Poezi nga Merita Paparisto

 
Poezi nga Merita Paparisto
 
 
Unë jam…
 
Unë jam kaosi i mendimeve të tua…
Jam kurioziteti yt për të parë në botë të
panjohura…
Jam egoja jote mashkullore për të pasur për
vete ato që është vështirë t’i kesh…
Une jam posesiviteti yt.
Jam kënaqësia e fituesit kur ngre flamurin
mbi kështjellat e pushtuara…
Jam britma e luanit të stepës
kur kërkon femrën e tij
Jam dëshira jote për të qënë i dashuruar dhe
i përkedhelur…
Unë jam trishtimi dhe dhimbja e ëmbël
e shpirtit tënd…
Jam ujrat e rrëmbyera ku dëshirat e tua të
zhytura rreken gjithë kohën për të dalë
në breg.
Jam mosbesimi dhe dyshimi yt…
Jam re e kaltër në qiellin tënd blu…
Unë jam qëllim dhe pengesë në jetën tënde.
Jam tërheqja dhe tendosja jote për të më arritur
dhe për të më prekur, kështu paprekshmërisht larg
siç jam.
Jam mundimi yt për të mos më mbajtur
dhe për të mos më lëshuar.
Jam….
…. pamundësisht për të qënë e jotja.
 
©M.P. ( nga vëllimi “Kristal në Mjegull” 2005 )
 
 
Mëngjes…
 
Mëngjes i kripur
me erë pishash në breg të detit…
më kujton zogjtë e tu të ndrojtur
duke më ndjekur pas
me cicerima të mekura kërkojnë
që t’i ushqej me gji.
 
Era e pishës ripërtërin kujtimin tënd
Por unë qëndroj me sy mbyllur
Dhe fytyrën të kthyer nga dielli
në pritje të një gjëje reale,
rrënjësisht të natyrshme
si lulëzimi i trëndafilave të egër në pyll.
 
©M.P. (shkëputur nga vëllimi “Përtej” 2018)
 
 
E pirë…
 
Një shishe verë është shumë
për trupin tim të imët.
Alkooli rrjedh me gjakun
në të njëjtët damarë,
në dy shtretër krej të veçantë,
të papërzier.
Kur rrjedha arrin në tru, fillon festa:
neuronet vallzojnë të hazdisura në cortex.
Unë bashkë me to.
 
E di mirë që dy gjëra më ndodhin kur pi:
Përqafoj të gjithë njerëzit që kam pranë
dhe çfarë është e dyta,
e harroj gjithmonë.
 
Lëkura tashmë
më është shndrruar në të gjelbër
dhe vështrimi kërkon sytë e tu
me të njëjtën ngjyrë.
Ti bën sikur nuk më sheh,
por nuk mund të më shpëtosh;
të afrohem dhe të them në vesh
me pëshpërimë
që je dashuria e jetës time,
që do të të dua deri në vdekje.
Ti më thua “faleminderit” pas çdo pohimi
dhe qesh.”
 
Gjithë kohën dua që të shkruaj këtë poezi
por nuk kam duar. Më janë këputur.
Në fillim parakrahët, deri në bërryl
dhe më pas krahët, deri në supe.
Do kisha dashur më mirë
të më ishin këpur të gjitha rropullitë
së bashku me stomakun.
 
Shishja e verës dhe festa në cortex
është pothuajse në fund.
Neuronet pengohen
mbi cungje të shkrumbuar
dhe rrëzohen mbi njëri- tjetrin
 
të përgjumur, ndërsa unë mbyll radion,
sepse më mbushet mëndja
që jam nota në pentagram
dhe më zë frika
se mund të fluturoj jashtë dritares,
bashkë me fjalët e këngës.
 
Rrjedha e gjakut dhe alkolit
janë përzier më në fund.
Më duket sikur do mbytem
në atë lëng të turbullt pa emër.
Fundja, pa krahë nuk mundem as të notoj.
 
Mbi brigje, papritur, dendësohet
një mjegull malli e trishtë
që sjell me vete
zagushi mbytëse e të lagësht.
Era e harresës fle.
 
“Një kafe do të lehtësojë”.
Në sfond prap muzikë
dhe zëri monoton i fallxhores
që lexon filxhanin e kafesë
“shoh një qen që të kafshon këmbën” –
vetëm kaq arrij të regjistroj, pastaj
futem në një pyll që digjet vazhdimisht
dhe kam etje.
 
©M.P. ( Botuar në vëllimin “Përtej…” 2018 )

One thought on “Poezi nga Merita Paparisto

Leave a Reply to Love Alone Cancel reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s