Grevë (emërvend), stoçen = erë e fortë lokale, Gjalpër = Gjarpër (emërvend), Tomorricë = Tomoricë; guramac = gurmac.)
 
***
 
Poetja shpreh një admirim për vendlindjen dhe nuk pajtohet aspak me realitetin ku ka ngritur jetën. E çuditshme! Kur krejt Tomorrica pothuajse është shpopulluar, ajo vazhdon e krijon e përlotet për të nga mesi i Evropës Perëndimore. Duket sikur ora i ka mbetur në mijëvjeçarin e kaluar. Po, po! Në mijëvjeçarin e kaluar. Duket sikur largimi nga Greva ia ka ndryshuar për keq gjendjen shpirtërore, e bën si shelg vajtues kur bie shi.
Kjo mund tingëllojë si akohore, si prapanike, sikur nuk jeton me realitetin, por, ja që e vërteta kështu është. Lexojani poezitë dhe keni për t’u bindur. Jo për ta justifikuar, por nuk e di, ndoshta s’e ka edhe aq keq, sepse vetë titulli flet qartë: “Në rrezg të vashërisë”. Dhe, kur ka qenë Vjollca Ajasllari (pa lokomotivën e dytë mbiemërore KONI) në rrezg të vashërisë? – Pikërisht në kulm, në vlug, në pranverë të moshës së saj, në atë të dashurisë dhe pikërisht kur ishte ende në Skrapar, prandaj, nga ky këndvështrim, asaj, ndoshta i pëlqen të mbetet gjithnjë vashë, çupë e re, adoleshente e përjetshme. E, në mos me vite, në shpirt është po ajo, njashtu siç ndjehet çdo femër, a çdo vashë 17-18 vjeçare.
 
 
Vjollca Ajasllari- Koni 
 
***
 
Temat që trajtohen në këtë vëllim poetik janë: Natyra, vendlindja, dashuria, jeta (edhe pse ndonjëherë e padurueshme). Shpeshherë, këto tema lidhen e gërshetohen shumë bukur me njëra-tjetrën.
Një aspekt tjetër i veçantë në krijimtarinë e këtij vëllimi luajnë shqisat në poezi:
Të shijuarit, të prekurit, të parit, të nuhaturit. Krijimet e saj të larmishme kanë muzikalitet, kanë të këndshme anën tingëllore dhe ritmin lozonjar. Fjalët janë të lidhura me rimë sa të brendshme, aq edhe të jashtme. Rimat janë foljore, emërore, mbiemërore. Veçoritë formale dhe tingullore të këtij vëllimi janë harmonia e tingujve, ritmi i gërshetuar
me epitete befasuese, me aliteracione, asonanca, anafora, apostrofa, rimarrje tematike, krahasime pafund. Gjuha poetike e Ajasllarit nuk është ajo e errëta e ngarkuar me dykuptimësime apo me shenja semiotike që ta lodhin lexuesin për ta kuptuar tekstin. Shpeshherë ajo është gjuhë me ndikim popullor, diku me nuanca deklarative. Fjalësi i saj me karakter pemor, atmosferik, dashuror, ëndërror, motor (nga fjala “mot” / kohor), na jep mjaft elemente për të kujtuar të kaluarën, shkëlqimin e dikurshëm të vendlindjes së saj. Uniteti i kohës me vendin kanë mbetur si dikur. Koha nuk del e përgjithësuar, as vendi, por janë konkretë, janë realë, të gjendshëm e të përjetuar: Atje (Greva) dhe Atëherë (dikur, para viteve 1990). Subjekti lirik zhvillohet dhe lodron si një sorkadh mali jo në kohë pa cak, jo i përgjithësuar, por konkret: Dikur / Unë / Ti / Atje; Dikur unë për ty thurja vargje plot dashuri, pra dimë saktësisht se kujt periudhe i referohet.
 
***
 
Fjalë kyçe në këtë vëllim poetik janë:
(Në kllapa është numri i herëve të përdorura)
Lot: 80 (herë); Shi (18); Mall (59); Grevë (12); Atje (24); Këtu (12); Shegë (10); Dhimbje (24); Shpirt (45); Puth (18); Lule (20); Dua (35); Urrej (1); Nënë (13); Natë (6); Ditë (6); Ditë – natë (1); Hënë (8); Diell (18); Fjalë (21), Puth (18); Zemër (21); Dimër (13); Pranverë (12), Verë (3); Vjeshtë (31); Verë (pije: 5); Raki (5); Vuajtje (1); Gëzim (1); Trishtim (6); Qerpik (8); Ëndërr (15); Bukur(i) (32); Zjarr (7); Acar (6), Sot (16); (Dje/Nesër: 0).
 
***
 
Jeta është e mbushur kavuli (plot) me vështirësi të cilat njeriu, dashje-padashje, është i detyruar t’i kalojë. Dhe një ndër vështirësitë, gati të pakapërcyeshme që ai përshkon gjatë udhës, është që të lërë gjurmë. Shumë njerëzve u dëgjohen hapat, të paktë janë ata që lënë gjurmë. Dhe gjurmët mbeten sipas thënies latine: Verba volant, scripta manent lokucion që në shqipe do të kishte si gjegjës: Fjalët fluturojnë (i merr era), shkrimet mbeten, ose më mirë për të ruajtur rimën në origjinal: Fjalët treten, shkrimet mbeten. Në fund të fundit çfarë është njeriu përveçse jehonë dhe tym, pluhur, baltë e fosfor? Ajo që mbetet janë kujtimet, dhe shkrimet, librat, është drita. Vjollca, bijë nga Greva, këtë e ka arritur.
Urime Vjollca e suksese në krijime të tjera.
 
Viktor Bakillari
Tiranë, prill 2021
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s